Varferia nuk shkaktohet prej fatit, por është pasojë e egoizmit dhe padrejtësisë

Ipeshkvijtë e Shqipёrisё i drejtohen me një mesazhi qeverisë, Kuvendit të Shqipërisë, institucioneve financiare vendase dhe ndërkombëtare, bashkive të vendit, që të mbështesin dinjitetin e të varfërve dhe nevojtarëve me masa konkrete. Papa Françesku në mesazhin e tij për Ditën botërore të të varfërve deklaroi se të varfërit na mësojnë solidaritetin, bashkëndarjen, sepse mishërojnë dinjitetin e dhënë nga Zoti që askush nuk mund t’ua marrë’. Ja shifrat që faktojnë luksin e pushtetarëve dhe fukarallëkun e qytetarve

Në ditën e pestë Botërore e të Varfërve, Ipeshkvinjtë katolikë të Shqipërisë kanë bërë një mesazh për sfidën e varfërisë në vendin tonë duke iu drejtuar Qeverisë, Parlamentit, Institucioneve financiare dhe Bashkive të vendit e njëkohësisht duke ofruar bashkëpunimin për t’i bërë ballë kësaj plage shoqërore. Me rastin e Ditës së Pestë Botërore për të Varfërit, që kremtohet të dielën me 14 Nëntor 2021, me temë “Të varfërit i keni gjithmonë me ju”, Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, shprehin shqetësimin tonë, duke vënë re ndikimet shumë negative të krizës ekonomike botërore e cila ndërthuret edhe me veçantitë e situatës kritike që ka përfshirë vendin tonë prej kohësh.“Si barinj të Kishës i kemi ndjekur ndryshimet fiskale të ndodhura në kohët e fundit, sikurse rritja e çmimeve të produkteve të shportës, karburanteve dhe gazit (si dhe është përfolur edhe për rritjen e çmimit të energjisë elektrike) dhe vërejmë me keqardhje mungesën e vëmendjes që duhet për të varfërit e nevojtarët, për të pamundurit e të mënjanuarit e shoqërisë sonë”, thuhet në një deklaratë.“Të qenit qeveritar, vendimmarrës, politikbërës nuk është vetëm një pozitë që reflekton autoritet, por është një thirrje për të shërbyer, për t’iu dhënë zë kauzave që u mungon zëri, për të qenë miqtë e nevojtarëve, për të dëgjuar britmat e të varfërve në mjerimet e tyre. Le ta kenë të varfërit e nevojtarët në mesin tuaj, si vendimmarrës, zërin e tyre të mbështetur e të fuqizuar e nëse ua fuqizojmë këtë zë, të mos t’i lëmë ta humbasin shpresën, sidomos kur ajo lidhet me mirëqenien e dinjitetin e jetesës. Kjo vëmendje dashurie është fillimi i një shqetësimi të vërtetë për qenien e tyre dhe duke filluar nga kjo, fillon edhe kërkimi i të mirës për ta”, thuhet më tej në mesazh.

Sigal

 

Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri theksojnë se tërmeti, pandemia, kriza e përshkallëzuar ekonomike, që ndihet tek rritja e çmimeve të prodhimit e kanë shtuar numrin e parregullsive morale e shoqërore që sigurisht shkaktojnë gjithnjë e më shumë forma të reja varfërie, si pasojë e aktorëve ekonomikë e financiarë të paskrupullt, të privuar nga çdo ndjeshmëri njerëzore e përgjegjësi shoqërore. “Radhët që shtohen e bëhen më të gjata në qendrat tona për të varfërit, kërkesa e vazhdueshme, sidomos e familjeve të reja dhe e të rinjve, për emigrim, janë shenjë e prekshme e përkeqësimit të ekonomisë dhe mundësive për nevojtarët, duke treguar rritjen e numrit të tyre.

‘Varfëria nuk shkaktohet prej fatit, por është pasojë e egoizmit’. ‘Kështu, të varfërit na mësojnë solidaritetin, bashkëndarjen, sepse mishërojnë dinjitetin e dhënë nga Zoti që askush nuk mund t’ua marrë’, – na thotë Papa Françesku në mesazhin e tij për Ditën botërore të të varfërve.

Prandaj, ky mesazh është një thirrje e fortë për ata të cilëve populli iu ka besuar administrimin e të mirës së përbashkët, për politikën, për qeverinë, që të mos e humbasin mundësinë për ta bërë të mirën, sepse ‘Zoti i do ata që dhurojnë me gëzim’”. Mesazhi i drejtohet Qeverisë, Kuvendit të Shqipërisë, Institucioneve financiare vendase dhe ndërkombëtare, Bashkive të vendit, që të mbështesin dinjitetin e të varfërve dhe nevojtarëve.“Kështu, le t’i kundërvihemi të gjithë së bashku kulturës së indiferencës, padrejtësisë dhe përjashtimit. Viktimat e para të kësaj kulture janë pikërisht të varfërit, nevojtarët e të mënjanuarit. Me bindjen se do të dëgjohet zëri i të varfërve, sikurse na fton edhe Papa Françesku, ne Ipeshkvijtë përtërijmë angazhimin tonë për të qenë pranë nevojtarëve, ashtu sikurse kemi bërë gjithmonë, duke ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë dhe të institucioneve tona të bamirësisë, në këtë sfidë kundër varfërisë, brenda mundësive tona, por me gjithë vetveten tonë. Gjithashtu sigurojmë lutjen tonë për të mirën e përbashkët, paqen dhe shpresën në vendin tonë! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Statistika: Ministra e drejtorë në luks , varfëria kaplon qytetarët

