Bledar Dervishaj: Detaje të vogla me peshë të madhe për mirëfunksionimin dhe zgjedhjen e kreut të Gjykatës Kushtetuese

Bledar Dervishaj

Jurist, ish-mbrojtësi ligjor dhe përfaqësuesi i Presidentit të Republikës

NOA

 Detaje të vogla me peshë të madhe  për mirëfunksionimin dhe zgjedhjen e kreut të Gjykatës Kushtetuese

 Intervistoi Biora Vojka

 Si sot një vit më parë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë një nga vendimet më të rëndësishme dhe unike për historinë e shtetit dhe të së drejtës ; Refuzimin e Shkarkimit të Presidentit të Republikës të kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi këtë çështje në tre seanca plenare maratonë me dyer të hapura në datat 01- 03 -07 shkurt 2022, dhe në përfundim me Vendimin nr. 1, datë 16.02.2022 vendosi:  Shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”. Kush ka dëshirë ta lexojë këtë vendim mund ta gjejë  në faqen e Gjykatës: https://ëëë.gjk.gov.al/ëeb/Vendime_perfundimtare_100_1.php .

Në një intervistë për Gazetën “Telegraf”, juristi Bledar Dervishaj që mbrojti këtë çështje, analizon rolin e pazëvendësueshëm të Gjykatës Kushtetuese, çështje që sot duken të vogla, nesër në të vërtetë marrin peshë shumë të madhe.

  1. Dervishaj, cila ishte rëndësia e këtij vendimi ?

Si mbrojtësi ligjor dhe përfaqësuesi i Presidentit të Republikës në këtë gjykim ndihem me fat që m’u dha mundësia të isha pjesë e historisë së këtij gjykimi kushtetues, i cili siç e kam thënë edhe më parë nuk besoj se do të mund të përsëritet më. Përmes këtij vendimi shtetit shqiptar i është dhuruar një jurisprudencë edukativo-kushtetuese për organet më të larta të tij. Me pak fjalë është shkruajtur një udhëzim kushtetues se si duhet të sillet Presidenti, Kryeministri, Kuvendi, dhe deputetët e Kuvendit, qoftë të mazhorancës por dhe ata të opozitës, si dhe partitë politike. Eshtë një prej vendimeve më të mira dhe objektive të Gjykatës Kushtetuese Shqiptare.

Po ku është Gjykata Kushtetuese sot, pas 1 viti ?

Ajo është plotësuar me gjithë trupën gjyqësore (9 anëtarë) dhe e rinovuar krejtësisht, kjo falë punës dhe mbështetjes së gjithë organeve President – Kuvend – Gjykata e Lartë, dhe KED, pa lënë mënjanë dhe suportin e partnerëve USA- BE. Këto ditë vetë Gjykata Kushtetuese është përfshirë nga “ethet” e zgjedhjes së Kryetarit të ri të saj. Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (Neni 7/d), Kryetari zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm 1 herë.

Seanca për zgjedhjen e Kryetarit drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë ?

 Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave, ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, kryetari caktohet me short.

Po çfarë po ndodh aktualisht në këtë proces ?  

Sipas njoftimit publik të vet Gjykatës Kushtetuese dy ditë më parë më 15 shkurt 2023, rezulton se; Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në zbatim të parashikimeve ligjore, zhvilloi seancën për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Pas prezantimit të platformave dhe vizioneve të kandidateve, Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj u vijua më tej me raundin e parë të votimit. Në përfundim të këtij procesi asnjë nga kandidatet nuk mori shumicën ligjore prej të paktën 5 votash. Më konkretisht, rezultati i votimit ishte:

  1. Gjyqtarja Fiona Papajorgji – 3 vota
  2. Gjyqtarja Marjana Semini – 2 vota
  3. Gjyqtarja Holta Zaçaj – 4 vota.

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gj.Kushtetuese vendosi që të zhvillojë raundin e dytë të votimit në datën 17 shkurt 2023, ora 10:00.

Pra duket qartë që konkurenca është e fortë.

