Ditmir Bushati: Greqia ka ndryshuar politikën e jashtme, dorëzimi strategjik me Ballkanin, çështja çame dhe ujërat territoriale

192
Sigal

 

Ditmir Bushati, Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, intervistë për gazetën greke “To Vima”

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati në një intervistë për gazetën greke “To Vima” është shprehur se gjykata Ndërkombëtare e Hagës është më e “pandjeshme” për të vendosur për mosmarrëveshjet greko-shqiptare për delimitimin e hapësirave detare. Bushati thekson në intervistën e tij nevojën për një “partneritet të vërtetë strategjik”shqiptaro-grek, ndërsa zbulon se qeveria shqiptare e ka ngritur “çështjen çame” ndaj qeverive greke. Së fundi, ai beson se përmbushja e “objektivit kombëtar” të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE është vonuar.

Lënia e Ballkanit Perëndimor në një zonë të përhershme muzgu në cepin e Europës do të ishte një dorëzim strategjik

Intervistë e ish Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati për gazetën greke “To Vima”

A po largohet Shqipëria nga anëtarësimi në Bashkimin Europian? Nëse po, kush mendoni se është përgjegjës?

Procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE po shoqërohet me paqartësi dhe gjysmë angazhime. Kjo u provua qartësisht mbas krizës financiare të vitit 2008. Që nga ajo kohë, marrëdhëniet BE – Ballkan Perëndimor rrallë gjenden në trajektoren e konvergjencës ekonomike dhe europianizimit të shpejtë. Këto dy komponentë janë të ndërlidhur dhe të nevojshëm për transformimin real të vendeve të rajonit. Vendi i fundit që u bë anëtar i BE-së ishte Kroacia (2013). Që atëherë, duket se nuk ka “oreks” për zgjerim, për shkak të dinamikës së brendshme të BE-së, por edhe të sfidave komplekse të konsolidimit të demokracisë në Ballkanin Perëndimor, të përforcuara nga agjendat konkurruese dhe mosmarrëveshjet dypalëshe. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE mbetet një objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit dhe transformimit social dhe ekonomik. Fillimi i bisedimeve të anëtarësimit në BE për Shqipërinë tanimë ka kaluar përtej çdo afati. Në mënyrë metaforike, Shqipëria qëndron si kolateral i mosmarrëveshjes së fundit midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Lënia e Ballkanit Perëndimor në një zonë të përhershme muzgu në cepin e Europës do të ishte një dorëzim strategjik.

Çështja çame është pjesë e dosjes sonë historike dypalëshe dhe është parashtruar nga qeveria shqiptare ndaj qeverie greke

Greqia zgjeroi ujërat territoriale në detin Jon në 12 milje detare. Si i komentoni përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së delimitimit të hapësiravedetare mes Athinës dhe Tiranës me një proces të mundshëm në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë?

Vendimi i Greqisë për të shtrirë ujërat e saj territoriale në 12 milje përcjell një mesazh të qartë politik që pasqyron ndryshimet që kanë ndodhur në dy vitet e fundit. Ky është zgjerimi i parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Jemi përballë një ndryshimi të qëndrimit tradicional të politikës së jashtme greke, e cila synonte të niste nga Egjeu zgjerimin e ujërave territoriale. Ndryshimi i qëndrimit kërkon të diferencojë trajtimin e çështjeve që lidhen me delimitimin e hapësirave detare me Turqinë, krahasuar me vendet e tjera, për të përfituar sa më shumë të jetë e mundur nga precedentët që krijohen. Ky proces nuk ka qenë i lehtë, veçanërisht pasi Marrëveshja e vitit 2009 u shpall antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Ato kontrollojnë produktine negociatave. Kur palët vendosin t’i drejtohen gjykatës, kjo e fundit është rojtare e precedentëve të vendosur nga e drejta ndërkombëtare. Rrjedhimisht e pandjeshme ndaj objektivave të palëve.

Jemi përballë një ndryshimi të qëndrimit tradicional të politikës së jashtme greke, e cila synonte të niste nga Egjeu zgjerimin e ujërave territoriale

A e ngriti pala shqiptare “çështjen e çamëve”? Nëse po, çfarë përgjigje morët nga Nikos Kotzias, në atë kohë ministër i Jashtëm grek?

Çështja çame është pjesë e dosjes sonë historike dypalëshe dhe është parashtruar nga qeveria shqiptare ndaj qeverie greke. Më lejoni të jem i qartë, Shqipëria nuk e konsideron “çështjen çame” të lidhur me ndonjë pretendim territorial, pasi ne respektojmë plotësisht Kartën e OKB-së, Aktin Final të Helsinkit, Protokollet e Firences dhe të gjitha aktet e të drejtës ndërkombëtare që kanë të bëjnë me paprekshmërinë e kufijve. Ne e konsiderojmë “çështjen çame”, si një çështje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, një çështje që lidhet me lirinë e lëvizjes, të drejtën e gëzimit të pronës, të drejtën e kujtesës dhe respektit për paraardhësit.