Elmaz Sherifi: Në Shqipëri është kompromentuar rëndë moralisht politika

478
Sigal

Kryetari i LDP-së, Elmaz Sherifi, në intervistën për “Telegraf” thotë se, shkaqet e mosdhënies për herë të tretë të statusit kandidat, duhet t’i kërkojmë te sjellja politike e politikëbërjes tonë, pasi në Shqipëri është kompromentuar rëndë moralisht politika.

– Zoti Sherifi, kemi ne analiza realiste për mundësitë tona për afrimin me BE apo jo?

– Elitat politike trashëgojnë nga e kaluara spontanitetin në drejtimin e institucioneve dhe bindjen ndaj urdhrave, që mund të vijnë nga “njëshi”,” partia” dhe “interesi”. Kjo mendësi, e shndërruar në sjellje, nuk ka mundësuar që të kultivohet kultura e drejtimit që bazohet, mbi studime dhe standarde, që na njësojnë me vendet anëtare të BE-së. Përgjegjësia për studimet, strategjitë e zhvillimit dhe standardet, nuk konsiderohet detyrim i të gjithë faktorëve politik dhe jo politikë, por vetëm e subjektit politik që qeverisë vendin.  “Operatorët politikë”, bëjnë çfarë u thonë dhe pranojnë çfarë u kërkojnë, nga një stinë politike, në tjetrën. Ndërsa “shqiptarët e politizuar”, njëkohësisht dëshpërohen dhe gëzohen. Mendoj se, kjo është një ndër shkaqet që qeveritë e radhës, premtojnë se do e anëtarësojnë Shqipërinë në BE, dhe kur vendimi i BE-së është negativë, shkaktarët i kërkojnë në qarqet ekstremiste, që kanë aftësi ta” futin virusin” si piratët e internetit edhe në “kokën” e Merkelit!

– Politikëbërja jonë (maxhoranca dhe opozita e djeshme dhe e sotmja) a kanë bërë ato reforma që e afrojnë Shqipërinë në BE?

– Klasa politike e Shqipërisë është e “aftë” për sherrnaja politike”, por jo për analiza e studime. Politikëbërja e jashtme dhe e brendshme është njësuar me artin e llafologjisë akuzuese. Reformat konsiderohen të plotësuara, kur terminologjia konsumative “reformë”, përsëritet si vaktet e të ngrënit, pa ndryshuar realitetet që e lodhën shqiptarin, me padrejtësinë që vjen nga drejtësia, ryshfeti i zyrtarit dhe korrupsioni i politikanit. Vetëm në Shqipëri mund të gjesh modelin e shndërruar në standard, ku të akuzuarit, shndërrohen në garant të reformave dhe të drejtësisë sociale! Tashmë në Shqipëri, të akuzuarit akuzojnë akuzuesin, se kur ishte në pushtet akuzuesi vepronte si i akuzuari dhe nga ky “kor akuzuesish e të akuzuar” priten reforma dhe shanse që të bëhemi pjesë e BE-së!

– A mund të fajësohet tërësisht vetëm kjo maxhorancë e sotme, për mosmarrjen për herë të tretë të statusit?

 – Përgjegjësia është e të gjithë klasës politike, maxhoranca, ka “maxhorancën e përgjegjësisë”. Po nuk e vlerësoi si të tillë, dhe po nuk bindi me prova, se është për respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës, fitimi i statusit të vendit kandidat, mund të bëhet edhe më i largët se ditët e bukura të qershorit. Korrupsioni nuk zhduket duke e deklaruar si të rrezikshëm, aq më keq duke “dhënë porosi” se kush duhet dënuar. Korrupsioni nuk mund të luftohet, nga ata që e kanë krijuar. Le të kërkohet nga organet e drejtësisë dhe prokuroria që të zbatojnë ligjet, pa i ndikuar me porosi, ose presione për seleksionim. Nuk mund të ketë “drejtësi me dy standard”. Në Shqipëri është kompromentuar rëndë moralisht politika, prandaj nuk ka drejtësi.

– Me këtë shkallë korrupsioni, ne a mund të bëhemi pjesë e BE-së?

–  Pikërisht, shkalla e lartë e korrupsionit politikë, na mban larg nga BE-ja. Kancelarja Merkel nuk hezitoi ta deklarojë këtë fakt ditën e paraqitjes së qeverisë në Bundestang.

