Demokratët depozitojnë në kuvend projekt-ligjin për rritjen e pensioneve deri 300 euro, Bardhi: Tregues i një shoqërie të emancipuar

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dorëzoi të martën në Kuvend propozimin e së djathtëve të opozitës, atë të një projekt-ligji për rritjen e pensioneve në masën minimale 300 euro deri në vitin 2029. Përmes një njoftimi Gazment Bardhi tha se trajtimi i pensionistëve është tregues i një shoqërie të emancipuar. “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka ndërmarrë një nismë ligjore që synon rritjen e pensioneve minimale, veçanërisht pensionistëve në zonat rurale, duke vendosur një standard minimal të masës së përfitimit, pavarësisht llojit të pensionit, si dhe duke zhbërë ato parashikime ligjore që e kufizojnë të drejtën e përfitimit të pensionit me tërheqjen ose jo të tij gjatë tre viteve të fundit. Trajtimi dinjitoz i një prej shtresave më vulnerabël të vendit është një tregues i një shoqërie të emancipuar, në paqe sociale dhe ku vlerësohet drejt puna dhe sakrificat shumëvjeçare të bashkëqytetarëve tanë. Konkretisht, ndërhyrja në ligj synon që të vendosë një standard minimal për masën e përfitimit të pensionit në vendin tonë, pavarësisht llojit të këtij pensioni, duke filluar nga viti 2024 në masën e pensionit mesatar rreth 18 mijë lekë dhe duke vijuar në progresion rritës për 5 vitet e ardhshme, me qëllim që në vitin 2029 të mos ketë pensione më të ulëta se 32 mijë leke (rreth 300 euro).” – thuhet në njoftimin e ndarë për mediat.

NOA