Dako përuron rrugën e Marinës: Shërbimi ndaj qytetarit motoja jonë

463
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka përuruar përfundimin e punimeve të rrugës “Marina”, e cila do të shërbejë për mijëra qytetarë që jetojnë aty, por jo vetëm. Gjatë takimit me banorët e lagjes 8 dhe 15, Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, për bashkinë e Durrësit është zotuar para banorëve se motoja e punës së tij është shërbimi ndaj qytetarëve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. 
Banorët, nga ana e tyre e kanë falenderuar kreun e Bashkisë, për këtë investim kaq të rëndësishëm të kryer në përmirësimin e infrastrukturës së kësaj zone. Krahas përmirësimit të infrastrukturës rrugore në këtë zonë është investuar dhe në rrjetin e ujit të pijshëm. Tashmë, banorët e kësaj zone, falë investimeve të kryera nga Bashkia e Durrësit do të furnizohen normalisht me ujë të pijshëm pas 18 vitesh mungese të tij. 
“Jemi sot këtu në një lagje ku janë kryer investime në rikontruksionin e rrugës Marina dhe në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit duke i dhënë fund problemit të ujit të pijshëm në këtë zonë. Ky model i punës së kryer për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, do të jetë prioriteti ynë edhe për zonat e tjera që janë pjesë e Bashkisë së Re të Durrësit për 4 vitet e ardhshme” .Rruga e Marinës është rikonstruktuar me fondet e Bashkisë së Durrësit në një vlerë prej 6.6 milion lekë dhe janë kryer të gjitha kanalizimet dhe është shtruar 3200 metër katror asfalt duke i ardhur në ndihmë mijëra banorëve të lagjeve 8 dhe 15.
Sigal