–  Mos vallë, kërkon BE-ja nga Shqipëria, që të fillojë  arrestimi i “peshkaqenëve” dhe jo i “cironkave”, duke filluar nga ministrat dhe kryeministrat, sikurse tha edhe zoti Vuljani?

– Nuk mund të bëhet një program se, cili duhet arrestuar dhe dënuar. Madje, e konsideroj të gabuar deklarimin me konferenca shtypi, se kush po dërgohet në prokurori. Akuzat bëhen publike, për të mashtruar zgjedhësit, që u është premtuar, se kur të vijmë në pushtet, do e fusim në burg këtë e atë. Ky nuk është drejtim shtetëror, por partiak dhe ka premise të dështojë, duke e rritur krimin, korrupsionin dhe varfërinë e shqiptarëve.

 – A duhet të mbahet një takim publik midis  Ramës dhe Basha për çështjet e integrimit, etj.?

– Kam qenë dhe jam kundër takimeve të “të parëve të fisit”, që përcaktojnë axhendën e institucioneve të shtetit. Në Shqipëri duhet të kultivohet kultura drejtuese konstitucionale dhe institucionale. Praktikat e deritanishme të “takimit publik të duarve” të “bajlozëve” e kanë dëmtuar shumë imazhin e vendit, dhe shqiptarët të konsiderohen nga BE-ja, si dikur nga “Fuqitë e Mëdha”, të paaftë të bëjnë shtetin dhe të vetë qeverisen. Le të mos e harrojmë “Krokodilin” e djeshëm, për të kuptuar situatat e sotme.

 – A i përmbush Kushtetuta jonë e tanishme kriteret europiane dhe me institucionet përkatëse dhe sjelljen përkatëse të politikës?

– Kushtetuta e Shqipërisë është me norma juridike që garantojnë funksionimin e shtetit të së drejtës. Moszbatimi i dispozitave të saj nga politika, mos respektimi i interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me normat dhe institucionet e Kushtetutës, është burimi i paligjshmërisë institucionale. Po nuk u kuptua kjo aksiomë juridike, do të thellohet edhe më shumë arbitrariteti institucional dhe cenimi i të drejtave themelore të njeriut

– Sa vërtetësi ka që Europa nuk është gati të zgjerohet këtej nga ne për arsye fetare, kulturore dhe ekonomike e sociale?

– Mendoj se nuk është qëndrimi politik i vendeve kryesore të BE për arsye fetare a kulturore që nuk fituam statusin, por realisht duhet të bëjmë progres në disa drejtime. Ne duhet t’i “imponohemi” Europës me sjelljen politike e institucionale dhe nivelin ekonomik që duhet të kemi, për shkak të resurseve shumë të zhvilluara, të burimeve njerëzore shumë të kualifikuara, por të pa rekrutuara, dhe ato gjeografike e natyrore. Duhet progres,  jo ndryshim, duhet ligjshmëri, jo anarki, duhet drejtësi ligjore, jo partiake. Pra të bëhemi të krahasueshëm, që të pretendojmë partneritetin.

– Faleminderit!

Të bëhemi europianë në mendësinë politike institucionale

 – A ekzistojnë dhe a janë të favorshme ekuilibrat e Fuqive të Mëdha aktualisht që shqiptarët të bëhen pjesë e Europës?

– Nuk është etike që mosdhënia e statusit të vendit kandidat të na shtyjë që marrëzisht ta krahasojmë vendimin e dhënë me vendimin e gjashtë fuqive të mëdha europiane, që nuk njohën padrejtësisht vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, që e shpalli Shqipërinë të lirë më vete dhe e mosvrame, dhe as qeverinë e Ismail Qemalit. Klasa politike e Shqipërisë, e ka shumë të nevojëshme ta njoh historinë e institucioneve politike të viteve 1912-1920, për të kuptuar më mirë se çfarë nuk duhet të bëj dhe standardet që duhet të plotësojë, për t’u konsideruar partnere. Për ta fituar statusin, jo për ta pritur si dhuratë, aq më keq si lëmoshë. Klasa politike është shumë larg në mendësi për kërkesat e shtetit të së drejtës, është arrogante, autoritariste që pretendon, të bëjë edhe diellin edhe shiun e breshrin. Shqiptarët kanë qenë dhe janë europianë, por duhet të bëhen të tillë, në mendësinë politike institucionale dhe respektimin e të drejtës së pronës, të lirisë politike, të ndërgjegjes dhe sidomos në garantimin e lirive sociale.