Agron Duka: Europa kryeministrin shqiptar e shikon si pengesë kryesore për rrugën europianë të Shqipërisë

710
Sigal

Agron Duka, kryetar i PAA-së

Shqipëria ka nevojë për energji të reja në qeverisje, ka nevojë për një start të ri që forcës politike aktualisht në pushtet i mungon, për më tepër që nuk ka më çfarë t’iu premtojë qytetarëve

Europa  kryeministrin Rama e shikon  si pengesë për rrugën europiane të Shqipërisë

Jakup B. GJOÇA

Agron Duka, kryetari i PAA-së, ish ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se rotacioni nuk është një çështje e marrjes së pushtetit nga opozita, por rinovimi të qasjes ndaj qeverisjes më të fokusuar te hallet e qytetarëve dhe sipërmarrjes dhe jo te fasada dhe propaganda.

– Zoti Duka, tek opozita vërehet një eufori, sa mendojnë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, “Rilindja” Socialiste është tashmë një “frut” i kalbur dhe do të rrëzohet lehtë nga pushteti, pavarësisht se çfarë do të bëjë opozita. Ju e shikoni rotacionin politik kaq të mundshëm?

– Nuk do ta quaja eufori, por ndërgjegjësim, pasi të gjithë shqiptarët që nuk jetojnë brenda Facebook-ut të kryeministrit, janë të qartë për situatën reale të vendit. Shqipëria ka nevojë për energji të reja në qeverisje, ka nevojë për një start të ri që forcës politike aktualisht në pushtet i mungon, për më tepër që nuk ka më çfarë t’iu premtojë qytetarëve, të cilët patën gati 8 vite kohë për t’i parë në punë. Prandaj nuk është vetëm çështje rotacioni, por edhe rinovimi të qasjes ndaj qeverisjes. Më të fokusuar te hallet e qytetarëve dhe sipërmarrjes dhe jo te fasada dhe propaganda. Momenti i këtij ndryshimi ka ardhur, prandaj dhe ne si opozitë po bëhemi gati për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes.

– A mendoni se Bashkimi Europian Shqipërinë e shikon me kaq spekticizëm, derisa 3 vjet nuk i hap negociatat, derisa  Maqedoninë e Veriut e diferencoi nga Shqipëria. Kryeministri Rama disa herë ka deklaruar se ne i kemi plotësuar detyrat, por Europa nuk na do.

– Bashkimi Europian, dhe në veçanti Gjermania, i ka dhënë mundësi të shumta Shqipërisë për të qenë një pol i rëndësishëm në Rajon dhe një nga shtetet më të privilegjuar në rrugëtimin drejt integrimit. Fatkeqësisht problemet e brendshme të mazhorancës, kriminalizimi i politikës, kanabizimi i Shqipërisë, rritja e numrit të azilkërkuesve për shkak të keqqeverisjes, vjedhja e zgjedhjeve u kthyen në pengesë. Nëse mazhoranca do të kishte punuar me ndershmëri dhe sinqeritet, sot vendi do të kishte hapur negociatat. Vendosja e 15 kushteve është pasqyra e dështimit të mazhorancës në këtë drejtim, dhe për sa kohë nuk ka reflektim dhe impenjim konkret nga mazhoranca për plotësimin e kushteve, ne do të mbetemi shumë mbprapa Maqedonisë. Politikisht mund të shohim se edhe për BE-në mazhoranca shihet si pengesë për vijimin e rrugës europiane të Shqipërisë, dhe do të jenë zgjedhjet e ardhshme që do të përcaktojnë fatin tonë europian. Unë jam i binudr se shqiptarët e kuptojnë shumë mirë këtë sinjal të Brukselit, prandaj mbështetja e opozitës do të përkthehet në një mbështetje të avancimit drejt BE-së.

Zoti Duka, ju mendoni se tashmë ndërkombëtarët po diferencohen nga politika e kryeministrit Rama, derisa vetë Rama u dërgoi mesazh, që nuk do t’i dëgjojë më në vendimmarrjet politike, që kanë të bëjnë me çështjet themelore kushtetuese?

– Ky është një regres i madh i politikës shqiptare dhe i Ramës në veçanti. Ai erdhi në pushtet me premtimin e integrimit, por tani sillet si sovranist. Një kthesë 180 gradë që dëshmon se për shkak të abuzimeve ka ‘rënë prej fikut’ dhe gjen streh te nacionalizmi. Mirëpo kjo sjellje është një pengesë e mëtejshme për integrimin, si dhe një ndryshim politik i cili nuk mund të ndodhë në fund të mandatit. Sespe të zgjedhësh sovranizmin, kur ke kërkuar vota për integrimin, që detyrimisht kërkon cedim të sovranitetit, do të thotë që nuk i ke parashtruar qytetarëve këtë qasje dhe nuk ke marrë votë për ta pozicionuar në këtë mënyrë izolacioniste Shqipërinë. Nëse Rama do të bëhet sovranist, le të thërrasë zgjedhjet e parakohëshme dhe të bëj fushatë në emër të mbylljes të Shqipërisë, dhe jo të integrimit. Duhet të jenë qytetarët që përcaktojnë këtë me votë, jo hallet politike të kryeministrit.

