Bujar Nishani: Basha nuk përfaqëson demokratët, anëtarësia e bojkotoi

283
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Më shumë se kurrë më parë, sot është koha e thënies së të vërtetave. PD ka prekur një cak fundor ku jo vetëm se nuk ka se çfarë të humbasë më tej, përveç faktit të një ringritje të shpejtë, me themel të gjërave, por kjo ringritje mund të bëhet vetëm nga identifikimi dhe thënia e të vërtetave. Nëse vazhdojmë gënjejmë veten dhe të tjerët, jo vetëm që nuk kemi ndihmuar PD-në, por s’kemi ndihmuar as Shqipërinë dhe, as dinjitetin tonë personal. Për herë të parë që nga themelimi, PD do të mbetet për 3 mandate në opozitë.

PD nuk ka pasur kurrë ditë më të keqe nga pikëpamja e organizimit dhe besimit që PD ka tek opinioni publik. Këto janë gjëra shumë të rënda, të cilat kërkojnë një përmbysje radikale të mënyrës së drejtimit të deritanishëm. PD kishte nevojë që të shkonte në mënyrë të relaksuar, në mënyrë të hapur për një analizë të madhe tek anëtarësia. Basha nuk përfaqëson sot vullnetin e anëtarësisë së PD, pasi ishte një garë pa garë, një maskaradë. Një njeri përcakton datën e zgjedhjeve, komisionerët, i vetëm përdor fondet në fushatë. E vetmja përgjegjësi e jona është se nuk e kemi ngritur zërin më fortë përpara. Kryesia është e zgjedhur sot nominalisht nga një listë që e harton vetëm kryetari i partisë.