Blushi prezanton programin e PL për rininë: Shtëpi për çiftet e reja, 20 mijë euro grant për çdo të ri 25 vjeç

58
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi mbajti fjalën e tij në “Konferencën Rinore”, të organizuar nga Lëvizja Rinore për Integrim (LRI) ku u shpreh se koha e eksperimenteve për Shqipërinë ka mbaruar dhe se në zgjedhjet 11 Majit një kohë e re për vendin dhe të rinjtë duhet të fillojë. Zyrtari i PL prezantoi edhe programin e kësaj partie për rininë.

Blushi vlerësoi figurën e presidentit të PL, Ilir Meta, i cili prej muajsh tashmë ndodhet në qeli, duke u shprehur se është politikani që ka bërë me shumë të rinjtë, duke bërë që PL të quhet edhe partia e të rinjve.

FJALA E PLOTE

Së pari më lejoni t’ju falënderoj secilin prej jush për kontributet tuaja të vyera dhe për angazhimin e jashtëzakonshëm gjatë gjithë këtyre viteve për tejkalimin e sfidave të përbashkëta dhe jo të lehta që kemi kaluar dhe me të cilat po përballemi.

Ju të rinjtë dhe të rejat e LRI, jeni shembulli i duhur i energjisë, i vizionit, i fuqisë dhe ideve, i guximit qytetar, i kurajës dhe vendosmërisë për të ecur përpara së bashku me Partinë e Lirisë me në krye Presidentin Ilir Meta që hyri në politikë prej radhëve të të rinjve 34 vite më parë, si student i Lëvizjes Studentore ’90 që shembi diktaturën më të egër të kontinentit, për t’iu shërbyer për 3 rekada, por edhe për të punuar së bashku me ju dhe vetëm për ju.

Ilir Meta është politikani që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për të rinjtë e Shqipërisë. Ndaj nga kjo Konferencë Rinore le t’i përcjellim sot përshëndetjet më të përzemërta Presidentit tonë, të shndërruar në simbol frymëzues të Lirisë, të qëndresës, të rezistencës, të motivimit dhe të luftës sonë të drejtë për fitoren më 11 Maj të kauzave tona të mëdha kombëtare dhe patriotike.

Ilir Meta e ka dëshmuar në të kaluarën, por edhe në të tashmen se u ka dhënë hapësirë të rinjve më shumë se kushdo politikan tjetër dhe se vetëm falë vizionit dhe mbështetjes së tij për të rinjtë, sot Partia e Lirisë mund të quhet edhe  Partia e Rinisë.

Sot ne nuk jemi mbledhur këtu thjesht për një takim, por për të ngritur një zë të fuqishëm, për të përcjellë një mesazh të qartë, për t’u dhënë shpresë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, si dhe për të prezantuar programin tonë të shkëlqyer 5 Prioritete për 4 milion shqiptarë plus që në fokus ka pikërisht të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë.
Pranvera vjen çdo vit, por rinia vjen vetëm një here në jetë. 

Ndaj dhe ju, së bashku me qindra e mijëra të rinj dhe të reja në gjithë vendin jeni më të vendosur se kurrë t’ia bërë të qartë dhe për t’i thënë troç Kryeministrit që po largohet se koha e tij ka mbaruar!

Se rinia juaj, se rinia e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë vjen vetëm një herë dhe ju nuk keni më kohë për të provuar dhe eksperimentuar një Kryeministër që i pati të gjitha mundësitë për 12 vite për të treguar përkushtimin e tij ndaj jush dhe ndaj gjithë të rinjve të Shqipërisë, për t’ju garantuar arsimim cilësor dhe për të krijuar vende pune të mirëpaguara, për të garantuar një Shqipëri ku të rinjtë të kenë shpresë dhe të ardhme. 

Por që në fakt bëri pikërisht të kundërtën! 

Edi Rama i zhgënjeu dhe i tradhtoi të rinjtë e Shqipërisë, u soll me ta si armiku më i egër i lirive dhe të drejtave të tyre duke i detyruar të largohen masivisht nga vendi, më keq se çdo pushtues në historinë e këtij kombi!

