Bylykbashi: Formula e PD, garanci për të mbajtur politikën larg procesit

300
Sot jemi përpara jush, ashtu siç premtuam para dy ditësh, për t’iu prezantuar propozimin e opozitës për formulën e kompromisit, e cila zgjidh në mënyrë të plotë dhe pa asnjë lloj ngërçi, përzgjedhjen e 12 anëtarëve, të komisionerëve të vetingut, të cilët janë shkalla e parë e këtij procesi të rëndësishëm të parashikuar për reformën në drejtësi. Sigurisht që kjo është një formulë e aplikueshme me modifikimet e nevojshme edhe për rastet e tjera, për institucionet e tjera. Siç e thashë, është një formulë e cila garanton në mënyrë fare të thjeshtë përmbylljen me sukses të procesit të përzgjedhjes së komisionerëve me hapa të thjeshtë të besueshëm, të pranueshëm nga të gjithë, në përputhje të plotë me paragrafin 88 të opinionit final të Komisionit të Venecias. 

Hapi i parë që parashikon formula e propozuar nga opozita, jo vetëm mediatikisht, por më shumë se dy javë më parë edhe tek mazhoranca, në kanalet e komunikimit dhe gjatë negociatave që janë bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, parashikon që si hap i parë shpallen vakancat, sigurisht mbi bazën e kritereve kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara dhe të bëra publike dhe transparente për të gjithë. Në gjykimin tone, për ti dhënë edhe staturën e mjaftueshme procesit, si organ i parë pra që e shpall vakancën dhe mbledh kandidaturat, është Presidenti i Republikës, por në alternativë mund të jetë edhe Avokati i Popullit. Sigurisht ky institucion në bazë të kësaj procedure do të bëjë shpalljen për 12 vakancat dhe do të presë brenda afatit aplikimet e të gjithë personave që mendojnë se përmbushin kriteret kushtetuese dhe ligjore për të 12 vendet e komisionerëve. Në përfundim të afatit, Presidenti i Republikës apo Avokati i Popullit do të përcjellë dosjet e të gjithë aplikantëve tek Gjykata Kushtetuese. Duhet thënë që Gjykata Kushtetuese është organ që nuk është pjesë e hierarkisë së sistemit gjyqësor, por mbetet një gjykatë me një rol absolutisht madhor në të gjithë sistemin kushtetues, por edhe në propozimet e draftet kushtetuese që kanë qarkulluar deri më sot, edhe Komisioni i Venecias e vlerësoi pozicionin e Gjykatës Kushtetuese në atë pikë që, Gjykata vazhdon dhe ushtron funksionet e pacënuar në strukturën e saj, me përjashtim të një formule të re e cila do të zbatohet dora dorës sapo të krijohet një vakancë.

Mendojmë se Gjykata Kushtetuese i ka të gjitha kapacitetet profesionale dhe integritetin për ta bërë këtë proces përzgjedhës. Në gjykimin tonë, në propozimin tonë, kreu i Gjykatës Kushtetuese do të përzgjedhë me short një panel prej tre gjyqtarësh kushtetues të cilët do të bëjnë vlerësimin e kandidatëve në përputhje me kriteret kushtetuese dhe ligjore, përfshirë dhe kërkesat për integritetin e kandidatëve. Pra, në këtë process, do të verifikohen se si ashtu siç propozohen kandidatura të ndryshme, avokatë, ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, apo pedagogë të së drejtës, jo vetëm në përputhje me kriteret, por në përputhje me kërkesat për integritetin, nëse kanë pasuri të pajustifikuara apo probleme të tjera. Këtij paneli prej tre gjyqtarësh do t’i bashkëngjitet përfaqësuesi i operacionit ndërkombëtar të monitorimit në rolin e tyre, siç e përcakton qartë Komisioni i Venecias, të rojtarit të transparencës. Pra ne, parashikojmë një rol të rëndësishëm për ta, që të garantojnë këtë transparencë. Në këtë kuadër këta do të kenë akses jo vetëm në proces, por tek i gjithë dokumentacioni i procesit të vlerësimit dhe i këtij pre-vetingu që i bëhet këtyre kandidatëve. Dosjet shqyrtohen individualisht, mbi bazën e këtyre kritereve, çdo gjë duhet të jetë e matshme dhe duhet të jetë së paku transparente për çdo individ që aplikon. Ky proces duhet të përmbushë plotësisht kriteret, t’i japë mundësinë çdo individi që mendon se i plotëson kriteret. Të vërtetojë që ai është individi i përshtatshëm për këtë funksion publik. Pra çdo gjë bëhet me prova dhe me akses, si për aplikantin ashtu edhe për përfaqësuesit e misionit ndërkombëtar të cilët kanë akses në të gjithë dokumentacionin.

