Të ardhurat publike në Shqipëri janë rritur me 31% gjatë tre viteve të fundit, ndërsa objektivi i Ministrisë së Financave është që deri në përfundim të vitit të ardhurat publike të jenë 1,2 miliardë euro më të larta krahasuar me vitin 2024.
Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se rritja e të ardhurave është rezultat i rritjes së qëndrueshme ekonomike, por edhe i formalizimit të ekonomisë shqiptare.
“Për të qenë më konkret, në shtatëmujorin e parë të këtij viti, të ardhurat janë shtuar me rreth 515 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2025”, u shpreh Malaj.
Sipas ministrit, rritja e të ardhurave publike krijon më shumë hapësirë për investime dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
“Synimi ynë është që deri në përfundim të vitit t’i kemi rritur të ardhurat publike me 1,2 miliardë euro më shumë krahasuar me vitin 2024. Këto janë para që do të shkojnë për të ndërtuar më shumë shkolla, më shumë qendra shëndetësore e spitale, më shumë subvencione në biznes, apo për të ofruar shërbime të reja, si dhe për të përmirësuar shërbimet ekzistuese”, deklaroi Malaj.






















