Bulevardi, Basha: “Ne jemi politikanët e premtimeve të mbajtura”

505
Sigal

Kanë nisur punimet për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, projektit më të rëndësishëm për kryeqytetin shqiptare. I premtuar nga Kryebashkiaku Basha rreth 2 vite më parë, sot ky projekt nis zbatimin, duke sjellë një korridor të ri zhvillimi, punësimi dhe gjelbërimi për Tiranën. Kryebashkiaku Lulzim Basha e ka cilësuar ditën e fillimit të punimeve, historike për të ardhmen e kryeqytetit shqiptar. “Sot jemi dëshmitarë të nisjes së transformimit më të madh të ndodhur ndonjëherë në qytet. Fillimi i punimeve të bulevardit të ri është një ditë historike, sepse kryeqyteti ynë rritet, fiton një gjymtyrë të re, sheh më mirë, thyen kufijtë dhe merr frymë më lirisht. Jam i lumtur që sot po hapim një korridor të ri zhvillimi për Tiranën, një korridor punësimi, nxitje të sipërmarrjes, si dhe një hapësirë të re të gjelbërimit, dhe argëtimit“ – u shpreh kreu i Bashkisë. Kryebashkiaku Basha e konsideroi nisjen e punimeve, si përgjigjen më të mirë ndaj atyre që nuk e besuan këtë premtim të bërë dy vjet më parë. Zoti Basha theksoi se, me vepra po dëshmojmë çdo ditë se jemi në shërbim të qytetarëve dhe nuk bëjmë premtime boshe. Kryebashkiaku Basha theksoi se, bulevardi i ri i Tiranës do të krijojë mijëra vende të reja pune, do të sjellë risi të pangjashme në rajon nga ana arkitekturore, do t’i shtojë gjelbërimit të qytetit një kurorë të çmuar me pemë të reja. Bulevardi i ri do të nxjerrë nga varfëria këtë pjesë të Tiranës, që ka qenë e margjinalizuar. Firma që do të ndërtojë bulevardin e ri është Copri – Construction Enterprises LLW. Kostoja e ndërtimit është 26 milionë euro dhe pritet të përfundojë brenda 18 muajsh.