Boçi: Rama vjedhësi i votave, kundërshtarët në PD, s’kanë arsye të largohen

512
Alma Çuka
Pushtet që prodhon para dhe para që prodhojnë pushtet”. Me këtë projekt Edi Rama u fut në zgjedhje dhe i fitoi ato duke përdorur çdo metodë që shkatërroi kundërshtarët. Kështu shprehet deputeti Luçiano Boçi në një intervistë dhënë për gazetën “Telegraf”. Ka folur për humbjen e partisë së tij në zgjedhje, zërat kundër të drejtuar nga Astrit Patozi si dhe zgjedhjet e 22 korrikut. Sipas Boçit, Partia Demokratike është parti e vlerave dhe si e tillë, zërat ndryshe janë të pranueshëm. Ndërkohë që shton se pavarësisht debatit, askush nga kundërshtarët nuk ka arsye për tu larguar. Ashpër Boçi flet për liderin e PS-së Edi Rama. “Populizmi i Ramës i shfaqur sot si aksion politik është shprehja më e plotë e mjerimit mental dhe e degjenerimit të një qeverisje që nuk e di se farë do të bëjë për qytetarët me pushtetin e blerë me krim, drogë e para të pista”, shprehet ai. Ndërsa e konsideron si një mjeran i cili është katandisur në rolin e një dirigjenti, që lëviz shkopin sipas shkallës së dehjes me qëllim përmbushjen e tekave të ish-ministrave që presin të marrin llokmën e radhës. 25 qershorin e konsideron si ditën më të zezë për shqiptarët. Sipas tij Rama kishte vënë në lëvizje gjithë mekanizmat e drogës duke blerë votën, pavarësisht përqindjes në të cilën mund të matet ajo. Ndërkohë nuk lë pa e shigjetuar kryeministrin edhe për nismat e radhës. Boçi shprehet se asgjë nuk ka për të ndryshuar. E gjitha është demagogji dhe se administrate do të mbetet e politizuar, për aq kohë sa Rama është i kapur nga krimi dhe qëndron në pushtet nga paratë e prodhuara prej kazanëve të krimit. E konsideron procesin e zgjedhjeve brenda PD-së të duhur dhe brenda rregullave statusore. Ndërkohë që shprehet se ai që dëshiron të futet në garë nuk e kundërshton por rreshtohet në krahë të garuesve, ndërsa të tjerët që sipas tij nuk e përballojnë e anatemojnë. Për Boçin, Partia Demokratike do të jetë një opozitë e fortë dhe kjo do të drejtohet nga Lulzim Basha. 
Keni qenë një nga deputetët me aktivë brenda PD-së. Në 25 qershor forca që ju përfaqësoni pësoi një humbje që mund të konsiderohet e thellë. A ka një emër përgjegjësi për këtë disfatë?
Sigurisht ka një emër të cilin duhet ta thërrasim me zë të fortë. Është Rama dora vetë, ideatori i hartimit dhe i vënies në jetë të projektit “Pushtet që prodhon para dhe para që prodhojnë pushtet”. Kjo ndodhi. E paralajmëruam dhe investuam gjithçka që mos të ndodhte. Por sot jemi para një fakti të kryer tashmë e të pohuar dhe nga ndërkombëtarët: votat në Shqipëri u blenë. Demokracia është ekzekutuar. Niveli i blerjes pak rëndësi ka është 5% apo është 50 %. E rëndësishme është që sistemi ka rënë dhe ne nuk jetojmë në një demokraci klasike, baza e së cilës është vota e lirë dhe e ndershme, por në një ‘quasi demokraci’, baza e së cilës është pazari i votës, i aferave kriminale dhe i interesave të pista. Sot mjaftojnë shumë para, pak njerëz dhe një sigël për të hyrë në parlament. Sot mjafton të mos kesh program, të mos kesh sukses, të mos kesh vizion dhe ide dhe të jesh i votuar me votë të tregtuar si mall konsumi me vlerë relative që lëviz sipas kërkesë-ofertës. 

