Rëndohet bilanci nga terrori në aeroportin “Ataturk”, 41 viktima e 239 të plagosur

428
Aeroporti “Ataturk” i Stambollit u rihap disa orë pas masakrës që tronditi mbrëmjen e dy ditëve më parë qytetin më të madh të Turqisë. Sulmi me armë zjarri e bomba u mori jetën 41 personave e plagosi mbi 239 të tjerë. Mes viktimave ka edhe 13 shtetas të huaj, 5 nga të cilët janë sauditë, një kinez, një jordanez, një tunizian, një uzbekistanez, një iranian e një ukrainas. Ndër ta 3 ishin me dyshtetësi. Tre ishin personat që hapën zjarr pranë një pike hyrëse të terminalit e hodhën veten në erë pasi policia nisi të qëllonte mbi ta. “Ataturku”, aeroporti më i madh i Turqisë dhe një nyje e rëndësishme transporti për udhëtarët nga e gjithë bota, është parë prej kohësh si shënjestër e cenueshme. 
Në hyrje të tij ka skanera me rreze X, por kontrollet e sigurisë për makinat jashtë ishin tepër të limituara. Puna për riparimin e dëmeve të shpërthimit nisi që mëngjesin e kësaj të mërkure. Por, edhe pse trafiku ajror është zhbllokuar, ka ngërçe e vonesa të mëdha. Me dhjetëra persona që prisnin të udhëtonin drejt Gjermanisë mbetën të bllokuar pasi “Turkish Airlines” pezulloi përkohësisht fluturimet e saj. Pasagjerët e porsambërritur ndërkohë në aeroportin “JFK” të Nju Jorkut nga Stambolli u shprehën thellësisht të tronditur nga sulmi në Stamboll, por shtuan se ndihen me fat që i shpëtuan ngjarjes për vetëm pak orë. “Nuk e besoja dot, ndihem sikur të pyes: a jam gjallë apo çfarë? Sikur fluturimi ynë të ishte vonuar të themi me dy orë do të kishim qenë saktësisht në vendin e masakrës”, tha Adam, pasagjer. Ndërkohë edhe pasagjerët e një fluturimi të nisur nga Hjustoni drejt Stambollit u shprehën të tronditur nga ngjarja, duke shprehur ngushëllimet e tyre për të afërmit e viktimave. “U trishtova shumë kur erdha këtu. Përse i bëjnë gjëra të tilla? Nuk ka asnjë kuptim”, tha një pasagjere. Kohët e fundit në Turqi ka pasur një valë sulmesh të lidhura një pjesë me grupin gjakësor islamik, e të tjera me separatistët kurdë. Goditja e fundit, sipas korrespondentëve të huaj në vendngjarje, duket të ketë qenë e mirëkoordinuar.
Sigal