Por sot, ju jeni këtu për të dhënë një mesazh të qartë: Shqipëria nuk ka më kohë për eksperimente! Ju nuk keni më kohë për të dëgjuar premtime boshe! Ju nuk keni më kohë për të humbur me një qeveri që shkatërroi dhe vodhi ëndrrat dhe mundësitë tuaja!

Ne jemi mbledhur këtu jo thjesht për të paralajmëruar fitoren e  Partisë së Lirisë, por për të lajmëruar një fitore të madhe për të gjithë rininë shqiptare që fillon e sigurt nga data 12 Maj! 

Koha për të qëndruar indiferentë ka marrë fund! 

Më 11 Maj duhet të nisi një epokë e re, epoka e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë!

Ndaj dhe në zemër të Programit të saj, Partia e Lirisë ka vendosur 5 Prioritete për 4 milion shqiptarë plus, që nuk janë thjesht një plan shpëtimi për Shqipërinë, por një betim solemn për ta kthyer Shqipërinë në një tokë mundësish për të rinjtë dhe të rejat e mrekullueshëm të saj.

Ne kemi një program konkret, konciz, të çertifikuar, plotësisht të financueshëm dhe të realizueshëm që ka përcaktuar qartë 5 themelet e një Shqipërie të Lirë Demokratike dhe plotësisht Europiane ku ne do të mbështetemi, nga ai më emergjenti i ndalimit të shpopullimit dhe deri te prioriteti final për ta shndërruar Atdheun tonë në një fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon.

Ne do ta ndalojmë shpopullimin përmes politikave që nxisin lindshmërinë, mbështesin të rinjtë dhe të rejat, nënat e reja dhe familjet e reja:

– Duke garantuar pagat e nënave deri në 100% për dy vitet pas lindjes.

– Duke shumëfishuar bonusin e bebes në mënyrë të përshkallëzuar për çdo bebe.

– Duke ulur taksat në pagë dhe të ardhura për nënat me dy dhe më shumë fëmijë.

– Duke garantuar kredi për çiftet e reja, ku interesat i paguan shteti.

– Duke u ofruar shtëpi çifteve të reja sipas modelit hungarez përmes krijimit të fondeve të banesave për çiftet e reja.

– Duke ofruar kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar dhe zbritje të kredisë me 3 mijë euro për fëmijën e parë, 6 mijë euro për fëmijën e dytë, 10 mijë euro për fëmijën e tretë, e kështu në mënyrë të përshkallëzuar.

Po kështu, duke u ofruar 20 mijë euro grant për çdo të ri deri në 25 vjeç që fillon biznes social ose start-up.

Rritja e pagave dhe e pensioneve në mesataren e vendeve të rajonit, është prioriteti ynë i dytë më emergjent, sepse 1.1 milionë shqiptarë ose mbi 40% e atyre që jetojnë sot në Shqipëri, jetojnë në kushtet e varfërisë absolute dhe përjashtimit social.

Dyfishimi i pagave të mësuesve, të mjekëve, të infermierëve është prioritet absolut i Partisë së Lirisë, së bashku me miratimin me ligj të pagës së 13-të.

Dyfishimi i pensioneve të prindërve dhe gjyshërve tuaj të dashur është emergjencë dhe bashkë me të edhe pensioni i 13-të pas 12 Majit do të garantohet me ligj.

Të dashur të rinj dhe të reja të Forumit tonë rinor, një Qeveri që nuk e ka prioritet arsimin, nuk ka se si të ketë prioritet rininë dhe të ardhmen e saj. 

Ajo që ka bërë dhe po bën Qeveria e Edi Ramës me sistemin arsimor dhe me institucionet e edukimit dhe të kulturës është një katastrofë kombëtare, dëshmi e dështimit total të një reforme të propaganduar si shpëtim. 

