Dr. Qemal Lame: Jo imponime për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi

447
Sigal

Bisedimet për realizimin e marrëveshjes midis Kosovës e Serbisë, kërkohen nga SHBA dhe BE të rifillohen e të finalizohen, më 12 qershor 2019, në Washigton, në praninë e Presidentit Donald Trump. Ndërsa qëndrimet zyrtare në Beograd dhe në Prishtinë nuk janë të unifikuara. Qeveria e Kosovës nuk pranon të ndryshojë vendimin për taksën, pa u njohur pavarësia. Presidenti i Serbisë nuk njeh pavarësinë e kufijtë e Kosovës, kërkon heqjen e taksës për t’u rikthyer në bisedime, por nuk deklaron, nëse do të ndërpriten lobimet kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, INTERPOL etj.

Kundërshtimeve nga shqiptarët janë të qarta: Nuk njihet pavarësia, ribëhet shteti i Kosovës, dëmtohet sovraniteti dhe integriteti territorial, nënvleftësohet e vërteta historike për territoret etnike shqiptare, tentohet të shkëmbehen territore shqiptare po me territore shqiptare, lihen në heshtje pasojat e rënda katastrofike nga shovinizmi e gjenocidi shtetëror i Serbisë ndaj shqiptarëve, plotësohen pretendime absurde të Serbisë për të përligjur politikën e pushtimit e rikolonizimit, të krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe me status ekzekutiv e territorial që do të krijonin një Srbska tjetër dhe do të paralizonin shtetin si në Bosnje etj.

Realisht edhe në Serbi kundërshtohet marrëveshja dhe ndryshimi i kufijve sipas. Politikanët e grupimeve nacionaliste deklarojnë se nuk janë kushtet për marrëveshje, nuk do të ishte zgjidhja afatgjatë dhe nuk do të mënjanonte shqetësimet e kundërshtimet nga serbët e shqiptarët. Një shumicë e përkrah Vuçiçin, ndërsa në disa sondazhe të kryera vërehet se ka mospajtime të mëdha për statusin e Kosovës dhe për shkëmbimit të territoreve. Një sondazh tjetër tregon, se problemi i Kosovës nuk është një shqetësim kryesor për qytetarët serb.

Në politikë ndjehet edhe mungesa e një lideri udhëheqës që do të përfaqësojë ata serbë, të cilët kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territoreve. Përfaqësimi i tyre është dobësuar nga vrasja e politikani serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, i cili megjithëse gjatë gjithë kohës mbështeti politikën e Beogradit, punoi edhe për arritjen e një pajtimi me shqiptarët e Kosovës.

Serbët në Mitrovicën e Veriut dhe kudo ku janë, nuk rrezikohen nga shqiptarët. Ata gëzojnë me Kushtetutë dhe realisht standardet më të larta të njohura për pakicat nga bashkësia ndërkombëtare. Vetë politikanët dhe përfaqësues të serbëve deklarojnë se serbët rrezikohen nga vetë serbët dhe jo nga shqiptarët. Iniciativën për konsensus në fakt e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga analiza e deklarimeve zyrtare, lihet të kuptohet se është braktisur ideja për pranimin e ndryshimit të kufijve dhe po bisedohet për një zgjidhje të ndërmjetme, të zonave të diskutueshme me status special, thuhet se katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës do t’i jepen Serbisë në këmbim të marrjes së Luginës së Preshevës me ato me popullsi shqiptare, në rast se arrihet marrëveshje midis Kosovës e Serbisë.

Bashkimi Evropian ka dështuar në ndërmjetësimin e tij, pasi nuk ka fuqinë e mjaftueshme shtetërore, nuk respekton barazinë në tematikën e problemeve, ka idenë për ndarjen e Kosovës, tregohet e njëanshme në pretendimet serbe, është mjaftuar në qëndrimin e njohur konsensual të presidentit, duke anashkaluar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës etj. Me gjithë këtë dështim, SHBA dhe Rusia presin zgjidhje po me ndërmjetësimin e BE-së. Ndërmjetësimi nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, nuk shihet me optimizëm për arsye se, ajo është e përkushtuar në një marrëveshje të bazuar në idenë e korrigjimit të kufijve, megjithëse disa nga shtetet kryesore të Evropës e kundërshtojnë. Gjermania, Britania e Madhe, Austria e Luksemburgu, kundërshtojnë hapur një ide të tillë, duke mbrojtur të një zgjidhje që do të ruajë multi-etnicitetin e bazuar në vlerat e demokracisë dhe integrimit evropian.

