Fatmir Toçi: Problemi më i madh i Kuvendit të ri është mungesa e opozitës së besueshme

501
Sigal

Deputetët tanë nuk do të sillen si sekserë të pushtetit, apo të interesave të tyre shoqërore e familjare

Sot mblidhet për herë të parë Kuvendi i ri. Deputeti i Qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi, në intervistën për “Telegraf”, duke iu referuar raporteve të reja në Kuvend, pohon se, problemi kryesor i këtij Kuvendi do të jetë opozita e re, pasi deputetët e saj, janë përgjegjës për gjendjen e deritanishme, dhe shumica e ish- ministrave duhen çuar para drejtësisë. Nga ana tjetër, zoti Toçi, thotë se qeverisja PS-LSI nuk do të funksionojë e parcelizuar politikisht, nuk do të ketë “fshesë” në administratën publike, sepse vota e elektoratit nuk u dha që të punësohen militantët, sepse “Shumica e shqiptarëve nuk do të përfitojnë nga punësimi në shtet, por nga zgjerimi i veprimtarisë prodhuese dhe e nismës private në të gjithë sektorët”.

– Zoti Toçi, para disa ditësh gazeta britanike “The Economist” shkruante se, deputetët me peshë të PS-së, që nuk u zgjodhën në qeverinë e re, nga pakënaqësia, mund të krijojnë probleme. Si është klima në grupin parlamentar të PS-së?

– Nuk e di se kush i përcakton deputetët “me peshë apo pa peshë”; sipas ligjit dhe elektoratit që i ka votuar ata janë të gjithë të barabartë midis tyre dhe të gjithë njësoj të rëndësishëm për misionin që kanë marrë përsipër. Mbledhja e parë e Grupit Kuvendor të PS-së është bërë para dy ditësh dhe në një votim të fshehtë që u organizua për zgjedhjen e kryetarit të këtij grupi nuk rezultoi asnjë votë kundër apo e pavlefshme për propozimin e ardhur nga kryesia e PS-së. Besoj se kjo është një provë që tregon për një klimë bashkëpunuese. Nëse ka pasur, apo ka, qejfmbetje apo pakënaqësi, siç thoni ju, për alternativa të tjera në qeverisje, kjo nuk të thotë aspak për krijimin e një klime që mund të krijojë problem. PS-ja dhe e Majta shqiptare në tërësi kanë shumë figura dhe kapacitete politike, intelektuale e profesionale të afta që të marrin përsipër detyra edhe më të rëndësishme. Të qenit deputet është një prej këtyre detyrave me rëndësi të veçantë në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të vendit dhe njerëzve që banojnë, punojnë e mësojnë në këtë vend.

– Duke qenë se maxhoranca e re, ka gati shumicën absolute në Kuvend, cilat, mendoni, se do të ndërtohen raporte të reja pozitë-opozitë, të ndryshëm nga të deritanishëm?

– Në fakt problemi më i madh i këtij vendi dhe i politikës shqiptare në veçanti do të jetë mungesa e një opozite konstruktive dhe të besueshme në Kuvendin e Shqipërisë. Pjesa më e madhe e përfaqësuesve të opozitës së pas 23 Qershorit janë figura politike të konsumuara, të kontestuara nga shqiptarët, pjesë e qeverisjes së dështuar dhe përgjegjëse për gjendjen e mjeruar në prag të katastrofës që e ka degdisur vendin gjatë dy mandateve të fundit qeverisëse. Një pjesë e ministrave janë për t’u çuar përpara drejtësisë për aferat korruptive që kanë kryer dhe abuzimin me fondet dhe pronat publike. Gjithsesi, raportet pozitë – opozitë që do të ndërtohen gjatë mandatit tonë qeverisës do të jenë tërësisht të kundërt, me ato që ofroi partia – shtet e Sali Berishës dhe Kryeparlamentarja Topalli. Një shoqëri demokratike ka nevojë për një opozitë të fortë, qytetare e konstruktive që do të bënte oponencën e nevojshme në vendimmarrjen dhe ushtrimin e pushtetit në praktikën qeverisëse. Por unë dyshoj se kjo do të ndodhë me të djathtën e rrëzuar nga froni, për sa kohë në krye të saj të vazhdojë të qëndrojë de facto lideri i saj konfliktual e kontravers, Sali Berisha, koha e të cilit ka perënduar prej kohësh, siç u shprehën dhe shqiptarët në zgjedhjet e fundit.

– Cilat do të jenë këto raporte të reja dhe nga cilët faktorë do të kushtëzohen?

– Raportet do të jenë ftesa për bashkëpunim i opozitës në interes të zhvillimeve të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, krijimi dhe respektimi i të gjitha hapësirave demokratike e ligjore për ushtrimin e veprimtarisë së saj.

– Vetë grupi parlamentar i PS-së, është thuajse i rinuar në përbërje. Cili do të jetë misioni i tij në këtë 4- vjeçar?

– Është e vërtetë që grupi kuvendor i PS-së është i rinuar në përbërje. Rama ka meritën që, veçse largimit nga skena politike të liderëve dhe shumë figurave të vjetra të politikës shqiptare, përfshi këtë të fundit, Sali Berishën, mundësoi edhe ripërtëritjen e klasës politike shqiptare, duke u krijuar mundësi dhe hapësira një brezi të ri politikanësh e intelektualësh. Misioni i grupit kuvendor të PS-së është zbatimi i programit qeverisë që u shpalos gjatë fushatës elektorale, si dhe të gjitha premtimet që u bënë gjatë kësaj fushate, tërësisht të zbatueshme dhe me një pritshmëri ta jashtëzakonshme prej shqiptarëve.