Politikat arsimore të dështuara, të hartuara nga një tufë mediokrësh “rilindas”, nuk prodhuan asgjë tjetër përveç se një vale të re injorance dhe shkatërrimi, që vendi ynë ishte ndarë prej kohësh.

Rrënimi i shkollave si institucione, degjenerimi i edukimit dhe shembja e sistemit arsimor janë krime kundër brezave të ardhshëm! 

Ky është një sulm i qëllimshëm ndaj dijes, kulturës dhe së ardhmes të kombit tonë.

Alarmi i ngritur nga UNESCO për nevojën urgjente të përmirësimit të financimit të arsimit dhe shpërndarjes së burimeve, provon edhe njëherë atë që ne kemi paralajmëruar si Parti e Lirisë, që fatkeqësisht sot arsimi është kthyer në një emergjencë kombëtare. 

Ulja e financimit për arsimin me vetëm 3.1% të PBB, më i ulti në rajon dhe disa herë më pak se në vitin 2010, nivelet skandaloze të pagave të mësuesve dhe pedagogëve që vijojnë të kërkojnë mbështetje të paktën sa kolegët e tyre në Kosovë, si dhe mosshpërndarja e duhur e burimeve buxhetore vërteton se për “Rilindjen” arsimi kurrë nuk ka qenë prioritet. 

Përkundrazi, nënfinancimi i qëllimshëm dhe skandaloz, që ka sjellë rënien e cilësisë së arsimit, është pjesë e axhendës antikombëtare të shpopullimit për të nxitur largimin e të rinjve dhe të rejave drejt vendeve europiane si  dhe të mësuesve e pedagogëve për punësim.

Për Partinë e Lirisë, arsimi është një kryeprioritet kombëtar sepse ne besojmë se investimi në arsim eshtë investimi më madhor për të ardhmen e Shqipërisë dhe zgjidhja më e mirë për të ndaluar dramën e madhe të shpopullimit.

Ne, Partia e Lirisë do t’i japim një mbështetje të jashtëzakonshme arsimit si prioriteti ynë i tretë madhore, për rritjen dhe fuqizimin e kapitalit njerëzor  dhe gjithë zinxhirin e sistemit arsimor.

Ne do të garantojmë rritjen e financimit të arsimit në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto ose rritje të buxhetit të arsimit me 1.3 miliard euro. Buxheti për Arsimin nuk do të preket as në kohë krizash!

Rritje 100% të pagave të mësuesve dhe të pedagogëve.

Pagë të 13 për mësuesit dhe petagogët.

Inovacioni do të financohet mbi mesataren e Bashkimit Europian. 

Ligjet kryesore të arsimit do të miratohen me shumicë të cilësuar në Kuvend, përfshi strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat dhe politikat arsimore. 

Mësuesia dhe shkenca do të konsiderohen degë prioritare dhe do të mbështeten financiarisht. 

Do të realizojmë investime prioritare në degët e teknologjisë së informacionit. 

Ndërsa Arsimi Profesional do të jetë në varësi të Ministrisë së Arsimit. 

Do të reformojmë kurrikulat me ekspertë të pavarur, larg çdo ndikimi politik.

Do të implementojmë sistemin e kateringut në kopshte dhe shkolla, sipas modelit europian.

Do të garantojmë sigurimin e detyrueshëm të jetës në çerdhe, kopshte dhe shkolla për çdo fëmijë.

Do të mbështesim me 100 euro çdo fëmijë në çerdhe dhe kopsht privat.

Do të heqim menjëherë  taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore të Bashkisë së Tiranë si antikushtetuese.

Do të garantojmë akses 100% të internetit në të gjitha  institucionet arsimore.

Do të ndërtojmë kopshte, çerdhe dhe shkolla të reja, si dhe do të garantojmë ushqim falas për çerdhet dhe kopshtet.

Partia e Lirisë angazhohet gjithashtu:

 ▪ Të zgjerojë mbështetjen financiare për studentët e ekselencës.

