Cameron, Merkel, Rutte dhe Rusnok: Ja përse votuam “JO” për Shqipërinë

486
Sigal

Kryeministrat e BE-së: Nevojiten rezultate konkrete nga qeveria e re shqiptare!

 Kryeministri i Britanisë, Devid Kamerun, ai i Holandës Mark Rut, kancelarja gjermane Angel Merkel  dhe Kryeministri çek  Rusnok, në Samitin e BE-së, të mbajtur dje shpjeguan se refuzimi i statusit kandidat Shqipërisë, kishte si arsye nevojën e rezultateve konkrete nga qeveria e re. Por veç luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, samiti ka nxjerrë në pah edhe faktin se Shqipëria duhet të tregohet shumë e kujdesshme për situatën ekonomike.

 Mark Rutte, Kryeministri i Holandës: Sigurisht që, Shqipëria s’është gati tani për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Po ajo që i kërkojmë vendit aktualisht është që të zbatojë reformat për të cilat është angazhuar. Një vend mund të adoptojë një legjislacion  të mirë, por është tjetër gjë që ta zbatosh këtë atë. Ky është qëndrimi ynë. Ne kemi vendosur që më parë që në 1999-n që ky vend ka një perspektivë europiane, ashtu si gjithë rajoni i Ballkanit. Por për procesin e integrimit, ka kushte për t’u përmbushur nga këto vende. Deri tani, Shqipëria ka angazhime të mira në letër, por ne duhet të shohim, se si do t’i zbatojë ajo këto angazhime.

 David Cameron, Kryeministër i Britanisë së Madhe: Ne aktualisht s’e mbështesim statusin e kandidatit për Shqipërinë. Duhet të mos harrojmë, që para se të bëhesh anëtar ka shumë shkallë për t’u ngjitur. Unë takova Kryeministrin e Shqipërisë. Ai po bën përpjekje për të reformuar vendin e tij, por duhen ende hapa para, para se të vijë momenti i duhur për akordimin e statusit të kandidatit. “Ne duhet të shfrytëzojmë shkallët e integrimit që të inkurajojmë vende si Shqipëria që të zbatojnë masa kundër korrupsionit, të zbatojnë masa kundër krimit të organizuar dhe të zbatojnë praktikat e duhura për forcimin e  shtetit ligjor. Ne duhet të sigurohemi që anëtarësimi i një vendi të kthehet në një politikë të suksesshme dhe kjo vlen, edhe për rastin e Shqipërisë. Unë jam pro zgjerimit të Bashkimit Europian. Mendoj, se zgjerimi është një nga forcat më të mëdha të BE-së dhe ai ka dhënë prova si një projekt i stabilitetit, prosperitetit dhe progresit në të gjithë kontinentin. Por ne duhet të pranojmë që Bashkimi Europian i sotëm është shumë i ndryshëm nga Komuniteti Europian 50 vjet më parë. Baballarët e Bashkimit Europian nuk e kishin menduar, se anëtarësimi i vendeve të reja do të nxiste lëvizje masive të popullatave përreth kontinentit. Kur mendojmë  që vende si Serbia dhe Shqipëria do të bëhen një ditë anëtare, ne duhet të ngadalësojmë deri në maksimum hapjen e tregut tonë të punës ndaj këtyre vendeve, deri sa të sigurohemi se nuk do të ketë emigracion masiv nga këto vende në BE. Kjo është ajo që u thashë liderëve europianë sot. Ne duhet ta transformojmë lëvizjen  e lirë të personave në një strukturë më të ndjeshme, duke mos lejuar që kjo të kthehet në një të drejtë pa kushte.

Angela Merkel, kancelarja gjermane: Për Shqipërinë, ne adoptuam dy qasje: Së pari, mirëpritëm progresin që është bërë nga vendi. Është një progres i dukshëm, por para se të vendosim për statusin e kandidatit, ne do të dëshironim që të shihnim zbatimin. Para se të vendosim në samitin europian për statusin, ne do të presim raportin e Komisionit Europian për të parë nëse do të ketë progres për zbatimin e reformave për të cilat është angazhuar vendi.

 Rusnok: Do vendosim veton për Shqipërinë nëse nuk njeh borxhin ndaj CEZ-it

Kryeministri i Çekisë, Jiri Rusnok, ka deklaruar se do të vendosin veton për Shqipërinë. Ai tha se, nëse Këshilli i BE-së do të votonte për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, Çekia nuk do të pranonte për shkak të çështjes “CEZ”. “Ishte një shpronësim i paprecedentë i kompanisë. Besojmë se do të fitojmë në arbitrazh”, është shprehur Rusnok.  “I kam thënë Kryeministrit të Shqipërisë, se nëse nuk njeh borxhin, me keqardhje do të bllokoj marrëveshjen me BE-në. Diçka e tillë nuk është e këndshme, por nëse nuk na japin paratë nuk tërhiqemi”, ka shtuar më tej ai. Kështu Kryeministri Rusnok ka paralajmëruar për pengesën që e pret Shqipërinë për vendimin rreth statusit të vendit kandidat në muajin qershor.