Hapi i tretë, është që kundër këtij vendimi, pra mund të qëllojë që dikush të jetë i pakënaqur me vendimin e panelit tresh, me propozimin tonë parashikohet që të bëhet një ankim para Gjykatës Kushtetuese, para trupës prej 9 anëtarësh tashmë, e cila do të vendosë për pranimin e kësaj kërkese për rivlerësim të këtij vendimi të paneli tresh, dhe janë gjashtë anëtarë, që janë të papërfshirë, dhe flitet gjithmonë mundësia që edhe vendimi i panelit të rrëzohet ose të pranohet, nëse çdo gjë është e bazuar në ligj dhe në prova.

Kjo fazë përmbyll procesin e verifikimit dhe vlerësimit të të gjitha kandidaturave që kanë aplikuar për postin e komisionerit që do të kryejë vetingun. Në këtë moment, kryetari i Gjykatës Kushtetuese mbyll procesin dhe ia dërgon të gjitha kandidaturat e kualifikuara Kuvendit të Shqipërisë. Këtu fillon hapi i katërt i procedurës që është përzgjedhja e kandidatëve nga Kuvendi i Shqipërisë apo nga strukturat e Kuvendit për ti bërë gati për procesin e votimit në seancë plenare. Në propozimin tone, në përputhje me atë që thuhet në futnotën 16-të, që i korespondon paragrafit 60 të opinionit final, ne kërkojmë që kjo të bëhet nga një komision parlamentar “ad hoc” me 12 anëtarë (dhe ky është rasti më kompleks sepse në rastet e tjera numri do të jetë më i vogël), ku 6 anëtarë do të jenë nga maxhoranca dhe 6 nga opozita.

Siç e dini, tashmë është traditë e konsoliduar e parlamentit që të ketë komisione të rëndësishme me paritet numri dhe të njëjtën gjë propozon edhe Komisioni i Venecias. Ky komision do të zgjedhë pa debat 12 kandidatura që do ti paraqiten Kuvendit për miratim dhe kjo bëhet duke përcaktuar që çdo anëtar i komisionit “ad hoc” të ketë vetëm një votë dhe të votojnë vetëm për 1 kandidat. Logjikisht në fund të procesit do të dalin 12 kandidatë të përzgjedhur nga komisioni. Në propozimin tonë ky është një moment i rëndësishëm sepse votimi është i fshehtë dhe elektronik. Votimi elektronik bëhet me qëllim për të garantuar që në fund fare të dalin 12 kandidatë. Pra të 12 anëtarët e komisionit do të votojnë të gjithë në të njëjtën kohë. Pra nuk është votim sekuencial, të gjithë votojnë në të njëjtën kohë, të gjithëve u shfaqen në të njëjtën kohë e njëjtë listë kandidatësh dhe nëpërmjet sistemit elektronik bëhet e mundur që një kandidat të votohet vetëm nga një anëtar i komisionit “ad hoc”. Pra një deputet dhe jo nga më shumë se një deputet. Kjo bëhet e mundur nga sistemi elektronik i cili bën të mundur që kur votohet një kandidat nuk mund të votohet nga deputeti tjetër. Kush e zgjedh i pari mund të kalohet tek kandidatura tjetër, sepse të mos harrojmë e gjithë lista prej 20 apo 30 kandidatësh është e barasvlefshme.