A mendoni se koalicionet parazgjedhore janë “thembra e Akilit”? Apo kjo është një taktikë e kryeministrit Rama për të tërhequr vëmendjen nga çështje më të rëndësishme, të cilat ai nuk mund t’i përballojë?

– Ndryshimet e njënanshme kishin si qëllim fragmentarizimin e opozitës, zhvlerësimin e votës opozitare, me shpresën se duke krijuar kaos parazgjedhor, Rama mund t’i krijojë vetes mundësinë e një humbje sa më të butë. Pra edhe këtë rast, me ekonominë në ditët më të këqija, me pandeminë që po krijon një bllokim të jetës siç ne e njohim, Rama tregoi se nuk ka në qendër të vëmendjes interesin publik, por vetëm interesin e vet. Prandaj ndryshimet e turpshme do të marrin përgjigje me votë, dhe do të mbahen mend si një lojë e pisët e një kryeministri që ndryshoi Kushtetuën për të penguar ndryshimin që qytetarët kërkojnë.

Sipas jush, në cilat çështje duhet të përqëndrojë opozitën, Opozita e Bashkuar në këtë start elektoral?

– Ekonomia është “thembra e Akilit” e çdo sistemi, qoftë ky demokratik apo autoritarist. Ne kemi plot dëshmi, edhe këtu në Shqipëri, se mungesa e zhvillimit ekonomik nuk kompensohet dot me propagandë dhe hile politike. Dhe sot ekonomia kërkon një ndryshim politik që të çlirohet nga taksat e larta, monopolet dhe 5 klientët e zakonshëm të kryeministrit. Unë jam i bindur se me fokusin te ekonomia opozita nuk do të gaboj. Nga ana jonë ne si PAA, e kemi të qartë këtë aspekt, sepse tashmë mund të keni vënë re se edhe aleati ynë (Basha), po flet përherë e më shumë për bujqësinë, për nevojën për subvencione të drejtpërdrejta, diçka që na shtyn të besojmë se si opozitë kemi vullnetin për të ndryshuar gjendjen në zonat rurale, ku jeton  dhe punon pothuajse gjysma e popullsisë. Dhe këto që ne premtojnë nuk janë programe larg mundësive të Shqipërisë, sepse e shohim se Maqedonia, që ka një buxhet më të vogël se tonin, garanton subvencione që janë marramendëse, nëse i krahasojmë me lëmoshën që jep qeveria aktuale.

– Zoti Duka, PD-ja po i plotëson kandidaturat e saj për deputetë me një procedurë, ku emrat e aleatëve politikë të Opozitës së Bashkuar, të paktën deri tani, nuk janë. Kryetarët e partive aleate të PD-së a do të jenë në listën e PD-së për deputetë? Keni marrëveshje me Bashën për këtë çështje?

– Është ende herët për të komentuar mbi këtë çështje, sepse ndryshimet në kodin zgjedhor janë ende të pa kodifikuara, që do të thotë se mënyra sesi ne do të konkurrojme si opozitë, do të duhet të përcaktohet në fund të tetorit. Megjithatë, jam i bindur se në çdo rast opozita do të gjej gjuhën e bashkëpunimit, siç kemi bërë gjatë këtyre viteve, duke respektuar kontributin e gjithsecilit.

– Në prapaskenën politike, flitet për një marrëveshje të mundshme paszgjedhore PS-PD, e cila do t’u serviret shqiptarëve si domosdoshmëri e stabilitetit politik, sikundër ndodh në Gjermani, ku Merkel bashkëqeveris me socialdemokratët. Mendoni se mund të ndodhë kjo?

– Kjo është një hile e përdorur me mjeshtëri nga mazhoranca, madje edhe në 2017 u përdor i njëjti truk. Është një hile që shërben për të dëmtuar opozitën dhe për të krijuar përshtypjen se nëse mbështesim opozitën nuk do të ketë ndryshim. Por kjo nuk ka për të ndodhur, pasi Europë nuk do të thotë pazar dhe as do të thotë që për të shkuar në Europë të duhet një mazhorancë e madhe dhe solide, por të duhet një mazhorancë e dalë nga zgjedhje legjitime dhe që qeveris në mënyrë legjitime. Nëse e marrim për të mirëqenë se integrimi kërkon një mazhorancë të madhe, sot ne do të duhej të kishim hapur negociatat, sepse kemi një mazhorancë shumë të gjerë në Parlament, e cila mund të kalojë çdo ligj. Por kjo nuk ndodh dhe ne jemi më të izoluar se kurrë. Prandaj jam i bindur se Europa nuk kërkon marrëveshje, por ndershëmri në raport me zgjedhjet, qeverisjen dhe qytetarë.

– Falëminderit!