Damian Gjiknuri: Shpërndarja e druve të zjarrit me gjysmën e çmimit të tregut për shtresat në nevojë në Elbasan, politikë për qytetarët

144
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka përgëzuar Bashkinë Elbasan në lidhje me nismën e ndërmarrë për të qenë më pranë qytetarëve duke i ofruar çmimin e druve më të ulët se tregu. “Ju përgëzoj, sepse po jepet për përfitim të vërtetë social një burim natyror që ka bashkia e Elbasanit siç janë pasuritë pyjore. Dhe këto pasuri që ka Elbasani shfrytëzohen nga vetë Bashkia dhe kjo duhet theksuar, pra jo nga privatë. Dhe Bashkia mbulon gjithë këtë operacion financiar të Bashkisë Elbasan dhe duke ardhur në ndihmë në një moment specifik që jetojmë sot që të gjithë e dimë që në dimër nevoja për energji është edhe më e lartë, sidomos për ngrohje. ” Drejtuesi politik i Qarkut elbasan ka sjellë edhe një herë në vëmendje nevojën e shtuar për energji në këtë vit, i cili është nën masat e një krize. “Rritja e çmimit të energjisë dhe mungesa e energjisë në treg sidomos edhe në Shqipëri për arsye të thatësirës kjo do të bëjë që familjet të mos goditen nga përdorimi dhe konsumi i energjisë. Por t’i kthehen druve të zjarrit të shitura apo të ofruara nga Bashkia me një çmim minimal që është çmimi i kostos, siç e tha edhe Kryetari i Bashkisë, gjysma e çmimit të tregut.” Ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm i PS ka theksuar “Ky është administrimi i duhur kolektiv, e mira publike që pasuritë e përbashkëta të qytetit të Elbasanit t’i vihen në dispozicion njerëzve më në nevojë. Ndihmat do të shkojnë për qytetarët që kanë të ardhura të pakta, që janë pensionistë apo njerëz të vetmuar , apo me ndihmë ekonomike të cilët do të mund të përfitojnë nga kjo ofertë e Bashkisë. Kjo është një gjë jashtëzakonisht e mirë që duhet ta bëjë çdo bashki në Shqipëri nëse është e mundur dhe pasuritë e saj kolektive t’i ndajë për njerëzit në nevojë, pasi ky dru nuk pritet për qëllime fitimi, ky dru që pritet shërben edhe për mirëmbajtjen e pyllit. Shpresoj të kemi një dimër të lehtë dhe kjo politikë të japë efektin mbi qyetarët përfitues”- përfundoi fjalën e tij Gjiknuri.