Kryeministri shprehet se në Bruksel do të isha me Bashën për negociatat. Vetingu në rrugë të mbarë

483
Rama: Në Bruksel do të isha me Bashën për negociatat
Kryeministri shprehet se Komisioni Evropian do të jetë i drejtë me Shqipërinë, ndërsa thotë se vetingu ka nisur
Kryeministri Edi Rama u shpreh se kishte rënë dakord një vit më parë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të qënë së bashku në Bruksel, në kërkim të hapjes së negociatave nga Komisioni Evropian. “Nuk po kërkojmë një favor, nuk po kërkojmë një dhuratë, nuk po kërkojmë një shprehje tjetër, përveçse afirmimit të asaj që meritojmë, hapjen e negociatave. Shpresojmë dhe besojmë që Komisioni të jetë i drejtë me Shqipërinë dhe të bëj një rekomandim të qartë dhe pastaj sigurisht mbetet beteja diplomatike për të bindur çdo vend anëtar dhe për të bërë çmos që problematika të ndryshme, brenda vendeve të mos kthehen në një arsye që të penalizohet Shqipëria”, tha shefi i qeverisë nga Brukseli. Ai nënvizoi se tanimë janë rezultatet që kanë filluar të flasin për reformën në drejtësi. “17 pesha të rënda të sistemit janë tërhequr vetë, nuk kanë shkuar në procesin e vettingut. Dëgjesat, në dijeninë time, fillojnë këtë javë dhe të tjerë do të përballen me procesin e vetingut”, nënvizoi Rama. Për të, pastrimi i sistemit ka nisur. “Do të kishte qenë vërtetë e mrekullueshme që të ishim këtu së bashku me kryetarin e opozitës sikundër e patëm biseduar në mbrëmjen e gjatë të 17 majit, por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur dhe do të na duhet që boshllëkun e madh që ka krijuar opozita dhe posaçërisht PD në këtë proces, ta mbushim me forcat tona. Nuk dua të bëj komente për opozitën. Opozita zgjedh dhe vendos atë që sheh më të arsyeshme. Populli sheh dhe gjykon, përfshirë dhe votuesit e opozitës, por dua të them që mungesa e opozitës në këtë proces apo disa deklarata të llojit “më ka çuar nana me la gojën”, janë vërtetë për të ardhur keq”, tha kryeministri. 

Nisin dëgjesat për gjyqtarët
Në Shqipëri nisën dje dëgjesat publike me drejtuesit më të lartë të sistemit gjyqësor, në kuadër të procesit të rivlerësimit të tyre. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi seancën për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo. Ndërsa nga verifikimi paraprak ai ka rezultuar pa probleme lidhur me integritetin moral dhe anën e tij profesionale, mbi të kanë lindur pikëpyetje mbi pasuritë e deklaruara, kryesisht për shkak të disa shumave disa dhjetëra mijëra dollarëshe të marra dhuratë nga e motra. Por avokati i gjykatësit u shpreh se gjithçka është bërë konform rregullave. Bëhet fjalë për një shumë 100 mijë dollarësh dhe një mjedis për zyra që ai ka marrë dhuratë nga e motra. Gjykatësi Lulo nuk ishte vetë i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij, sipas të cilit, të gjitha veprimet janë kryer përmes akteve noteriale dhe se e motra e gjykatësit është një sipërmarrëse e suksesshme në fushën e ndërtimit. “Aktet e reja që pranoi trupa gjykuese janë akte që provojnë të ardhurat e motrës së zotit Lulo që janë tërësisht legjitime”, u shpreh avokati Ardian Visha. Një tjetër moment me hije është dhe një shumë prej 480 mijë dollarësh kanadezë që Lulo ka marrë po nga e motra për të nisur në fillim të viteve 2000 një aktivitet në Kanada, por që sipas avokatit Visha, nuk është përfunduar dhe shuma është rikthyer: “Është një fakt spekulativ nga pikëpamja e interpretimit. Është një ide biznesi e tij dhe familjes në vitin 2000-2002 që nuk është realizuar”, tha avokati. Sipas Komisionit të pavarur të Kualifikimit në mesin e viteve ’90, Lulo, në atë kohë me profesion avokat nuk ka paguar detyrimet fiskale. Por sipas avokatit, ai i ka të vërtetuar shlyerjen e detyrimeve, ndërsa problemi qëndron te zyra e Tatimeve që nuk e ka të ruajtur dokumentacionin për atë periudhë. Vendimi për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese pritet të jepet te premten e ardhshme. 
Sigal