Çdo kandidat është i certifikuar dhe ka të njëjtën vlerë përsa i përket kritereve të tyre të përmbushura. Në fund të votimit i cili është mjaft i shpejtë dhe mjaft i thjeshtë siç e shihni, sistemi shfaq listën e kandidatëve të përzgjedhur. Pra është me votë të fshehtë e për rrjedhojë nuk mund të përcaktohet se cili kandidat është votuar nga cili deputet. Lista në këtë moment zyrtarizohet, nuk ka votim tjetër e për rrjedhojë kjo listë bëhet gati për t’ju paraqitur Kuvendit për votim në seancë plenare. Kuvendi bën një votim miratues të listës, ose miratues ose refuzues. Pra votimi është në bllok i kësaj liste. Nuk votohen individë. Lista me 12 kandidatë ose miratohet e tëra ose rrëzohet e tëra. Arsyet e rrëzimit mund të jenë të ndryshme por sigurisht me konsensus paraprak apo me një qëllim pozitiv të të gjitha forcave të përfshira në këtë proces, që të zgjedhin kandidatët më të mirë të mundshëm. Kjo listë me 12 kandidatë i ka të gjitha garancitë që të votohet e miratohet nga Kuvendi. Pra çdo deputet ka një votë, e shpreh votën e tij dhe ne mendojmë që në propozimin tonë ky votim të jetë më shumicë të cilësuar sepse kjo i jep një legjitimitet më të madh listës prej 12 vetësh të miratuar.

Siç e thashë, ekziston mundësia që sistemi, ose formula parashikon rastin, kur kjo mund të rrëzohet. Në këtë rast, të gjithë 12 kandidatët rikthehen tek grupi i kandidatëve të kualifikuar sipas hapit të tretë të bërë nga Gjykata Kushtetuese dhe komisioni rifillon procedurën e përzgjedhjes nga fillimi mes të gjithë kandidaturave. Pra nuk ezaurohet lista. Mbeten po ato kandidatë dhe një përzgjedhje e re do të prodhojë me atë procedurë që shpjegova më herët, një listë të re prej 12 anëtarësh.

Votimi i dytë në propozimin tonë, më pas edhe ai i tretë, kryhet me një maxhorancë që vjen në ulje. Pra mund të niset me 2 të tretat, zbret me 3 të pestat, pastaj me shumicën absolute. Në gjykimin tonë është një formulë e cila nuk ka bllokim sepse po të jetë e nevojshme mund të ulet maxhoranca deri në atë pikë sa nëse vihet në dyshim një maxhorancë 50 plus 1, atëhere vihet në dyshim maxhoranca në Kuvend e për rrjedhojë nuk ka as qeveri. Gjykojmë që formula është ndërtuar në mënyrë të atillë që nuk ka nevojë për mekanizëm të jashtëm zhbllokimi dhe na garanton shumë shpejt e thjeshtë, pa komplikacionet e asaj formulës që në kushtet e Shqipërisë është në votën e vetme të trafikueshme që do të krijonte një problem të një karakteri politik shumë të më të rëndë se sa zgjedhja e 12 anëtarëve me integritet.

Besojmë që kjo është një formulë që garanton një kompromis dhe më tepër se kaq, edhe një funksionim të shpejtë e të thjeshtë. E ripërsëris, ka më shumë se dy javë që kjo formulë është paraqitur në kanalet e negociimit tek pala tjetër. Deri më sot nuk ka pasur asnjë argument thelbësor për ta kundërshtuar. Për fat të keq maxhoranca vazhdon ta kundërshtojë pa argumente. Sigurisht që, mungesa e një vullneti për të arritur në një kompromis siç kërkohet nga Komisioni i Venecias, siç kërkohet edhe nga ajo marrëveshje e 24 Dhjetorit 2014, nuk është një gjë që mund të zëvendësohet me batuta. Nuk duhet të harrojmë që duhet të shkojmë drejt përfundimit me sukses të këtij procesi, përndryshe vullneti është që kjo reformë të mos bëhet nga maxhoranca. Ky ishte një shpjegim dhe një prezantim i thjeshtë dhe do tu vihet në dispozicion të gjithëve siç e premtuam.​