“Berisha, me Lika te SHISH-i, bëri atentat politik kundër pavarësisë të institucioneve”

621
Sigal

INTERVISTA/ Prof. Dr. Et’hem Ruka, deputeti i PS-së: “Kryeministri, me referendumin, kërkon t’ia hedhë Brukselit me hile tipike ballkanike”

Ndërkohë, kur referendumi është hedhur nga Kryeministri në tryezën politike, si një rrugëdalje nga qorrsokaku i dështimit të reformës të heqje/kufizimit të imunitetit dhe PS-ja përherë e më shumë ngre tonet e kundërshtimit të çfarëdo përpjekje për të realizuar kështu siç është draftin e reformës së imunitetit, Presidenti me propozimin e Kryeministrit shkarkon kryetarin e SHISH-it dhe emëron, po me propozimin e Kryeministrit, emëron si kryetar të SHISH-it, Visho Lika. Reagimi i të gjithë opozitës, qoftë të majtë, por edhe të djathtë, por edhe ngacmimi politik që shprehu Ambasada Amerikane në Tiranë, dëshmoi, sikurse pohon në intervistën për “Telegraf”, deputeti i PS-së, Et’hem Ruka, se “Berisha me Likën te SHISH-i bëri atentat politik kundër pavarësisë të institucioneve”. Duke e çuar më tej argumentin politik, zoti Ruka, paralajmëron që Berisha do të emërojë për Kryeprokuror Ristanin, ose Ristanë të tij, duke dëshmuar kësisoj, që nuk kanë më vlerë as vetë reforma e imunitetit, derisa pushteti i Berishës, ka gjunjëzuar të gjitha pushtetet e tjera.

