Dikush duhet t’i thotë Ramës që…

475
Sigal

Vlora nuk është e qetë dhe nuk është ashtu siç  ia paraqesin Ramës me mesazhe apo e-mail-e zyrtarët e tij

Dikush duhet t’i thotë Ramës që Vlora nuk është e qetë dhe që nuk është ashtu si ia paraqesin në mesazhe apo e-mail, zyrtarë të tij në Vlorë. Dikush duhet t’ i thotë Ramës që pas një viti qeverisje, programi i Rilindjes ka gjetur shumë pak zbatim në institucionet qeverisëse të Vlorës. Dikush duhet t’ i thotë Ramës që pas një viti të ndryshimit të qeverisjes, ka shumë pak ndryshime në mënyrën e drejtimit e të funksionimit të institucioneve të shtetit, në Vlorë. Që pas një viti, nuk ka asnjë analizë pune, tre mujore, 6 mujore apo 300 ditëshe të aktivitetit të institucioneve. Dikush duhet t’i thotë Ramës që në Portin e Vlorës, nuk ka asnjë anije më shumë nga një vit më parë, asnjë traget të ri, edhe pse mund ta ketë konstatuar vet një fakt të tillë gjatë ditëve të qëndrimit të tij në Vlorë, asnjë subjekt të ri të hapur, por vetëm të mbyllura, asnjë drejtues të mëparshëm të akuzuar për shkelje apo abuzime të kryera, asnjë dalje në terren të drejtuesve apo institucioneve, asnjë aktivitet, seminare, sensibilizim, frymë pune për të ndryshuar realisht. Dikush duhet t’i thotë Ramës që pjesa më e madhe e drejtuesve të institucioneve të shtetit në Vlorë, nuk bëjnë asnjë punë tjetër përveçse vajtje ardhjeve në Tiranë, në takime me ministra, deputetë e miq, me të cilët mbajnë vendin e punës. Dikush duhet t’i thotë Ramës që pjesa më e madhe e drejtuesve, nuk bëjnë asnjë punë tjetër përveçse të të thirrurit lart e poshtë edhe kur nuk u’ a kërkon njëri “rroftë Rilindja” apo “rroftë Rama”, duke vegjetuar me të tilla mënyra, nga njëri pushtet në tjetrin. Dikush duhet t’i thotë Ramës që pjesa më e madhe e drejtuesve të institucioneve të shtetit në Vlorë, kanë krijuar bindjen se nuk i lëviz askush nga vendi i punës sepse ata kanë “mik’, “shokë”, “kushëri” ministrin, deputetin apo njerëzit afër Ramës në Tiranë. Dikush duhet t’ i thotë Ramës që disa drejtues institucionesh në Vlorë edhe pse në moshë të re, ashtu si dhe ka dhënë porosi Kryeministri, vetëm moshën kanë të re se për nga mënyra e drejtimit dhe e mentalitetit janë edhe më të vjetër sesa të vjetërit në moshë. Dikush duhet t’i thotë Ramës që deputetët e tjerë të Vlorës, nuk shkojnë në zonat e tyre, me përjashtim të festave, për të dëgjuar tashmë jo vetëm hallet e njerëzve por edhe për të konkretizuar premtimet që bënë gjatë fushatës, duke krijuar për pasojë goxha pakënaqësi në zonat e tyre. Dikush duhet t’i thotë Ramës që disa drejtues institucionesh në Vlorë, kanë nisur të përfliten për abuzime aq saka nisur të qarkullojë në qytet dhe batuta se, “atë që drejtorët e PD-së e bënë në 8 vite, këta të Rilindjes po e bëjnë në 1 vit”. Dikush duhet t’i thotë Ramës që pjesa më e madhe e drejtuesve të institucioneve të shtetit në Vlorë, nuk flasin me njëri tjetrin dhe për pasojë nuk kanë asnjë marrëdhënie institucionale, duke dëmtuar mbarëvajtjen e punëve. Dikush duhet t’ i thotë Ramës që Vlora nuk ka nevojë vetëm për Lungomare e detit, por edhe për “lungomaren” e mentalitetit të atyre që përzgjidhen për të qeverisur Vlorën dhe institucionet. Dikush duhet t’ i thotë Ramës që në selinë e PS në Vlorë, janë mbi 6 mijë CV që kërkojnë punë, nga të cilët mbi 500 janë komisionerë qendrash votimesh të PS, të cilët i kanë siguruar fitoren duke mbrojtur votat në shumë zgjedhje, PS në Vlorë, por që sot janë të papunë e të zhgënjyer e të anashkaluar nga praktikat e punësimit. Dikush duhet t’i thotë Ramës që pushteti në Vlorë është grumbulluar në duart e një grupi njerëzish, të cilët thjesht kanë ndryshuar “lokomotivën” e pushtetit, kanë ndryshuar “idhullin”, kanë ndryshuar vendet e punës, ndërkohë që, Rama kishte premtuar se praktika të tilla do të merrnin fund njëherë e përgjithmonë. Dikush duhet t’i thotë Ramës që në Vlorë ka një ftohje të anëtarëve të PS me të përzgjedhurit e tij në Vlorë, për kryerjen e emërimeve, kjo dhe për faktin se që pas 23 qershorit 2013, nuk ka asnjë mbledhje të strukturave të PS, ndoshta nga frika e një përplasje të mundshme midis të punësuarve të përjetshëm dhe të papunë të përjetshëm. Dikush duhet t’ i thotë Ramës që një drejtues i shkarkuar për shkelje e abuzime nga një ministër i tij, nuk mund të emërohet drejtues në një institucion tjetër, sepse edhe nëse është bërë ndonjë gabim në shkarkimin e tij, ai duhet të rikthehet në postin nga ku e shkarkuan. Dikush duhet t’ i thotë Ramës që mirë bëri që e trazoi PS të Vlorës, me një kryetar të zgjedhur me vota e me një kryetar tjetër, të komanduar prej tij, por duhet ti thonë që po vazhdon ta trazojë PS me ata njerëz, të cilët duhet të ishin trazuar për vete e jot ë kalonin nga njëri pushtet në tjetrin, nga njëri post në tjetrin. Dikush duhet t’ i thotë Ramës që bashkinë tashmë edhe më të madhe të Vlorës, e ka më të lehtë e më të thellë ta fitojë me njerëz vërtet të rinj në drejtim e me reputacion në Vlorë, të papërfolur, sesa me njerëz që përfaqësojnë vetëm veten e tyre dhe të thënin përmendsh nga mëngjesi deri në darkë “rroftë Edi Rama”. Dikush duhet t’ i thotë Ramës që në Vlorë po abuzojnë me besimin që ju ka dhënë direkt apo indirekt disa njerëzve, të cilët me praktikat e tyre të punësimit e të qeverisjes, po rrisin dita ditës, pakënaqësinë e njerëzve, jo vetëm atyre të PS, sepse këta të fundit, janë tashmë të mohuarit e të zhgënjyerit e mëdhenj, me përjashtim të një pakice që është punësuar fal miqësive dhe “idhujve”të rinj. Dikush duhet t’ i thotë Ramës që edhe për këtë shkrim, do t’i vi ndonjë e-mail apo në vesh e t’ i thotë gjëra që do ta largojnë nga e vërteta e asaj se çfarë po ndodh në Vlorë