Ajo që më bie në sy është fakti se në garë marrin pjesë gjyqtarë që janë zgjedhur vetëm nga dy organe emërtese (Kuvendi zj.Papajorgji dhe zj. Semini) dhe (Gjykata e Lartë – zj.Zaçaj), ndërkohë që gjyqtarët e tjerë të emëruar nga organi tjetër i emërtesës, pra nga Presidenti i Repubikës nuk rezultojnë të kenë shprehur interes për kandidim. Për këtë mungesë interesi shpreh keqardhje. Ky nuk është një tregues i vogël, duket qartë që tensioni transferohet si në organet e emërtesës ashtu dhe drejt Gjykatës Kushtetuese.

Po pse është kaq i rëndësishëm posti i Kryetarit?

Sepse sipas ligjit Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka këto kompetenca:

  1. a) përgatit, thërret e drejton seancat plenare të Gjykatës Kushtetuese;
  2. b) përfaqëson Gjykatën Kushtetuese në marrëdhënie me të tretët;
  3. c) bashkërendon punën midis gjyqtarëve;

ç) nënshkruan aktet e Gjykatës Kushtetuese, me përjashtim të vendimeve që nënshkruhen nga të gjithë gjyqtarët;

  1. d) emëron dhe largon nga detyra personelin administrativ, si dhe merr masa disiplinore ndaj tij.

Ndërkohë që sipas rregullave organizative vetrregulluese të miratuara dhe të aplikuara deri më tani nga GJ.K, Kryetari i GJ.K cakton relatorët e çështjeve gjyqësore. Pra është ai që shpërndan kërkesat që paraqiten tek gjyqtarët relatorë. Ndoshta kjo është dhe kompetenca më e rëndësishme. Një gjë tjetër, e vogël dhe që nuk dallohet lehtësisht lidhet me faktin e drejtimit të Mbledhjes së Gjyqtarëve në këtë proces apo drejtimin e vet Gjykatës Kushtetuese deri sa të zgjidhet Kryetari i ri.

Ligji që sipërcituam kërkon që Mbledhja e Gjyqtarëve të drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë?

Mua nuk më rezulton që kjo kërkesë e ligjit të jetë përmbushur! Pse? Sepse gjyqtari më i vjetër në detyrë është gjyqtarja Elsa Toska dhe jo gjyqtarja Marsida Xhaferllari. Sipas Kushtetutës dhe ligjit zonja Toska ka kryer betimin përpara Presidentit të Republikës më parë se zonja Xhaferrlari. Në datën 14 nëntor 2019 përpara Presidentit të Republikës u betuan tre gjyqtarë të zgjedhur sipas kësaj radhe të marrjes dhe bërjes së betimit:

  1. Znj.Elsa Toska,
  2. Znj.Marsida Xhaferllari,
  3. Znj. Fiona Papajorgji

Ky është fakt i njohur botërisht po dhe zyrtarisht. Kushtetuta dhe Ligji parashikojnë se Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon ushtrimin e detyrës pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.

Në këtë mënyrë, në momentin që zonja Xhaferllari (e dyta në radhë) po kryente betimin (pra deklarimin e betimit sipas formulës dhe nënshkrimin e tij), rezulton se zonja Toska në atë moment sipas Kushtetutës dhe Ligjit tashmë nuk ishte më në pozitat e gjyqtares së zgjedhur në pritje të betimit, por, ishte gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese që e kishte filluar ushtrimin e detyrës.

Ka një dallim të madh këtu, pavarësisht se gjyqtarja Toska është vetëm 5 minuta më e vjetër në detyrë se gjyqtarja Xhaferllari, por ja që kështu është. Prandaj, Gjykata Kushtetuese që në tre dekada të funksionimit të saj ka dhënë leksione kushtetuese dhe ligjore për të gjithë, sot ka përgjegjësinë që edhe në zgjedhjen e Kryetarit/es së saj të qëndrojë lart. Sepse, edhe nëse në të dy raundet e tjera, nesër apo në vijim, nuk arrihet kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e Kryetarit të ri, atëherë do të kemi një Kryetare të re të zgjedhur me short, pra me gongla.

A është kjo shenjë e mirë?

Unë them JO. Besoj nuk ju mërzita, se u zgjata jo pak, por disa çështje që sot duken të vogla, nesër në të vërtetë marrin peshë shumë të madhe. Prandaj sot kërkojnë, kurajo, integritet dhe vëmendje!