Gabimi tjetër i Mogerinit është anashkalimi i Qeverisë e Kuvendit të Kosovës dhe deklarimi papritur e i padrejtë, për diskutimin e Trepçes në Bruksel. Qeveria e Kosovës reagoi me ashpërsi ndaj deklarimit të Mogerinit, duke theksuar realitetin historik se Trepçja është shqiptare. Pas këtij reagimi, u tha se temat e bisedimeve do të vendosen vetë më parë nga përfaqësuesit legjitimë.

Ndarja e Kosovës është ide e Rusisë. Me këtë qëndrim, Rusia kërkon të përligjë aneksimin e Krimesë dhe marrjen nën kontroll gjithë Ukrainën Lindore! Njëkohësisht, Rusia vazhdon me intensitet politikën e saj subversive për të rritur influencën në Ballkan me anë të destabilizimit politik e ekonomik me praktikat që ka dëshmuar në Ukrainë dhe Gjeorgji. Ajo nxit, mbështet me para e armë, qëndron prapa forcave ekstreme nacionaliste që t’i inkurajojë për të nxitur trazira politike dhe sociale. Përkrahësit e idesë së ndarjes, Thaçi-Vuçiç, akuzohen për pazar me kufijtë shtetërorë. Ata thonë që ky është një rast unik, që nuk do të krijojë asnjë precedent si pasojë e ndryshimeve që do të ndodhin nga lëvizja e kufijve.

Së pari, ky qëndrim i tyre është jo real, i çoroditur dhe me pasoja të paralajmëruara të paparashikueshme për të dy shtetet, rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Së dyti, precedenti për këmbimin e territoreve me baza etnike dihet se do të nxiste lëvizje nacionaliste në të gjithë rajonin e Ballkanit, në Ukrainën e ndarë, në Spanjë me Katalonjën që ka deklaruar pavarësinë etj. Inkurajohen ultranacionalistët serbë e ata kroatë, të cilët veprojnë aktivisht për ta zhbërë Federatën e Bosnjës. Qeveria e Malit të Zi që u zgjodh në mënyrë demokratike për pak sa nuk u shkatërrua nga një grusht shteti me tentativën që u nxit, u organizua dhe u mbështet nga Rusia, në vitin 2016. Shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak kërkojnë vetëvendosje për bashkimin me Kosovën. Në Kosovë dhe në Maqedoni mbrohet me të drejtë identiteti shqiptar. Nuk pranohet as manovra për demarkim i kufirit ndërmjet Kosovës e Serbisë e maskuar me pretendimin për të ditur me saktësi kufirin, pasi në Serbi dhe në disa shtete të tjera ka harta të ndryshme. Hartat janë të njohura dhe në bazë të tyre u bë edhe Lufta në Kosovë, si dhe u vendosën trupat ushtarake të KFOR-it dhe administrata ndërkombëtare e OKB-së, UMNIK-u. Është e çuditshme dhe revoltuese që disa politikanë dhe personalitete në Kosovë e në Shqipëri shprehen për një mbështetje të rreme mbi idenë e shkëmbimit të territoreve, të diskutuar prapa dyerve të mbyllura në Bruksel, Vjenë etj., ku është biseduar duke nënvleftësuar Kuvendin, Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës, kur dihet se janë kundër shumica dërmuese e deputetëve dhe e popullit shqiptar.

Zgjidhja pritet nga politika objektive në Prishtinë e Beograd, nga angazhimi i paanshëm, i fuqishëm dhe i durueshëm politik e diplomatik nga BE, veçanërisht nga SHBA.

Suksesi varet edhe nga qëndrimi objektiv i Rusisë, rivlerësimi e shfuqizimi i Rezolutës 1244 dhe largimi i UMNIK-ut që e kanë humbur legjitimitetin e tyre me shpalljen e pavarësisë e krijimin e shtetit sovran të Kosovës, të njohur nga më shumë se 116 shtete. Ky realitet nuk ndryshon as nga tërheqja e njohjeve nga disa shteteve si pasojë e veprimtarisë diplomatike të bashkërenduar të Rusisë e të Serbisë.

Ndarja dhe shkëmbimi i territoreve të mos jenë më temë e bisedimeve. Kërkohet të realizohet konkretisht bashkëpunimi e miqësia midis shqiptarëve e serbëve, largimin nga shovinizmi zyrtar, distancimin nga mitet që mban gjallë kleri ortodoks serb për Serbinë e Madhe.

Shqiptarët e serbët meritojnë të jetojnë në paqe e miqësi dhe të kontribuojnë në të ardhmen e përbashkët evropiane.