Vepror Hasani: Kur breshëri dëmton prodhimin, quhet sukses shitja e mollës për lëngje!

412
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Prodhuesi i mollës në Korçë, 30 vjet në mëshirë të fatit

Qeveria nuk iu subvencionon as rrjetat mbrojtëse antibreshër

Prej 30 vjetësh, prodhuesi i mollës në qarkun e Korçës: (Korçë, Pogradec, Devoll dhe Kolonjë),  në raste fatkeqësish të faktorëve atmosferikë, kryesisht nga breshëri, gjithnjë e gjen veten në mëshirë të fatit, pa asnjë ndihmë nga qeveria. Për këtë arsye, që nga dita e parë e ardhjes së pranverës dhe deri ditën e fundit të muajit shtator kur mblidhet molla, i duhet t’i mbajë sytë nga qielli dhe t’i lutet Zotit çdo mëngjes e mbrëmje që mos dërgojë breshër në pemtoret e tyre, sepse qeveria nuk i ndihmon as për blerjen e rrjetave mbrojtëse antibreshër, e cila do t’i shpëtonte njëherë e mirë. Sipas fermerëve të qarkut Korçë, rrëmbimi i prodhimit nga breshëri përbën një nga fatkeqësitë më të tmerrshme për ta. Rënia e breshërit përgjithësisht zgjat pak,  nga 5 deri deri në 15 minuta, por kur moti qetësohet, fermerët vrapojnë drejt parcelave të shohin tmerrin e ndodhur me sytë e tyre. Pamja është gjithnjë e njejtë: nëse pemët janë në lulëzim, lulëria e tyre është dëmtuar krejt, nëse molla është në prodhim, molla nuk vlen më as për shitje brenda vendit dhe as për eksport; nuk është më e denjë as për t’u ruajtur në frigoriferë.

Fermerët qajnë me ngashërim si fëmijë

Në raste të tilla, fermerët ulen në anë të pemtoreve dhe qajnë me ngashërim siç qajnë fëmijët e vegjël. Dëmtimi i tyre është maksimal. Përgjithësisht familjet prodhuese të mollëve në qarkun e Korçës,  kanë nga 3 e më shumë hektarë të mbjella me mollë, nga të cilat arrijnë të marrin 700-800 kv mollë, shpenzimet e tyre shkojnë deri në 700-800 mijë lekë.  Ka fermerë të tjerë me sipërfaqe më të mëdha mollësh, të cilët shpenzojnë deri në 1.2 milionë lekë. Të gjitha këto pas dëmtimit nga breshëri shkojnë humbur, shumëzohen me zero. Por që të vijojnë punën për vitin e ardhshëm u duhen përsëri 700-800 mijë lekë të tjera, po ku t’i gjejnë? Rrënimi i tyre do të zgjatë në kohë, moskujdesi nga ana e qeverisë i bën ata të zvarriten për aq kohë, deri sa të rimëkëmben. Kështu ndodhi edhe në gushtin e vitit të kaluar. Dhe e keqja nuk përfundon këtu, sa herë ka rreshje të fuqishme breshëri, dëmtohet edhe domatja, speci, fasulja dhe perime të tjera, kjo e rëndon edhe më tepër gjendjen financiare të prodhuesit të mollës, sepse edhe ato që kishte mbjellë për familjen e tij, nuk i ka më.

Një rrjetë antibreshër dhe mundimet marrin fund

Që të gjitha këto të mos ndodhin, që prodhuesi i mollës të mos zvarritet dhe ringrihet herë pas herë, i mjafton një rrjetë mbrojtëse antibreshër, siç ndodh në gjithë botën. Por sa përqind e sipërfaqes së mbjellë me mollë është e pajisur me rrjetë antibreshër? Të dhëna statistikore nuk ka, ose nuk janë bërë të njohura. Nga informacioni që kemi rezulton se vetëm 20%  e sipërfaqeve të  mbjella me mollë janë të mbrojtura nga kushtet atmosferike siç është breshëri, kurse pjesa tjetër, 80% e saj, është lënë në mëshirë të fatit. Po atëherë përse është qeveria, vetëm për mbledhje taksash?!  Çdo qytetar paguan që t’i rikthehet në një formë tjetër. Miliona e miliona lekë rrëmbehen nga breshëri, sepse  rrallë ndodh që Korça ta kalojë pranverën ose vjeshtën pa një stuhi të fuqishme breshëri. Madje, nga sa është vërejtuar nga vetë fermerët, kushtet klimaterike janë përkeqësuar nga viti në vit.  Humbjet nga breshëri evidentohen në gjithë hapësirën e qarkut Korçë, që do të thotë se dëmet janë kolosale.

