Bundestagu gjerman paralajmëron Ramën

428
Shqipëria mund të humbasë statusin e vendit kandidat nëse mazhoranca dhe opozita nuk gjejnë konsensusin për miratimin e reformës në drejtësi. Deklarata është bërë nga Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun Gjerman Gunther Krichbaum, i cili kryesonte një delegacion të CDU gjatë vizitës në Tiranë. Deputeti gjerman ka zhvilluar takime me Kryeministrin Edi Rama dhe Kreun e PD-së, Lulzim Basha, ndërsa ka qenë i prerë në deklaratën e tij, duke theksuar se durimi ynë nuk është i pafund. “Ne ju mbështesim në të gjitha çështjet, por nëse na krijohet përshtypja se reforma në drejtësi nuk është e dëshiruar, atëherë në fund të ditës ne marrim vendimin t’ua heqim statusin e vendit kandidat”, tha Krichbaun në një prononcim për mediat. Por një tjetër apel në drejtim të politikanëve shqiptarë nga Krichbaun ishte ai se nëse humbasin besimin e ndërkombëtarëve kjo nuk është një rrugë që mbart shpresa. Në lidhje me reformën në drejtësi, deputeti i Bundestagut gjerman tha se nëse nuk do të gjendet kompromis, reforma nuk do garantojë drejtësi të pavarur, ndërsa shtoi se BE interesohet për zbatimin e ligjeve dhe reformave, dhe jo për letrat. “Përpara se të çelen kapitujt për anëtarësime duhet të japë dritën jeshile Bundestagu. Këto reforma duhet te zbatohen prej jush. Te rinjtë sot kane mundësi të shohin si jetojnë të rinjtë në BE. Parimet dhe të drejtat na bashkojnë ne”, tha Krichbaun. Sipas tij, një reformë është e mirë nëse përfaqësohet nga një masë e gjerë. “Nëse duhen 94 vota për miratimin e një projektligji, në parim nuk ka ndonjë gjë për të kundërshtuar. Qeveria duhet të marrë kontaktet me opozitën dhe të gjejë votat e duhura, pasi 21 korriku po afron”, theksoi ai

Jeni takuar me z. Basha. Si e gjykoni qëndrimin e tij për Reformën në Drejtësi?

Krichbaun: Ne kemi pasur takime me Qeverinë dhe Opozitën. E rëndësishme është që në fund të procesit të kemi një reformë që palët të gjejnë veten. Për reformën është ofruar mbështetja e BE dhe Qeverisë Federale, draft i cili është gati. Opozita është angazhuar në të gjitha proceset e reformave veçanërisht tek drejtësia. Por tani janë prekur kushtet që të merret një vendim. 21 korriku është vendimtar për këtë çështje. Nuk duhet humbur durimi, opozita dhe qeveria duhet të gjejnë një kompromis. Nëse nuk gjendet kompromisi, reforma nuk do japë drejtësinë e pavarur. Kjo është e qartë për procedurat e përzgjedhjes për Këshillat e Lartë, por me rëndësi edhe në një fazë të mëvonshme kur këto këshilla marrin vendime. Një vend që Qeveria ushtron ndikim në drejtësi nuk është vend i BE. Me rëndësi është që kjo reformë të garantojë një drejtësi të pavarur. Për mua kanë mbetur disa detaje që duhen sqaruar por mendoj që palët e përfshira të jenë të ndërgjegjshme. Durimi ynë nuk është i pafund. Ne ju mbështesim në të gjitha çështjet, në këtë kuadër morët statusin kandidat. Por nëse na krijohet përshtypja se reforma nuk është e dëshiruar në fund të ditës ne marrim vendimin t’jua heqim statusin kandidat prandaj për palët është lojë e rëndësishme. Por nëse ju do humbni besimin e ndërkombëtarëve nuk mendoj se jeni në një rrugë që mbart shpresa. 

A është e ligjshme që mazhoranca të marrë vota jashtë radhëve të saj?

