Bujar Nishani shpall listën e konkurruesve të kandidatëve për vendin vakant në Gjykatën e Lartë

471
Sigal

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ngre grupin e punës për propozimin e disa ndryshimeve ligjore, rrëzohet kërkesa e Ina Ramës

Në përfundim të afatit për shqyrtimin e dokumentacionit të çdo konkurruesi për anëtar të Gjykatës së Lartë,  Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, në zbatim të ligjit nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, shpall kandidatët, të cilët plotësojnë kushtet ligjore të përcaktuara në ligjin e lartpërmendur. Procesi përzgjedhës do të vijojë me bashkëpunimin midis Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të grupeve parlamentare  të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim përcaktimin e kritereve konkrete, bazuar në listën e kandidatëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë të anëtarit, duke siguruar kështu përbërjen cilësore dhe të nevojshme për Gjykatën e Lartë.

Lista e konkurruesve që plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë

Kandidatë që vijnë nga radhët e gjyqësorit 

Alaudin Malaj

Astrit Kalaja

Entela Prifti

Fatos Qato

Luan Dervishi

Sokol Ngresi

Kandidatë që vijnë nga radhët e juristëve

Adnor Shameti

Ermir Dobjani

Genti Shala

Gjet Kola

Ilir Panda

Luan Daci

Pranvera Strakosha

Prel Martini

Rexhep Bekteshi

Sokol Sadushi

Shpëtime Pitaku

KLD, ndryshime ligjore për gjykatat administrative

Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) vendosi dje ngritjen e një grupi pune, për propozimin e disa ndryshimeve ligjore për mbarëvajtjen e  gjykatave administrative. Burime zyrtare të KLD- së bënë të ditur se, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, KLD, zhvilloi mbledhjen e radhës, e cila nisi me diskutimet konstruktive mes anëtarëve për raportin e Kryetarit të Komisionit të Administrimit të Testimit seleksionues për gjyqtarë në gjykatat administrative të shkallës. Pas diskutimeve anëtarët ranë dakord që të ngrenë një grup pune, për propozimin e disa ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative”, me qëllim zgjidhjen përfundimtare të problematikave të krijuara nga mos plotësimi i trupës gjyqësore në disa gjykata Administrative. Në vijim të rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi kandidaturat për emërimin e kryetarit të Gjykatës Administrative të Apelit. Pasi dëgjuan platformat e dy kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin Kastriot Selita, si Kryetar i Gjykatës së Apelit Administrativ. Gjithashtu, anëtarët e Këshillit diskutuan dhe miratuan raportin “Mbi ecurinë e kandidaturave për Funksionin Drejtues të kryetarit” të hartuar nga Zëvendëskryetari i KLD. Seanca plenare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vijoi me shqyrtimin e kërkesës së Ina Rama, ish-Prokurore e Përgjithshme e Republikës, për t’u emëruar në detyrën e gjyqtares së gjykatës së Apelit në Gjykatën e Tiranës. Pas diskutimeve, anëtarët e KLD-së vendosën me shumicë votash të rrëzojnë kërkesën, me arsyetimin se duke qenë se, Ina Rama ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda dhe jo në Gjykatën e Apelit Tiranë, për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ajo duhet t’i nënshtrohet procedurave të konkurrimit, së bashku me kandidatët e tjerë pretendentë për në atë gjykatë. Në mbledhjen plenare djeshme, vendosi me unanimitet, riemërimin për një periudhë 4 (katër) vjeçare të z. Fatri Islamaj, si anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.