Opozita nuk ka kurajo të thotë: CEZ, ik!

585
Sigal

Edhe PS-ja, sikurse edhe qeveria e Berishës janë pengje të interesave të CEZ-it, ndaj nuk mund të veprojë ligji

Sekretari për Sipërmarrjen në Partinë Socialiste, Arben Ahmetaj, akuzoi sërish dje qeverinë për humbjet në sistemin energjetik, siç i quajti ai. Ahmetaj akuzoi, gjithashtu,  qeverinë se ka fshehur dokumentet për favorizimin e OSSH-së dhe se qeveria mbylli sytë, ERE favorizoi CEZ-in. Madje, për t’u dukur më bindës, deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, ka publikuar se piramida qeveri-CEZ i ka kushtuar konsumatorit shqiptar të energjisë elektrike mbi 1,2 miliardë euro/ Mirëpo, PS-ja- sigurisht edhe sekretari për Sipërmarrjen në PS,  Arben Ahmetaj, nuk kanë thënë më kryesoren e politikës. A është dakord PS-ja që CEZ-it t’i hiqet licenca dhe duhet ta ndjekin sa më parë nga Shqipëria? Gjithë oponenca e ditëve të fundit të PS-së, është një zhurmë propagande, pa brendi, derisa nuk mban një qëndrim të prerë politik.  Ç’duhet bërë me CEZ-in? Përse PS-ja, deri tani ka heshtur përballë abuzimeve piramidale të CEZ-it? Para disa kohësh, Ilir Beqja, duke denoncuar abuzimet e CEZ-it, u zotua publikisht se, do t’i çonte faktet në gjykatë, për padi penale. Mirëpo, PS-ja u tërhoq, përballë presionit e dallavereve interesash të CEZ-it,  sikurse pohon edhe Altin Goxhaj, Kryetari i ZMK-së: “Një ditë më pas, selinë e PS-së e vizitoi drejtori i përgjithshëm i CEZ-it dhe pas asaj dite, PS-ja u tërhoq nga deklarimi për të bërë padi CEZ-it. Madje, më vonë, edhe deputeti Ilir Beqja humbi edhe mandatin  e deputetit. Ka ndonjë lidhje humbja e mandatit të Ilir Beqja me vizitën e Drejtorit të CEZ-it në selinë rozë? Drejtori i ZMK-së, Altin Goxhaj, këtë pyetje e bëri publike, por përgjigje nuk është dhënë. Në kësi rastesh, heshtja flet më shumë se…fjalët!  Edhe në Ceki, u shkarkua një zv/ministër, i cili guxoi dhe kritikoi CEZ-in në Çeki”. Pyesim: A ka interesa të përbashkëta PS-CEZ? Si mund të shpjegohet sponsorizimi i CEZ-it ndaj sajteve dhe disa mediave që janë pranë PS-së? Është një rastësi e shkëputur nga lidhjet PS-CEZ sponsorizimi ekonomik i CEZ-it për mediat që janë  edhe pranë PS-së? Ku është deputeti i PS-së, Shalsi e të kërkojë e të shpjegojë mos ndoshta është rastësi që në disa sajte dhe gazeta- që  çuditërisht, janë edhe  pranë PS-së-  CEZ-i sponsorizon miliona e miliona lekë reklamë? Thua, që një kompani si CEZ-i të jetë kaq hovardare në sponsorizimet selektive  të reklamave të veta? Tashmë PS-ja dhe deputeti i saj Arben Ahmetaj, sikur janë zgjuar nga gjumi letargjik i plogështisë politike dhe po bëjnë thjesht …propagandë, thua se tërë këto vjet, PS-ja nuk jetonte me realitetin e ankimeve dhe të shqetësimeve të qytetarëve shqiptarë, që po vidhen sistematikisht dhe nuk gjejnë dot një mbrojtje përballë mafies të CEZ-it.  Apo, mos oponenca e PS-së kundër CEZ-it ka të bëjë me prishjen e interesave ekonomike midis tyre? Pyesim,  fakte konkrete nuk  kemi dhe presim ndonjë përgjigje, që të përgënjeshtrohemi. Në tërë lumin e oponencës të PS-së ndaj CEZ-it, nuk gjen dot edhe një fjalë të vetme për të dhënë një përgjigje: A  duhet ndjekur sa më parë CEZ-i nga Shqipëria si një mafie ekonomiko-politike, që vjedh dhe poshtëron dinjitetin e gjithë shqiptarëve? Cila është alternativa e PS-së për opozitën që ushtron këto ditë ndaj CEZ-it? Apo thjesht bën zhurmë vetëm kundër qeverisë,  për të fituar ndonjë votë nga qytetarët e irrituar ndaj mafies CEZ në Shqipëri? Apo PS-së i intereson vetëm të kritikojë ERE-n dhe qeverinë për mafien e CEZ-it dhe nuk guxon që të prekë sadopak vetë CEZ-in? A zotohet PS-ja, që po të vijë në pushtet, në 2013-n, do ta ndjekë CEZ-in, për gjithë këto fakte të vjedhjeve dhe abuzimeve të CEZ-it ndaj shqiptarëve? Apo, ndonjë vizitë e drejtorit të përgjithshëm të CEZ-it, në selinë rozë- meqë e ka mësuar tashmë rrugën- do të mbyllë gojën PS-së, e do ta detyrojë që të ri-ri-ri…heshtë? Opozita e PS-së ndaj CEZ-it, e ditëve të fundit, u ngjan  serialëve të telenovelave sapunierë të tv-ve, që dihet, do të kenë një fund të …lumtur. Që do të thotë, që PS-ja të përfitojë ndonjë votë, meqë jemi në fushatë elektorale dhe nga ana tjetër, të përfitojë sa të mundet më shumë, nga thërrimet ekonomike të CEZ-it.

CEZ PRANON QË KA NDËRPRERË INVESTIMET. “MUND TË LARGOHEMI NGA SHQIPËRIA”

Prodhuesi më i madh i energjisë elektrike çeke ka komunikuar se po shikon mundësinë që të largohet nga Shqipëria, pasi nuk ka qenë e gatshme që të zgjidhë çështjet e hapura me qeverinë sa i përket tarifave dhe taksave të jashtëzakonshme. “Transparenca në tregun shqiptar nuk ekziston dhe CEZ ka mungesë të një partneri negociator në shtet”, deklaroi sot drejtuesi i bordit të CEZ, Tomas Pleskaç në një konferencë shtypi në Pragë. “CEZ mund të pretendojnë një garanci prej 60 milionë euro nga Banka Botërore”, tha Pleskaç, duke shtuar se kompania çeke në Vjeshtë ndaloi të gjitha investimet në Shqipëri.  Pra, CEZ-i kërkon që të rimarrë garancinë prej 60 milionë euro, që ka në Bankën Botërore, në bazë të kontratës që ka nënshkruar me shtetin shqiptar, duke harruar miliardat e eurove që ka përfituar, duke vjedhur e abuzuar në mënyrën më të paskrupullt në tërë këto vite në Shqipëri. Portali, “BloombergBusinessëeek”, shkruan se marrëdhëniet mes shërbimeve çeke dhe qeverisë shqiptare është përkeqësuar deri pikën sa ta bëjë ndryshime në pozicionet e Bordit të saj Mbikëqyrës dhe Bordit të Drejtorëve nëpërmjet sjelljes së ekspertëve të pavarur nga SCHINDLERS, një kompani me bazë në Mbretërinë e Bashkuar dhe me përvojë të gjatë në negociatat strategjike.