Deputeti i PS-së, Besnik Bare: A do ketë efekt ky gjyq në aktivitetin e “Shell” në Shqipëri?

323
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Një nga kompanitë më të mëdha në botë, “Shell”, ka humbur gjyqin në lidhje me problematikën mjedisore të ndryshimit të klimës. I veçantë është fakti se nuk bëhet fjalë për një ndotje të kryer më parë, por për ndotjet që do të kryejnë në të ardhmen. “Shell” kishte parashikuar që të reduktonte gazet me efekt serë deri në 2030 me 20%. Një gjykatë në Hagë, ka vendosur që është e pamjaftueshme, duhet në 2030 të reduktohet 45%. Ky vendim do të zbatohet në Hollandë dhe Angli. Larisa Alwin që kryesonte këtë gjykatë pohoi: “Nëse qeveritë bëjnë pak ose aspak, kompanitë kanë përgjegjësinë të respektojnë të drejtat e njeriut”. Dihet se e drejta për të jetuar në një mjedis të pastër, të pandotur është e sanksionuar edhe në Kushtetutën Shqiptare. Nëse një kompani që favorizohet nga një qeveri, apo qeveria tregon paaftësi për të ndërhyrë, komuniteti ka të drejtë t’i kërkojë dëmshpërblim për ndotjen. Rasti më flagrant është ajo që ndodhi para disa vitesh me “Bankers” në Patos-Marinzë, kur shpërtheu një pus dhe u çliruan sasira të konsiderueshme komponimesh organike volatile dhe gaz sulfhidrik, ky i fundit edhe nervoparalizues. Po të ndodhte ai aksident në Hollandë, gjoba do ishte dhjetra miliona dollarë. Precedenti i gjykatës së Hagës do hapë një faqe të re në historinë e të drejtave të njeriut. Lind pyetja, a do ketë efekt ky gjyq në aktivitetin e “Shell” në Shqipëri?

Kompania  “Bankers Petroleum” shkatërron shtëpitë e banorëve dhe mjedisin, askush nuk e ndal

Ka dhjetëra vite që kompania “Bankers Petroleum” kryen aktivitetin e saj në zonat naftëmbajtëse të Fierit dhe me veprimtarinë e saj, ka shkatërruar dhjetëra shtëpi banimi në ato zona, me anën e shpërthimeve të nëndheshme në puse, si edhe ka kryer krim mjedisor, me ndotjet e mjedisit, nga nënproduket e naftës, të cilat dalin e derdhen në sipërfaqe të tokës. Mirëpo, deri tani, asnjëherë kompania “Bankers Petroleum” nuk ka mbajtur përgjegjësi ligjore dhe nuk ka dëmshpërblyer banorët për dëmet e madha që u ka shkaktuar.

Fier, shpërthejnë 2 puse nafte në Marinzë, të bllokuar që më 27 shkurt. Nis procedimi penal ndaj “Bankers”

Në 1 Prill 2015  orën 16:22, dy puse nafte shpërthyen, në fushën naftëmbajtëse Patos-Marinzë, në Fier, shumë pranë zonave të banuara, ndërsa pas tyre janë krijuar dhjetra vatra që çlirojnë gaz. Pas shpërthimit, në ajër janë shpërndarë re të mëdha tymi dhe erë gazi johelmues, ndërsa nga nëntoka ka shpërthyer nafta e uji. Nafta e uji kanë përmbytur rrugët. Shpërthimet kanë shkaktuar panik dhe pasiguri tek banorët, pasi rrezikohen banesat e fshatit, të cilat ndodhen shumë pranë vendeve të shpërthimit. Fatmirësisht nuk ka pasur njerëz të lënduar nga shpërthimi, ndërkohë që po punohet për evakuimin e banorëve. Sipas të dhënave të para mësohet se pusi që ka shpërthyer ështe pjesë e fondit të ndalur i kompanisë “Bankers”. Shpërthimi ka ndodhur gjatë një tentative për ta vënë atë në punë. Banorët ankohen se në gjithë zonën ka shpërthyer tymi dhe era e keqe e gazit. Ata thonë se kanalet janë mbushur me ujra të pista si pasojë e shpërthimit dhe kanë frikën edhe të ndotjes së banesave. Si pasojë e shpërthimit është bllokuar rruga Fier-Marinzë, ndërsa është mbyllur edhe shkolla, e cila ndodhet shumë pranë vendit të ngjarjes.

Policia e Fierit ka deklaruar se do të ketë procedime penale ndaj kompanisë “Bankers”

Policia e Fierit ka deklaruar se do të ketë procedime penale ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” për thellësinë e shpimeve dhe distancën nga banesat. Sëbashku me Prokurorinë e Fierit, ajo ka nisur hetimet për shpërthimin e puseve të naftës në Marinëz, pasi punimet janë vijuar nga firma edhe pse ishin pezulluar. Mirëpo deri më sot, asnjëherë nuk është çuar në gjyq kompania “Bankers Petroleum” për këto krime mjedisore, ndotje të mëdha të natyrës në fshatrat ku nxjerr naftë.

ISHM  vendos pezullimin e aktivitetit të “BANKERS PETROLEUM”

Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit ka reaguar pas shpërthimeve të puseve të naftës në zonën e Marinzës duke i pezulluar aktivitetin kompanisë “Bankers Petroleum”. “ISHM ka vendosur pezullimin e aktivitetit të kompanisë, deri në paraqitjen e planit të menaxhimit të mbetjeve, rivlerësim të raporteve të ndikimit në mjedis, dhe rishikimin e kushteve të lejes mjedisore”, thuhet në deklaratë.