– Zoti Ruka, dështimi i votimit të reformës të imunitetit më 6 gusht dhe nisma e referendumit, nga Kryeministri, çfarë mesazhi politik përcjellin te opinioni publik dhe te ndërkombëtarët?
– Maxhoranca e sotme kërkon alibinë e radhës për t’u justifikuar në se vendi, edhe këtë herë, ashtu si dhe shumë herë të tjera, nuk do të mund të marr vlerësim pozitiv për marrjen e statusit të vendit kandidat. Pushteti i sotëm, i njehsuar pothuajse tërësisht me shtetin, i njeh vetes vetëm një sukses, atë të shndërrimit të dështimit në fitore dhe përgatitjes së kujdesshme të opinionit për dështimin e radhës. Për fat të keq qeveria e z.Berisha kërkon t’i mbush mendjen Brukselit me një listë ligjesh e kodesh të miratuara në parlament, por pa përmbajtje dhe pa zbatim në praktikë praktik. Shkurt politika alergjizuese e ditës ka marrë për mision t’u mbush mendjen të papunëve se janë në punë, të dëshpëruarve se janë të gëzuar, të pangrënëve se janë të velur nga mirëqenia, të nëpërkëmburve nga drejtësia e munguar se sundimi i ligjit është më i fort se kurrë, se vetën në një vend si Shqipëria ndodh që korrupsioni është reduktuar te portierët e ministrive dhe aspak në nivele më të larta, se vetëm ky vend pjell kryeministra që thyejnë kampione noti në ujërat e kristalta të Jonit, kur familje të tëra romesh janë shumë të “kënaqur” qe jetojnë dramën e tyre në çadra dhe lahen me ujin e fëlliqur të lumit të Tiranës.
– Nuk është paksa e çuditshme kultivimi i idesë se është opozita ajo që nuk dëshiron reformën e heqjes së imunitetit, kundër korrupsionit?
– Politika e ditës me një propagandë të ta paparë kërkon t’u mbush mendjen shqiptarëve se është opozita përgjegjëse për papunësinë, se është opozita që organizon korrupsionin në Shqipëri, se është ajo që ushqen varfërinë në vend, se është opozita ajo që ka zënë burimet për të pasur më shumë ujë, se është ajo shkak i vapës së madhe të gushtit, se është ajo që i jep jetë krimit dhe kriminalitetit, se është opozita ajo që I nxin faqen vendit duke kërkuar transparencë në ndërtimin e rrugëve nga klientët e pushtetit, se është opozita ajo që nuk na lë rehat të caktojë kufijtë detarë edhe pse në dëm të interesave kombëtare, dhe së fundi se është opozita ajo që po na lë jashtë Europës dhe se më 6 gusht 2012 po bëri puç politik, duke mos votuar për heqjen e imuniteteve. E vërteta është krejt ndryshe. E keqja është se demokracia vazhdon të funksionojë si mos më keq e gjithmonë e më keq.
– Ku është humbur përpjekja politike e luftimit të korrupsionit në Shqipëri?
– E keqja është se lidershipi qeverisës kërkon t’u imponojë shqiptarëve pluralizëm nën udhëheqjen e partisë demokratike, se shteti pothuajse ka humbur drejtpeshimin midis pushteteve, se parlamenti është shndërruar në një shtojcë të ekzekutivit, se drejtësia është vënë në funksion të mbylljes së gojës së opozitës, se qytetarët shqiptarë janë ndarë në të dorës së parë dhe në opozitarë të dorës së dytë, se shoqërisë civile i është prerë gjuha me kohë, e sa e sa gjëra të tjera të këtij lloji.
– Cili është thelbi i atyre ndryshimeve të Kushtetutës, që kërkon PS-ja, që të kushtëzohen me reformën e heqje/kufizimit të imunitetit?
– Ta dinë të gjithë qytetarët shqiptarë se thelbi i propozimeve tona synon të garantojë pavarësinë e pushtetit gjyqësor ndaj presioneve të qeverisë, të garantojë gjyqtarët dhe prokurorët se mund të ushtrojnë detyrimet e tyre të lirë dhe jashtë trysnisë së pushtetit. Dhe atentati i fundit i Kryeministrit kundër pavarësisë të institucioneve, ishte shkarkimi i kryetarit të SHISH-it, dhe emërimi i një militanti partiak. Kjo dëshmon dy gjëra. Sa të drejtë kemi ne, PS-ja që këmbëngulim, që nuk mund të ketë asnjë reformë, pa siguruar më parë pavarësinë e institucioneve. Që Berisha nuk pranon këto ndryshime të Kushtetutës, të cilat propozon PS-ja, e bën , që të ketë dorën e lirë, të emërojë kë të dojë ai në krye të çdo institucioni, të emërojë ata që i binden vetëm vullnetit të tij politik. Kështu, bëri pardje me kryetarin e SHISH, nesër ka për të zgjedhë Kryeprokuror, pse jo, edhe Ristanin apo Ristanë. Me Ristanë e Visho Lika, do të kemi reformë të imunitetit?
– Për maxhorancën, nuk është kosto politike mosmarrja e statusit kandidat në tetor?
– Pune e madhe, po nuk e fituam statusin e vendit kandidat, rëndësi kanë zgjedhjet e radhës- kjo është logjika politike e maxhorancës, sot, me sjelljen e saj për reformën e heqje/kufizimit të imunitetit. Shkurt logjika e maxhorancës është ne se fitojmë statusin e vendit kandidat jemi të nderuar për zgjedhjet e ardhshme, por edhe në se nuk e fitojmë këtë status prapë jemi të nderuar se në bëmë gjithçka por ju e patë ishte zoti Rama ai që na pengoi.
