Deputeti Petro Koçi: Emiratet Arabe kthehen në strehim për kokat e krimit, duhet marrëveshje për ekstradim drejt Shqipërisë

52
Sigal

Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi të martën me dakordësi të plotë mes mazhorancës dhe opozitës, dy marrëveshje ndërkombëtare në fushën e sigurisë. Konkretisht, u miratua marrëveshja për ratifikimin e konventës ndërkombëtare për shtypjen e akteve të terrorizmit bërthamor dhe ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në luftën kundër krimit me qeverinë e Mbretërisë së Arabisë Saudite. Marrëveshjet u prezantuan në Komisionin për Çështjet Ligjore nga zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ku një prej tyre kishte të bënte me ratifikimin e konventës ndërkombëtare për shtypjen e akteve të terrorizmit bërthamor dhe marrëveshja e dytë me ratifikim të marrëveshjes me Mbretërinë e Arabisë Saudite, që synon se do të ndihmojë vendin tonë në luftën ndaj krimit të organizuar. Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi i vlerësoi si mjaft të rëndësishme të dyja marrëveshet, por theksin e vuri tek marrëveshja me Arabinë Saudite, ku solli në vëmendje çështjen e ekstradimeve të elementëve kriminalë, që strehohen në vendet arabe. “Ratifikimi i marrëveshjes për aktet e terrorizmit bërthamor është mjaft i rëndësishëm. Edhe marrëveshja me Arabinë Saudite është pozitive dhe nuk cënohen të drejtat e njeriut. Edhe pse Arabia ka ndryshime thelbësore me Shqipërinë, sa i takon kuptimit të të drejtave të njeriut”,- tha Koçi. “Kjo marrëveshje hap po ashtu edhe mundësinë e bashkëpunimit për luftën ndaj krimit. Shpesh Emiratet e Bashkuara Arabe kthehen në strehim për kokat e krimit, dhe pikërisht me Emiratet Arabe duhet një marrëveshje sa më efektive, që krerët e grupeve kriminale, që strehohen atje, të ekstradohen drejt Shqipërisë”, -theksoi Koçi. Nga ana e tij Lamallari tha për këtë marrëveshje se ajo- “U nënshkrua në shkurt të këtij viti nga Ministri i Brendshëm dhe homologu i Mbretërisë së Arabisë Saudite. Marrëveshja rrit bashkëpunimin bilateral, në kuadër të shkëmbimit të informacionit mes dy vendeve”, -tha Lamallari. “Marrëveshja ka fokusin tek personat e dënuar apo arrestuar për ato vepra penale që përmenden në marrëveshje, krimi organizuar dhe terrorizmi. Konkretisht, – shtoi Lamallari, – janë 18 vepra penale në total, që saktësohen tek ‘ neni 1’ i marrëveshjes. Sipas tij, marrëveshja cakton dhe rregullat dhe garancitë që marrin të dyja vendet nga zbatimi i saj.