Arrestohet Kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera

452
Sigal

Në gjendje të lirë do të ndiqet edhe bashkëshortja e tij për një sasi floriri pa dokumente

Pas akuzave të Prokurorisë për dy Kryebashkiakët socialistë, atë të Vlorës dhe Pogradecit, mbrëmë, ka ardhur arrestimi për kreun e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, i cili është përfaqësues i Partisë Demokratike.

Në këtë mënyrë, pas akuzave për Shpëtim Gjikën dhe Artan Shkëmbin, si edhe pas denoncimeve për ish ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, dje është prangosur Kryebashkiaku i Kamzës. Sipas policisë Mziu akuzohet për shkelje të detyrës. Policia bën me dije se Kryetari i Bashkisë së Kamzës akuzohet për shkeljen e barazisë në tendera. Hetimi është bërë nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës. Nga hetim i janë konstatuar shkelje në një tender rruge. Bëhet fjalë për një rrugë dytësore në zonën e “Valiasit” në të cilën llogaritet një dëm financiar shuma e të cilit ende nuk bëhet i ditur. Mziu është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Pas arrestimit nga policia e Tiranës, Gjykata e Shkallës së Parë me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës ka dhënë masën arrest me burg për Kryetarin e Bashkisë së Kamzës dhe një tjetër inspektor të lartë të kësaj bashkie. Sipas Prokurorisë së Tiranës Mziu favorizoi një kompani në ndërtimin e rrugës “Valias i ri –Laknas”. Kompania “Gj” sh.p.k është skualifikuar nga kryetari i Bashkisë në tenderin për rrugën,  por ishte shpallur fitues nga Komisioni i Prokurimit Publik për të bërë ndërtimin e saj. Ndërkohë një kompani e pa shpallur fituese kishte filluar tashmë punimet për ndërtimin e rrugës. Tenderi për rrugën është bërë në qershor të vitit 2013 ndërkohë që denoncimi ndaj tij është bërë në shtator të këtij viti. Çështja e Mziut po hetohet nga prokurorja Antoneta Sevdari. Policia bën me dije se Xhelal Mziu u arrestua në një lokal pranë Presidencës.

Rruga Valias i Ri – Varrezat e Laknas

Sipas njoftimit zyrtar nga Task Forcë e Prokurorisë së Tiranës, ky organ ka arritur në konkluzionin se dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrugës “Valias i Ri-Varrezat Laknas. Sipas hetimeve, ka rezultuar se autoriteti kontraktor, Bashkia Kamzë, pas përfundimit të plotë të procedurave ka shpallur fitues shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. Megjithatë, dy zyrtarët nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontratën me këtë shoqëri brenda afatit ligjor (30 ditë). Në përfundim të këtij afati, autoriteti kontraktor-Bashkia Kamëz, e ka skualifikuar shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k, me arsyen se nuk ishte paraqitur për nënshkrimin e kontratës. Ndërkohë, rezulton se shoqëria fituese ka bërë të gjitha përpjekjet nga ana e saj për të realizuar nënshkrimin e kësaj kontrate për ndërtimin e rrugës, por që është refuzuar nga ana e titullarëve të autoritetit kontraktor-bashkia Kamëz. Përfaqësuesi i shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k ka kryer vëzhgime në terren dhe ka konstatuar se në rrugën objekt prokurorimi publik kishte nisur punimet për ndërtimin e saj nga ana e një shoqërie tjetër, “Everest” sh.p.k, e cila nuk ishte shpallur fituese, por mësohet se posedohej nga njerëz të afërt pranë kësaj Bashkie. Në këto kushte, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka dorëzuar kallëzimin penal nga hetimi i të cilit, prokuroria ka krijuar dyshime se shtetasit Xhelal Mziu dhe Atli Hoti kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Ndërkohë të njëjtat burime bëjnë me dije se në pranga është vënë edhe drejtori juridik i bashkisë, Atli Hoti. Mziu është zgjedhur për herë të parë Kryetar i Bashkisë së Kamzës në 18 shkurt të vitit 2007 ndërsa në vitin 2011 ka fituar mandatin e dytë nga Partia Demokratike, detyrë që vazhdon ta mbajë.

Procedim për argjendarinë

Ndërkohë mësohet se, procedimi penal  në gjendje të lirë është bërë edhe për bashkëshorten e Xhelal Mziut. Nga hetimet e policisë ka rezultuar se në argjendarinë e saj është gjetur një sasi floriri pa dokumentacion. Sipas policisë, kjo sasi floriri dyshohet t’i jetë shitur gruas së Mziut nga një grup të dyshuarish për grabitje që mund ta kenë marrë në ndonjë argjendari tjetër. Ajo u shoqërua për kundërshtim të forcave të policisë. Policia po kryen kontrolle dhe hetime edhe në Bashkinë e Kamzës. Xhelal Mziu është lindur në vitin 1967, në Peshkopi dhe u diplomua në Fakultetin Ekonomik, në Universiteti Bujqësor të Tiranës, në vitin 1993. Në detyrën e Kryebashkiakut të Kamzës, Mziu u zgjodh në 18 shkurt 2007. Aktualisht po kryente mandatin e tij të dytë në këtë detyrë. Mësohet gjithashtu se para disa muajve, Universiteti Bujqësor i Kamzës i ka dhënë atij, gradën  shkencore, “Doktor”.