– Si mund të fitohet pavarësia e politikës nga kërkesa e elektoratit për punësim. Dimë që votat janë dhënë nga elektorati edhe në shpërblim të premtimeve për punësim.

– Ato që priten të ndërrohen nga drejtuesit aktualë janë stafet politike të drejtimit të institucioneve shtetërore, por edhe të gjithë ata që janë në këto vende pune jo për shkak të meritës dhe aftësive të tyre, por  për militantizmin e tyre. Ne nuk do të bëjmë atë që bëri qeveria e ikur me vendet e punës, që i shpërbleu militantët e saj me poste e vende pune, duke mos bërë asgjë, madje duke mos u paraqitur masivisht në punë e duke marrë rroga të majme. Kjo mund të duket një kosto politike, që mund të na penalizojë në zgjedhjet e ardhshme, por ne kemi ardhur në pushtet me synimin për të bërë shtet; një shtet që në të vërtetë u ka munguar shqiptarëve gjatë këtyre 23 vjetëve. Zgjidhja e problemit të madh të punësimit do të bëhet nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës nga punët publike që do të fillojnë, kryesisht për përmirësimin e infrastrukturës, nxitjes së biznesit të të gjitha niveleve për të zgjeruar veprimtaritë e tyre, punësimet familjare në biznesin e vogël duke hequr apo ulur tatimet që i kanë pamundësuar deri tani, thithjes së investimeve të huaja me fuqi punëtore shqiptare etj.

– Nëse maxhoranca juaj zbaton kriteret e meritokracisë për punësim, a mund të ketë kosto elektorale në zgjedhjet e ardhshme, nga ata që mund të zhgënjehen, ngaqë, edhe pse ju votuan, nuk u punësuan?

– Mund të ketë kosto elektorale, por kjo mënyrë sjelljeje me elektoratin nuk mund të funksionojë përjetësisht. Shumica e shqiptarëve nuk do të përfitojnë nga punësimi në shtet, por nga zgjerimi i veprimtarisë prodhuese dhe e nismës private në të gjithë sektorët. Padyshim, qeveria e re do ta nxisë këtë proces me të gjitha mjetet e saj ligjore, politikat fiskale dhe mbështetjen e gjithanshme të nismës private.

– Nga ana tjetër, ju keni denoncuar si opozitë, që administrata publike u mbush me militantë. Tani, çdo të bëhet me këta militantë? Do të ketë fshesë?

– Ne nuk vijmë me fshesë në dorë për të zëvendësuar një palë militantësh, me një palë tjetër. Punët në drejtimin e  administratës publike do të drejtohen nga specialistët, ekspertët, punonjësit e kualifikuar, me përvojë e të specializuar për punën që kërkohet. Ne nuk do të lëvizim asnjë nga puna për shkak të bindjeve apo preferencave të tij politike, por për sa është i aftë t’i përgjigjet kritereve dhe kërkesave që ka vendi i tij i punës. Pra, në themel do të jetë merita dhe jo militantizmi, nepotizmi, interesi apo shoqëria e sëmurë.

Në qeverisje nuk do të veprojnë veçmas, ministrat e PS-së e veçmas ministrat e LSI-së

– Cilat do të jenë prioritetet e qeverisë së Majtë?

– Në të vërtetë, vendi është i rrënuar, ekonomia e mbërthyer nga kriza, papunësia në shifra të frikshme, financat publike të zhytura në borxhe, arsimi në një konfuzion të plotë, shëndetësia inekzistente, diplomacia nepotike si trumbetë e partisë – shtet dhe shërbëtore e familjeve të pushtetarëve, policia e lidhur me qindra fije me krimin etj., etj.. Çdo gjë duhet të rishikohet, që ky vend të rilindë. Gjithësi, punësimi, rishikimi i sistemit fiskal, shëndetësia dhe arsimi do të jenë prioritetet e prioriteteve.

– A do të vlejnë  këshillimet e Ramës, edhe për deputetët dhe ministrat e LSI-së? Sepse në maxhorancë, e kaluar, LSI-ja kishte një pavarësi nga kontrolli i Kryeministrit Berisha.

Funksioni i qeverisë së koalicionit të majtë nuk do të funksionojë i parcelizuar, sipas dikastereve që janë ndarë sipas marrëveshjes midis forcave politike të këtij koalicioni. Kjo do të thotë që një ministri që drejtohet nga një ministër i një force politike aleate nuk do të ketë në përbërje të strukturave të saj administrative kuadro, drejtues e specialistë vetëm nga kjo forcë politike, por, sipas aftësive dhe meritës do të vendosen më konkurrim të ndershëm përfaqësues nga të gjitha forcat politike të koalicionit, madje edhe nga shoqëria civile nëse ata janë fitues në këtë konkurrim të hapur. Kjo do të thotë se mundësia për të konkurruar do t’u jepet të gjithëve dhe ai që do të emërohet në këto poste drejtuese nuk do të vendoset atje për shkak të militantizmit të tij, apo thjeshtë për pasojë të kontributit politik, por për shkak të aftësive të tij drejtuese, organizuese e profesionale. Ndaj dhe detyrat që ka shtruar kryeministri i ri Shqipërisë në dy takime me deputetët pas përfundimit të zgjedhjeve janë të vlefshme dhe të detyrueshme për të gjithë anëtarët e koalicionit qeverisës në çfarëdo pozicioni drejtues që të jetë ai.