– Me të tilla mendësi politike, çfarë vlerash do të ketë edhe vetë marrja e statusit të kandidatit, e cila edhe mund të jepet edhe në këtë tetor, për hatër të kompromiseve politike të BE-së me politikën shqiptare?
– Si mundet të bëhemi europianë me një pushtet gjyqësor të gjunjëzuar. Si mund të bëhemi europianë me një pushtet gjyqësor që dënon me disa qindra milionë lekë gjoba gati dhjetë deputet të opozitës pse patën kurajo të denoncojnë korrupsionin qeveritar. Si mund të vazhdohet me gjyqtarë dhe prokurorë të nënshtruar ndaj ekzekutivit të cilët vetëm pak ditë më parë hodhën në erë gjykimin realist të vrasjeve të 21 janarit dhe provat e sjella nga ekspertiza amerikane?
– Që kemi gjyqtar të korruptuar, mund të pranojmë që kemi edhe drejtësi të korruptuar?
– Sot dëgjon rëndomtë se ne kemi vetëm gjyqtarë të korruptuar. Nuk është aspak e vërtet. Drejtësia në Shqipëri nuk funksionon se nuk ka pavarësinë e duhur, se gjyqtari dhe prokurori mund të bëhen kur të duash pre e presioneve të pushtetit.
– Mjaftojnë vetëm reformat ligjore, sikurse është pjesë edhe reforma e heqjes së imunitetit, me/pa referendum, për të ndërtuar një shtet të së drejtës?
– Ne duam ta shpëtojmë drejtësinë nga kjo lëngatë duke i dhënë asaj frymëmarrjen që i duhet. Këtë kërkojnë edhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë. Komisioneri për zgjerimin zoti Fule këshillon se: “Reformat në fushën e sundimit të ligjit përbëjnë një faktor kyç për lëvizjen përpara në udhën drejt integrimit në BE”. Maxhoranca e sotme nuk pranon ndryshimet e Kushtetutës, që synojnë vërtet luftën kundër korrupsionit, se nuk do një drejtësi të pavarur.
– Kjo maxhorancë, mund të jetë opozitë në 2013-n. Do të thotë dikush, që derisa sot ngul këmbë në të sajën, ndoshta nuk e ka edhe frikën, kur të jetë në opozitë, ndaj edhe mund të ketë të drejtë. Ju si thoni?
– Për fat të keq vetëm këtu te ne ndodh që kur je në pushtet nuk mendon kurrë se një ditë do të rikthehesh në opozitë.
– Çfarë kuptimi ka heqja e imunitetit, me/pa referendum, në se drejtësia nuk funksionon?
– Ne deputetët e opozitës jemi shprehur qartë dhe prerazi se jemi për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Ne jemi që deputetët e zyrtarët e lartë të mos bëhen pengesë në hetimet e prokurorisë dhe vendimet e gjykatave. Ajo që kërkojmë ne është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar, e thjeshtë si drita e diellit. Ne kërkojmë që maxhoranca të mos ketë dy koraca mbrojtëse, imunitetin parlamentar dhe në mungesë të saj koracën mbrojtëse të drejtësisë së gjunjëzuar që edhe në mungesë të imunitetit të mbron krimin. Prandaj ftojmë maxhorancën bashkërisht t’i japim shansin drejtësisë që të gjykojë lirishta dhe e pagjunjëzuar si deri me sot nga ekzekutivi.
– Deri në tetor, me ose pa referendum, a ka kohë politike, që të miratohet reforma e imunitetit, që Shqipëria të mos dështojë për të tretën herë në marrjen e statusit kandidat për në BE?
– Ne, si opozitë, jemi të gatshëm të punojmë çdo ditë edhe në gusht edhe në fillim të shtatorit për t’i dhënë jetë të gjitha ndryshimeve kushtetuese. Nëse kjo maxhorancë ka vullnet dhe do me të vërtetë rritjen e krediteve të vendit përballë provës në Bruksel le të bashkëpunojë, e jo të bëjë presione politike, të punojmë së bashku duke e parë procesin si një të tërë dhe të lidhur në mënyrë organike.
Rëndësia politike e këtij referendumi 

Kompromentimi që ka ndodhur në këto vite qeverisjeje duhet të garantohet përmes një pushteti gjyqësor të gjunjëzuar. Shembuj? Sa të duash. Të gjitha proceset e mëdha korruptive kanë dështuar dhe fajtorët kanë rezultuar të pafaj. Në Shqipëri dënohen qytetarët, por jo qeveritarët. Të gjitha aferat e mëdha korruptive veçanërisht ato që kanë të bëjnë me shpërdorimin e aseteve të mëdha kombëtare duhet të garantohen e të mbulohen edhe në të ardhmen. Së dyti se maxhoranca aktuale i del të keqes përpara. Në se në vjeshtën e këtij viti nuk do kishte vlerësim pozitiv nga Brukseli duhet një alibi e besueshme për shqiptarët. Dhe alibia ka filluar të përpunohet. Fajin e ka opozita dhe lideri “rebel” i saj Edi Rama. Kjo alibi duhet sa më e besueshme se vitin tjetër janë zgjedhjet dhe zgjedhjet duhen fituar me çdo kusht.

– Ju faleminderit!