Braimllari: Zgjedhjet në Kuçovë u grabitën, SPAK të veprojë

103
Sigal

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari deklaroi sot se “kërkojmë nga ana e SPAK të vihet në lëvizje të menjëhershme për krimin elektoral të ushtruar në Kuçovë në zgjedhjet e 14 majit”.

Në një deklaratë për shtyp, Braimllari theksoi se “prova pa fund të bëra publike këto ditë konfirmojnë qartë që mandati koalicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë e Kuçovës është grabitur. Denoncojmë për të disatën herë, krimin e tmerrshëm shtetëror dhe elektoral të konsumuar në Kuçovë më 14 maj, duke grabitur me paratë e oligarkut,trafikut të drogës, në tavolinë mandatin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Lefter Maliqi”.

“Në emër të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” i jemi drejtuar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në datë 4 prill 2023 mbi verifikimin e pastërtisë së figurës së shtetasit Kreshnik Hajdari, që në këtë rast është kryetari në detyrë dhe kandidati i bashkisë Kuçovë për kryetar bashkie në radhët e Rilindjes, i cili në formularin e vetëdeklarimit ka fshehur deklarimin e dënimit penal në shtetin grek, fakt ky që “sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi, zgjedhja, emërimi apo nga funksioni publik””, tha Braimllari.

Sipas tij, materiali drejtuar KQZ, por dhe Prokurorisë së Përgjithshme ka qenë i plotë shoqëruar me vendimin e dënimit të këtij shtetasi. Braimllari bëri të ditur se ende ne nuk kemi një përgjigje dhe mungesa e kësaj përgjigje nga ana e KQZ-së kompremton rëndë procesin.

“I bëjmë thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, materialin referuar Prokurorisë për këtë çështje ta paraqesë të plotë së bashku me vendimin e dënimit. Në të njëjtën kohë kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Lefter Maliqi i është drejtuar SPAK për të njëjtën çështje dhe ende nuk ka një përgjigje”, u shpreh ai.

Nënkryetari i PL-së Braimllari u shpreh se “do ta ndjekim deri në fund për të zbardhur të vërtetën dhe për të vendosur drejtësi”.