Krichbaun: Vlen ajo që thashë. Një reformë e mirë, nëse përfaqësohet nga një masë e gjerë. Nuk përzihem në çështje që duhet të zgjidhen brenda një vendi, pasi cenojmë sovranitetin. Nëse për të miratuar një ligj duhet shumica e cilësuar atëherë në parim nuk ka ndonjë gjë për tu kundërshtuar në parim. Edhe opozita duhet të jetë e ndërgjegjshme që edhe ajo do të jetë në rolin e ekzekutivit. Do doja t’i kujtoja qeverisë të mbrojë të drejtat e opozitës se do të jetë një ditë në të njëjtin rol. Ne demokracinë parlamentare një koalicion vjen në pushtet, por ata nuk e zotërojnë 100% pushtetin, ekziston një lloj rojtari nga opozita. Në një vend të ndershëm edhe opozita duhet të ketë shansin që edhe ajo të vijë në pushtet. Ky ekuilibër parlamentar është i rëndësishëm. Mu krijua përshtypja se njerëzve u ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni dhe krimi. Korrupsioni prek dhe gjymton drejtësinë dhe të varfrit. Po ua jap sot me firmë dhe vulë se BE nuk do pranojë në BE një vend me struktura kriminale dhe korrupsionin e përhapur. Pjesa më e madhe e qytetarëve i kanë sytë nga BE. 

Tërheqje e vendit kandidat, si reaguan politikanët?

Krichbaun: Do të cenoja besueshmërinë nëse do citoja çfarë u tha. Kam qenë i qartë në formulime dhe flas hapur. U krijua mundësia për të përshkuar rrugën drejt BE. Për të gjitha vendet aspirante dhe anëtare vlen agjenda e Selanikut. Kjo agjendë përmban synimet e qarta që në një moment të caktuar ofrojmë perspektivën për në BE. Synimet apo qasjen e vendit tim e lexoni në procesin e Berlinit. Ky proces synon fuqizimin e bashkëpunimit të vendeve me njëri-tjetrin. Në rajon fshihet potencial për të fuqizuar stabilitetin në Rajon. Shqipëria në agjendën tonë është ndër vendet e para. Nëse na krijohet përshtypja se kjo reformë nuk është e mirëpritur të jeni të bindur se për ne nga vendet e para mund të arrijë në fund. Nëse detyrimet tuaja nuk përmbushen vendi juaj nuk do jetë më në agjendën tonë. Ne nuk po përzihemi në çështje të brendshme sepse nëse ndodhesh në fushën e rregullave të BE do zbatosh rregullat. Nuk duam t’u urojmë vetëm për kombëtaren tuaj. Përsa i përket fajit ne nuk do të tregojmë me gisht një palë të caktuar. Në demokraci palët flasin me njëra tjetrën. Një reformë që merr 80 %, është më e mirë se një reforme që nuk gjen miratim. Reformat shoqërohen nga reforma. Në Shqipëri nuk duhet humbur kohë kotë. Do jetë i nevojshëm për këtë reformë amendimi i 40 ligjeve më vonë. E pranoj punën për ligjin për luftën ndaj kriminalitetit. Por opozita ka tashmë përgjegjësinë e vetë që ne jemi në të njëjtën rrugë. Është detyrë e qeverisë që të marrë kontakte me opozitën dhe të gjeje votën pasi rëndësi ka data që po afron. 

Kush mban përgjegjësi për reformën dhe kush mban përgjegjësi për dështimin në BE?

Mesazhi është që të vijohet para me aspiratat për në BE, por mund të qëllojë që mund të rrëzohesh gjatë rrugës. Palët të lëvizin drejt njëra-tjetrës. Koha ka ardhur që të merren vendime. Shqipërisë i jepet mbështetje dhe është bindje që koha ka ardhur për këtë. Nëse rruga që përshkon Shqipëria është pa kthim kjo është përgjegjësi e palëve. Ju mbani statusin e vendit kandidat. Në të ardhmen fillojmë negociatat për anëtarësim. Ndryshe nga negociatat, me ju do fillojmë me kapitujt më të vështirë si drejtësia dhe të drejtat themelore. Nëse nuk bëni progres si mund të trajtojmë kapitujt e tjerë, ndaj rruga për në BE është e gjatë, por nëse ecim shpejt e përshkojmë në një kohë më të përshtatshme. Por nëse merrni hapa prapa duhet dhe palët e përfshira të shohin çfarë do vijojnë me partnerët. Ne nuk do ju mbrojmë shpatullat, por do ju dalim para dhe ky do ishte dëm i madh për Shqipërinë. Na pëlqen tu mbështesim, sepse BE ofron perspektivë për qytetarët por për anëtarësim është Shqipëria që duhet të jetë aktive. 
Sigal