Para gjatë dhe pas zgjedhjeve kundër platformës së ndërtuar nga Basha në Parti dolën zëra mjaft kritikë. Sot këta zëra që përfaqësohen nga Astrit Patozi kërkojnë largimin e Bashës dhe rindërtimin e Partisë Demokratike. Si e konsideroni ju një lëvizje të tillë?
Brenda demokracisë së një partie të fjalës së lirë siç është PD gjithkush është i mirëpritur të shprehë qëndrimin dhe opsionet e tij. Baza e PD janë idealet, vlerat, liria e mendimit dhe e debatit për të gjetur zgjidhjet për situatat kritike brenda familjes politike dhe për vendin. Ai që e gjen veten brenda këtyre idealeve dhe vlerave nuk ka arsye të largohet pavarësisht se ka arsye për të debatuar.
Mendon se ata që flasin tani kundër kreut të PD-së, bënë aq sa mundën në fushatë?
Është një ballafaqim që gjithsecili që merr përsipër të japë konsiderata për të tjerët duhet ta bëjë me veten. 

Kritika të forta ka marrë edhe procesi i zgjedhjeve brenda partisë. Kundërshtarët e kanë konsideruar atë një farsë. Pse mendon se ndodh kjo gjë?
Procesi zgjedhor brenda PD është krejtësisht statutor dhe i duhuri. Kush ka këllqe hyn dhe e përballon, kush nuk ka largohet dhe e anatemon.

Si e sheh 22 korrikun?
Një datë zgjedhjesh të lira dhe të ndershme.

PD partia me e madhe opozitare. Çfarë duhet të ndryshojë për të përmbysur opinionin se deri tani nuk është bërë aq sa duhet për të nxjerrë në pah vlerat e vërteta të opozitës së një vendi?
Duhet aksion i fortë politik dhe një komunikim i pandërprerë me bazën dhe qytetarët për t’ju gjendur pranë tyre dhe për tu bërë zëdhënës i shqetësimeve dhe problemeve që ato kanë. Sigurisht duke ofruar zgjidhje

Ndërkombëtarët janë shprehur në raportin paraprak se zgjedhjet nuk ishin në standardet e duhura, madje sipas tyre nuk kanë qenë më të mira se sa ato të vitit 2013. Çfarë pati në këto zgjedhje që nuk arriti të bëjë ndryshimin?
Fatkeqësisht në vendin tonë këto zgjedhje instaluan regjimin e blerjes së votës dhe konfirmuan se tek ne nuk ka proces zgjedhor, por proces tregtar votimi. Se nuk ka shtet, por regjim. Nuk drejton e vendos qytetari, por drejton e vendos krimi e droga. Nuk ka pushtet ligjor por pushtet sundues aligjor. Nuk ka demokraci, por demonkraci.
Duket se kryeministri nuk ka dëshirë të njoh opozitën e vërtetë të vendit. Ai është shprehur kohët e fundit se opozita e vërtetë për të janë njerëzit e zakonshëm dhe me ta ai do të bashkëqeverisë. Si e vlerësoni?
Kryeministri është i dehur nga dëliri i një pushteti të blerë nën tinguj tallavaje. Fitorja e tij i ngjan një qielli pa yje në të cilin nuk di ku t’ia nisësh dhe ku t’ia dalësh. Nuk besoj se ky është qielli i shtatë por besoj se është ferri i treguar si përrallë e shtatë. Prandaj ai nuk di se çfarë të bëjë me këtë “mall’ që i ka “mbirë në derë”. Ta thithë apo ta bëjë crack. Nuk di as të qeverisë dhe as të ndërtojë perspektivë. Ndërton dëgjesa, por nuk e di ku nis qeverisja. Bën sikur dëgjon njerëzit e thjeshtë por në fakt merret me tekat e ministrave dhe ish-ave që presin “llokmën” e radhës. Kemi përpara një simfoni ku dirigjenti lëviz shkopin e tij sipas shkallës së dehjes dhe jo sipas partiturës e cila për sa kishim fushatë ishte e pashkruar.

A do të mund Rama të reformojë të gjitha institucionet e vendit i vetëm pa pasur nevojën e opozitës? Cili është mendimi juaj për reformën në administratë dhe mënyrën se si Rama po e reklamon se do të veprojë?
Në vendin tonë nuk ka reforma. Këtu thjesht valëviten flamujt e disa reformave që kurrë nuk u bënë dhe që prodhuan admirim vetëm për një flamur. Atë të partisë. Populizmi i Ramës i shfaqur sot si aksion politik është shprehja më e plotë e mjerimit mental dhe e degjenerimit të një qeverisje që nuk e di se çfarë do të bëjë për qytetarët me pushtetin e blerë me krim, drogë e para të pista. Jetojmë kohët e një kaosi të plotë politik e social ku mungesa e së ardhmes dhe e perspektivës për familjet e fëmijët tanë është ulëritëse. E vetmja shpresë dhe rrugëdalje mbetet PD dhe projekti i Bashës.
Sigal