Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar edhe njëherë tjetër SPAK, si vrasës të dytë të votës së shqiptarëve, nën kujdesen e Edi Ramës.
Sipas Berishës, ‘Skapistët e partisë’ janë njëlloj si banda e Bajrëve.
Berisha: Keni dëgjuar shumë gjëra për zgjedhjet, fushatat.
Por cila është e vërteta? E vërteta është se me Edi Ramën, kurrë zgjedhje të lira nuk ka.
Ju i keni parë vetë, zgjedhjet në Shkodër, se si autokolona e blinduar e mafias së Edi Ramës terrorizoi Rozafën e lirisë së shqiptarëve.
Ju i keni dëgjuar vetë regjistrimet se si Edi Rama, ministrat e tij, drejtuesit e policisë, kryetarët e bashkive drejtonin grabitjen e votës së shqiptarëve.
Për një moment pyesni veten.
Çfarë ndodhi me dosjen 184, çfarë ndodhi me dosjen 339, çfarë ndodhi me autokolonën mizore të Bajrëve që mbillnin terror në qytetin e lirisë.
Çfarë ndodhi me këto? Asgjë.
Po pse nuk ndodhi asgjë? Sepse Edi Rama ka përzgjedhur Skapin e partisë si vrasës të dytë të votës tuaj.
Miqtë e mi!
Jam ish-kryeministër, ish-president. Gjithë jetën time jam përulur me nderim para çdo punonjësi që ka zbatuar ligjin.
Kurse sot shqiptarët përballen me një bandë mercenarësh, me kriminelë të cilët paguhen më shtrenjtë se çdo president i rajonit dhe paguhen vetëm për të firmosur vjedhjen e votës nga Edi Rama.
Për të firmosur karrigen e tij mbi pushtetin e krimit.
A mund të pranohen ata të tillë, a mund të pranohen këta Zamanë dhe Damanë. Këta janë njëlloj si Bajrët, si banditët e tjerë të cilët terrorizojnë shqiptarët, u rrëmbejnë votën, kurse këta bëhen mburojë e tyre para ligjit.
Dhe ka moral ky grup horrash të shitet si njerëz të ligjit para jush.
Asgjë nuk kanë me ligjin, këta janë mercenarë të Edi Ramës, armiq të egër të lirive tuaja, armiq të egër të dinjitetit tuaj, armiq të egër të të ardhmes tuaj.
Nuk mund ta mbyll këtë fjalë pa një mesazh për ata të cilët po bëhen gjithnjë e më të shumtë në këtë protestë, për të rinjtë, të rejat, që po i japin fytyrën kësaj proteste.
Ju përshëndes në mënyrë të veçantë, ju bashkëmoshatarëve tuaj kudo që jeni.
Ju jeni gjeneratë e një misioni të ri, e një misioni të madh, shpëtimtar.
Por të dashur miq!
E shpëtuan njëherë Shqipërinë në vitin ’90, bashkëmoshatarët tuaj.
Ne të tjerët shkuam pas tyre.
Ata hapën rrugët e shpresës, i dhanë guxim, ata zgjuan luanin e fjetur tek qytetarët shqiptarë.
Ju sot në këtë betejë nuk jeni vetëm, me ju janë dhe do të jenë mijëra e mijëra demokratë që kanë vendosur të marrin kthesën dhe të përballen dhëmb për dhëmb me të keqen e këtij kombi, me monstrën e këtij kombi, me diktaturën e re të krimit, me Edi Ramën.
Ndaj dhe u ftoj, ngrihuni si luanë në betejë pa kthim drejt fitores.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Nderimin më të madh për ju, për oratorët e mrekullueshëm që po e shndërrojnë këtë platformë, tribunë, në tribunën e shpresës, në tribunën e guximit, në tribunën e dinjitetit, në tribunën e lirisë.
Fitore, fitore, fitore.