Ja disa nga të dhënat  që pasqyrojnë situatën ekonomike në Shqipëri këto tre vitet e fundit, ku me paratë që kanë shkuan për prokurime tenderash nëse do investoheshin do kishim një tjetër situatë me varfërinë në vend. Qytetarët  do të paguajnë më shumë taksa gjatë vitit 2022, pasi shtetit i duhen edhe 380 mln. euro  në buxhet për të paguar rritjen e borxhit, investimet dhe PPP-të. Ndërkohë që rritja e çmimeve dhe papunësia do të shoqërohet edhe me uljen e ndihmës ekonomike për familjarët  me 5%. Sipas FMN, BB 30% dhe Eurostat 50.8% e popullsisë do të rrezikohen edhe më shumë nga varfëria. Aktualisht njerëzit më të pasur në Shqipëri janë ato me pushtet në politikë, e faktuar nga shumë raporte ndërkombëtare, por edhe institucionet përkatëse vendore kundër korrupsionit etj. Sipas INSTAT nga Shqipëria në 8 vite janë larguar 360 mijë qytetarë, ku 76% nga papunësia dhe 60% nga varfëria. “Ikja e trurit të të rinjve” e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Evropë për dëshirën e të rinjve për të ikur dhe studiuar jashtë vendit. Teksa varfëria mbetet arsyeja kryesore për emigrim.

-Nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se fatura nga arbitrazhet 388 mln euro, por gjoba pritet të rritet sërish. Gjithashtu parashikon 7.2 miliardë euro, buxhet të shpërdoruar, buxhet të vjedhur.

-Në lidhje me raportin e Transparancy International, gjithashtu Doing Buissnes, parashikojnë se të paktën në vitet 2017-2018-2019, janë pastruar para të pista në vlerën 1.6 miliardë euro, që është një shifër katastrofike, absolutisht e frikshme.

Raporti theksonte se në 2017 janë pastruar 320 milionë euro, në vitin 2018 janë pastruar plot 500 milionë euro dhe në vitin 2019  janë pastruar 700 milionë euro, pra një total prej 1.6 miliardë eurosh, prandaj dalin lejet e ndërtimit në përgjimet e antimafies italiane, sepse në fakt lejet e ndërtimit janë jo vetëm një mekanizëm dhe një makineri për pastrimin e parave të pista, por nga ana tjetër nqs i referohemi përgjimeve ku deklarohej se fitimi mund të ishte rreth 3500 euro, sepse kosto e ndërtimit për m2 është 500 euro, por ndërkohë shitet 4000 euro.

Në nivel numër prokurimesh kemi 5200 prokurime. Nga këto 5200 prokurime dhe nëse bëjmë një analizë me vitin 2019, janë pak a shumë në të njëjtin nivel numri. Por, çfarë ka ndodhur? Nëse në vitin 2019 është prokuruar një vlerë totale prëj 646 milionë eurosh, viti 2020 e ka mbyllur bilancin e vet me 1.1 miliardë euro të prokuruara, pra një diferencë gati 500 milionë euro.

Jemi në shifrat e gati 41% pa garë, që do thotë gati 1 në 2 tendera është pa garë. Nqs në vitin 2017 në kemi denoncuar 1 në 3 tendera pa garë, ishte diku tek 30% e tenderave pa garë, aktualisht po flasim për 41% dhe këtu ka dy momente që duhen shpjeguar.

– 1 milionë euro janë harxhuar për fluturime zyrtare gjatë kohës së pandemisë

– 180 milionë euro kanë përfituar oligarkët nga tenderat vetëm për vitin 2020

– Në vitin 2016 është hapur gara për 110 milionë euro tendera
– Në vitin 2017 është hapur gara për 50 milionë euro tendera
– Në vitin 2018 është hapur gara për 120 milionë euro tendera
– Në vitin 2019 është hapur gara për 85 milionë euro tendera
– Në vitin 2020 është hapur gara për 505 milionë euro tendera

– 2848 vende pune të përkoshme elektorale janë shtuar vetëm në vitin 2020
– 16,640 vende pune janë shtuar vitet e fundit me 28 vendime të VKM-së për përfitime elektorale- 162 milionë euro i hanë kontratat e përkohshme të punës buxhetit të shtetit
– 200 milionë euro pasuri mendohet të ketë pasur Kryeministri në vitet 2015-2016 sipas raportit të OSBE-së
-3.7 milionë euro ka kushtuar rikostruksioni i Kryeministrisë në kohën ku 40% e shqiptarëve mezi shtynin vaktin