▪ Të realizojë dhe mbështesë sistemin e praktikantëve pranë kompanive vendase dhe të huaja.

▪ Të përmirësojë aftësitë dixhitale të të rinjve. 

▪ Të përgjysmojë shpenzimet e studentëve. 

▪ Të përfshijë praktikat e detyruara të punës (intership) në Bachelor dhe Master. 

▪ Të masivizojë programin “Mëso dhe Fito”, duke rritur numrin e shkollave profesionale dhe gjithashtu duke përmirësuar kurrikulën e tyre profesionale. 

▪ Do të realizojë prokurim të laboratorëve të biznesit privat dhe infrastrukturën shtetërore për trajnimin praktik të shkollave dhe universiteteve.

▪ Do të forcojë kërkimin shkencor dhe inovacionin nëpërmjet zhvillimit të kapaciteteve njerëzore, rinovimit të infrastrukturës  dhe përmirësimit të Legjislacionit. 

– Ne do të subvencionojmë  kompanitë për çdo të punësuar deri në moshën 29 vjeç.

– Do të ngrejmë qëndrat e asistimit të sipërmarrësve të rinj me trajnime dhe këshillim për menaxhim, hartim plane biznesi dhe aplikim kredie.

– Do të ngrejmë inkubatorë të biznesit me qëllim nxitjen e start up-eve për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit.

Pa këto investime të jashtëzakonshëm në arsim dhe kapitalin njerëzor, e kemi të pamundur për ta shndërruar Shqipërinë në Fuqi Prodhuese Eksportuese dhe njëkohësisht për t’i mbajtur të rinjtë dhe të rejat në vendin tonë duke u garantuar vende pune dhe paga dinjitoze.

Të dashur të rinj dhe të reja të Forumit tonë Rinor,

Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për energjinë, për vizionin dhe forcën tuaj për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme, dinjitoze dhe të sigurt në Atdheun tuaj.
5 Prioritetet tona madhore nuk janë premtime të zbrazëta; ato janë një nxitje frymëzuese për të vepruar, për t’ju dhënë juve fuqinë dhe mundësinë për të qenë shtylla e ndryshimit që Shqipëria ka nevojë dhe do të realizojë në 11 Maj, me fitoren madhështore të Partisë së Lirisë dhe të opozitës së bashkuar, që në radhë të parë do të jetë fitorja e të rinjve dhe të rejave të mrekullueshme të këtij vendi.

Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij vizioni dhe së bashku të ndërtojmë një të ardhme ku askush nga ju nuk do të ndiejë më nevojën për të braktisur ëndrrat dhe vendin që na përket të gjithëve.

Energjia juaj pozitive e jashtëzakonshme, vizioni i qartë dhe vrulli rinor i pandalshëm duhet të përhapen si një valë e fuqishme tsunami në çdo cep të Shqipërisë! 

Çdo fshat, çdo qytet duhet të ndihet i gjallëruar nga forca e LRI-së, nga besimi për një të ardhme më të mirë dhe nga shpresa që ne sjellim për  shqiptarët. 

Tani është momenti për të shumëfishuar energjinë dhe për të ngritur Lëvizjen Rinore për Integrim në lartësinë që ky Forum meriton! 

Ju jeni forca kryesore pjesëmarrëse dhe vendimarrëse në politikat e Partisë së Lirisë për të ardhmen e vendit.

Ju jeni jo vetëm drejtues, por liderët e ardhshëm të Partisë së Lirisë dhe të vetë Shqipërisë!

Ju nuk jeni thjesht aktivistë, por misionarë të një kauze madhore qytetare, kombëtare dhe patriotike për çlirimin e Shqipërisë nga një sekt uzurpator, sorosian  si “Rilindja” që e zbrazi dramatikisht vendin nga rinia e saj! 

Ju jeni promotorët e ndryshimit, fuqia nukleare e një Shqipërie që ecën me hapa të shpejtë dhe të sigurtë drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe drejt integrimit europian.