Na duhet t’i braktisim fshatrat

Prodhuesit e mollës në qarkun e Korçës (në fakt kështu ndodh në gjithë Shqipërinë ku kultivohet molla), duket që nuk e kanë të mundur kryerjen e një investimi me rrjeta antibreshër, sepse situatave të tilla do t’u kishin paraprirë me kohë, pasi një pjesë e mirë e popullsisë të këtij qarku jetojnë me kultivimin e mollës. Gjithashtu nga fermerët e këtij qarku mësohet se edhe ajo pjesë e mollëve që i shpëton breshërit, shitet nën kosto sepse është dëmtuar nga goditjet që ka marrë, në rast të tilla çdo kokërr molle ka disa goditje që e bën atë të mos jetë as e pëlqyeshme vizualisht. Për këtë arsye, kjo pjesë e mollëve shitet për lëngje me çmime mjaft të ulta, të cilat japin të ardhura të pakta, ndërsa mungojnë subvencionet. Për të gjitha arsyet e përmendur më sipër, prodhuesit e  frutave në qarkun e Korçës, pohojnë se ndihen të lodhur, shumëkush i preu mollët me sëpatë, dikush i shkuli me rrënjë sepse më shumë shpenzonin se fitonin. Tashmë ka filluar të qarkullojë ideja se në fshatin shqiptar nuk jetohet më, emigrimi drejt vendeve të tjera mbetet më i favorshëm, madje mund të jetosh në çdo fshat tjetër të botës, por jo në Shqipëri, ku vazhdimisht mbetesh debitor. Vetem 5 minuta breshër të heqin 5 milionë lekë të vjetra nga xhepi. Aktualisht edhe shitja e mollës për lëngje ka pësuar rënie. Gjithçka po merr tatëpjetën.

Sa herë breshëri dëmton mollën, statistikat nxjerrin në pah shitjen e mollës për lëngje

Sipas Drejtotrisë Rajonale të Eksporteve, gjatë këtij 5-mujori, krahasuar me vitin e kaluar, për të njëjtën periudhë, eksporti i mollës për konsum është ulur ndjeshëm. Nga 1875 tonë mollë që u eksportuan një vit më parë, këtë vit u eksportuan vetëm 285 tonë. Po kështu edhe molla industriale ka pësuar ulje: nëse në vitin 2020 u eksportuan 654 tonë mollë industriale, këtë vit, deri më tani, janë eksportuar 400 tonë. Zbritja e shifrave nuk stimulohet vetëm nga breshëri por edhe nga prodhuesit e mollës të vendeve fqinj, të cilët mbështeten financiarisht nga qeveritë e tyre. E njëjta dukuri vihet re edhe në krahasimin mes viteve 2020 dhe 2019. Nëse për vitin 2020 u eksportuan 2800-3000 tonë mollë për lëngje dhe shampoo. Sipas specialistëve rritja e  e eksportit për mollën industriale erdhi për shkak të breshërit, veçanërisht në zonën e Devollit, ku breshëri ishte vërtet një katastrofë. Gjithashtu, për shkak të breshërit, sasia e mollës për konsum zbriti në nivelet më të ulta, e cila në në kushtet atmosferike normale, shkon mbi 2000 tonë.

Pra, vetëm pse qeveria nuk ndihmon për sigurimin e rrjetave antibreshër, prodhuesit e mollës janë të detyruar të falimentojnë, ndoshta duhen edhe 30 vjet të tjera që qeverisja jonë të bëhet evropiane.