Cenimi i jetës së qytetarëve, kërcënim i madh për shoqërinë

459
Sigal

Forumi Civil 2010/ Shqetësim për rritjen kriminalitetit

Duke u përjetuar çdo ditë e më shumë në vendin tonë një situatë kritike, që karakterizohet nga cenimi masivisht i jetës së qytetarëve, Forumi Civil 2010 u mblodh dje për të ngritur zërin mbi shtimin e këtij lloj kriminaliteti në të gjithë hapësirën tonë gjeografike dhe përfshirjes së të tëra formave të tij, deri tek ato më makabret. Në takimin e djeshëm të Forumit merrnin pjesë jo vetëm anëtarët e tij dhe ish-Presidentët e Republikës, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, por edhe të ftuar gjithashtu me personalitet të njohur e kontribut të vyer në fushën e jurisprudencës, sigurisë publike, ekonomisë, sociologjisë, psikologjisë, kulturës dhe mediave. Gjatë diskutimeve të tyre u vu gishti në plagën aktualisht më të dhimbshme të shoqërisë shqiptare, duke analizuar arsyet dhe motivet që e kanë shkaktuar atë. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Vvollfarth, i cili ishte pjesëmarrës në këtë takim, gjatë fjalës së tij vuri në dukje që sigurinë e jetës, të personit, disa nuk e ndjejnë kur ajo ekziston, por të gjithë e ndjejnë kur ajo mungon. Në këtë kuadër, pandëshkueshmëria nuk mund të pranohet, kur shkelet ligji. Të gjithë të ftuarit theksuan njëzëri atë çka i bashkon këto krime në shumicën e rasteve, që është kryerja e autorëve të tyre me vetëdije të plotë dhe vijimësi të pandërprerë. Kjo dukuri tepër e zymtë ndikon në rritjen e vazhdueshme të shqetësimit të kthyer tashmë në një ankth që ka përfshirë mbarë publikun, duke krijuar kaos dhe turbullira sociale, të cilat bëhen kështu një kërcënim i madhe për shoqërinë tonë.

Nga deklarata

Në kuadër të rezultateve regresive në disa fusha të zhvillimit të vendit tonë, situata gjithnjë e më kritike karakterizohet nga cenimi i jetës së qytetarëve. Kjo dukuri, sidomos gjatë këtij viti, është bërë jashtëzakonisht tronditëse dhe me spektër të gjerë jo vetëm nga përmasat masive që ka marrë ky lloj kriminaliteti në pothuajse të gjithë hapësirën tonë gjeografike, por edhe nga përfshirja e gjithë formave të tij: që nga plagosjet me pasojë gjymtimin e fizikut të plot njerëzve, deri te humbjet e jetëve të tyre nëpërmjet ushtrimit të një agresiviteti të shkallëve më të larta. Nga statistikat zyrtare dhe nga ato të përftuara prej publikimeve mediatike mësohet, se vetëm gjatë vitit 2012, janë regjistruar disa qindra vrasje të qytetarëve, plagosje të rënda të atyre që nuk kanë mundur të mbijetojnë, përpos plot aksidenteve të përditshme që nuk kanë kursyer marrjen e jetëve të udhëtarëve. Deri tani nuk mungojnë as vrasjet e grave në plot 21 raste, më shumë se gjysma e të cilëve të ndodhura gjatë tre muajt e fundit. Në këto kushte, Forumi Civil 2010 u bën thirrje të gjitha forcave politike dhe autoriteteve shtetërore që pa humbur aspak kohë të hapin mirë sytë përpara këtij realiteti, i cili përbën një kërcënim më të madh për mbarë shoqërinë shqiptare, të reflektojnë me ndjenjën e thellë të përgjegjësisë për mbrojtjen e interesave publike, duke shqyrtuar seriozisht problemet e lindura në këtë drejtim dhe duke u dhënë këtyre zgjidhje komplekse të efektshme.

APELI I ISH-PRESIDENTIT ALFRED MOISIU

Forumi bën apel që të përqendrohet vëmendja e shtetit, organeve shtetërore, medias dhe e shoqërisë civile në rritjen e kujdesit dhe përgjegjësisë për jetën e shqiptarëve, e cila po vazhdon të rrezikohet çdo ditë e çdo orë dhe po e bën jetesën e shqiptarëve të pasigurt, jo vetëm në vendet e izoluara por edhe në qendrat e metropoleve kryesore shqiptare. Çdo ditë lajmet e mediave tona hapen me kronika të zeza, veçanërisht kohët e fundit ato janë bërë të përditshme. Krimi nuk po ka më frikë as nga ligji, dhe as nga shteti, ai nuk i trembet asgjëje. Ai po e ndjen veten të patrazuar kudo dhe në çdo qoshe. Krimi po merr revansh të rrezikshëm. Në mënyrë të veçantë janë të rrezikuara femrat shqiptare. Ato nuk kursehen as nga hajdutët e vegjël të bizhuterive dhe as nga feministët e ndryshëm duke u vrarë dhe therur sikurse të ishin kafshë. Në këto situata kemi të drejtë të shtrojmë pyetjen ku po shkojmë, drejt Europës apo drejt mesjetës! Kemi të drejtë të themi ku është shteti? Për të cilin gjithë shqiptarët paguajnë taksa që ai t’i mbrojë dhe t’i sigurojë! Po na krijohet përshtypja sikur shteti ynë është strukur në llogoren e vet, dhe shikon interesat e veta, të shkëputura nga interesat e qytetarëve! Nuk po shohim asnjë pushtetar të rëndësishëm ose ministër, pa folur për Kryeministrin apo shtetarët e tjerë të lartë, të shprehin indinjatën e tyre ndaj zinxhirit të krimeve, të cilat shpesh arrijnë në kufijtë e llahtarisë. Ky qëndrim i heshtur i shtetit, mund të merret si pranim dhe inkurajim i tërthortë i barbarisë që po dominon këto kohë qytetet dhe fshatrat tona! Pra kemi të drejtë të pyesim, si është e mundur që në këtë vit jubilar krimi të bëhet aq i guximshëm dhe të mos ketë frikë as nga Ligji dhe as nga shteti!!