Nëse nesër ka zgjedhje, çfarë do të bëjë opozita?/ Ja çfarë përgjigje jep Lulzim Basha

417
Sigal

Gjatë një interviste për gazetën ‘Mapo’ kreu i PD-së, Lulzim Basha është pyetur edhe nëse opozita është e gatshme, që të hyjë në zgjedhje të parakohshme që ditën e nesërme.

Sipas Bashës opozita është e gatshme për zgjedhje të parakohshme kurdo që të zhvillohen ato, por duke pasur të njëjtin kusht që është vënë që nga 16 shkurti i këtij viti kur, braktisën parlamentin.

Pjesëmarrja në farsën e 30 qershorit nuk kishte lidhje me gatishmërinë tonë për zgjedhje, por me standardet që i ofroheshin qytetarëve. Ne kemi qenë gati për të marrë pjesë në zgjedhje nëse ato do të kishin garancitë minimale për të siguruar votën e lirë, të fshehtë, të pandikuar, të pakërcënuar e të pashantazhuar të qytetarëve shqiptarë.

Por, siç e tha dhe ODIHR, 30 qershori nuk kishte lidhje me qytetarët shqiptarë dhe interesat e tyre. Çdokush e pa se si edhe kur vetë kandiduan, vetë votuan, vetë numëruan, Edi Rama dhe veglat e tij, prapë abuzuan dhe tjetërsuan çdo hap të procesit. Ajo që ne kemi kërkuar prej ditës së pare, kanë qenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, garantimi i votës.

Sot kemi në krahun tonë edhe aleatët perëndimorë. Por përpara 30 Qershorit, ne nuk kishim një dokument të Bundestagut që njihte krizën politike dhe që kërkonte zgjidhjen e saj, nëpërmjet një reforme elektorale që garanton zgjedhje të lira e të ndershme.

Thelbi i kërkesës kryesore të opozitës janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Ne jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje që nesër me të njëjtin kusht që kemi pasur prej 16 Shkurtit- garantimin e lirisë së votës për shqiptarët. Këtë duhet ta bëjë një qeveri kujdestare, që ka vullnetin për të përmbushur rekomandimet e ODIHR dhe kushtet e Bundestagut’, ka deklaruar Basha për këtë dilemë.