Ju keni vizionin, përvojën, keni forcën, keni kaluar çdo sfidë dhe tani është koha të merrni në duar fatet tuaja dhe rolin që ju takon: të udhëhiqni të ardhmen e rinisë shqiptare dhe të bëni realitet ëndrrat tuaja për një Shqipëri të lirë, të drejtë, plotësisht europiane  dhe të denjë për brezat e saj!

Një thirrje të veçantë kam për qindra mijëra të rinj dhe të reja në diasporë.

11 Maji është një mundësi historike për t’i dhënë ndëshkimin e merituar dhe grushtin më të fortë këtij sekti kriminal, që ju detyroi të rrezikoni edhe jetën për të kaluar La Manshin me gomone.

Mos harroni më 11 Maj arsyen që ju detyroi të largoheni nga Atdheu juaj!

Mos harroni më 11 Maj se kush ju ndau nga familja, nga prindërit, nga motrat dhe vëllezërit tuaj, nga gjyshërit, nga shokët dhe nga shoqet tuaja, kush ju vodhi ëndrrat, kush ju vrau shpresat dhe kush ju vrau mundësitë për t’u arsimuar, kush ju la pa punë dhe kush ju mohoi të drejtën për një arsim cilësor, për një punë të mirëpaguardhe kush ju mohoi të drejtën  për të ndërtuar një jetë dinjitoze dhe të sigurtë në Atdheun tuaj.

Mos harroni më 11 Maj kush i varfëroi prindërit tuaj dhe kush i la gjyshërit tuaj në varfëri absolute me pensione mizerabël.

Mos harroni më 11 Maj se kush ua zhvlerësoi remitancat me 50%.

Ka emër dhe mbiemër, ai është armiku juaj, është Edi Rama dhe sekti i tij kriminal i “Rilindjes”, që meritojnë nga ju, të rinjtë dhe të rejat në Diasporë të marrin më 11 Maj përgjigjen më të hidhur që ai meriton.

Ndaj në këto ditë të mbetura për regjistrimin, ju bëj thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave në diasporë, të regjistroheni masivisht, sepse kjo është hera e parë që ju jepet një mundësi historike  për të shprehur vullnetin tuaj dhe për të qenë në 11 Maj pjesë e vendimmarrjes dhe e ndryshimit të shumëpritur.

Në zgjedhjet e 11 Majit, Ilir Meta, Partia e Lirisë dhe LRI do të dalin triumfues dhe do të arrijnë një rezultat spektakolar, që në radhë të parë do të jetë fitore për të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë. 

Votat për Ilir Metën dhe Partinë e Lirisë dhe programin tonë të shkëlqyer “5 Prioritete për 4 milion shqiptarë plus”, që i jep fund shpopullimit dhe varfërisë dhe e shndërron Shqipërinë në fuqi prodhuese dhe eksportuese, do të jetë masive për të realizuar ndryshimin historik, fitoren e padiskutueshme të opozites dhe largimin e Narkoqeverisjes së Edi Ramës, që ende po vijon të plaçkiti, të rrënojë dhe të mpak Shqipërinë.

Të nxitojmë në këto ditë të mbetura por vendimtare për të ardhmen tuaj, të takoni çdo bashkëmoshatar, të trokisni në çdo zemër dhe në çdo derë, të hyni në çdo shtëpi, në çdo pallat, në çdo lagje të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë për t’i njohur të rinjtë dhe të rejat, bashkëmoshatarët tuaj, me programin tonë të mrekullueshëm.

Jam i bindur se më 11 Maj vota e të rinjve për Partinë e Lirisë, nga Tropoja në Sarandë, nga Athina në Romë, nga Berlini në Londër, nga Uashingtoni në Toronto, do të jetë masive!

Anëtarësimet e reja që ne do të bëjmë sot janë treguesi më i qartë se të rinjtë na besojnë dhe se bashkë me ta pas 11 Majit, Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të Qeverisin Shqipërinë!

Së bashku, drejt fitores! Për një Shqipëri të lirë dhe europiane!