Berisha denoncon me emër: Ekipi i famëziut McGonigal i kërkoi miliona euro biznesmenit Ndroqi

141
Sigal

Kryetari demokrat, Sali Berisha, denoncoi me emër një biznesmen, të cilit Charles McGonigal me grupin e tij i kanë vënë gjobë. Berisha tha se bëhet fjalë për biznesmenin Ylli Ndroqi.

“Në takimin tonë para një jave, unë ju informova ju se ekipi i famëziut McGonigal, tradhtarit të kombit amerikan, mafiozët Dorian Duçka dhe Agron Neza, kalonin nga një lokal në tjetër, nga një hotel në tjetër, duke bërë gjahun e biznesmenëve për t’u zhvatur atyre miliona euro.

Njëri nga këta biznesmenë, të cilit i kanë kërkuar në maj të vitit 2022, miliona për ta hequr nga lista e zezë, është sipërmarrësi i njohur, është drejtuesi i rrjetit televiziv Ora News, Ylli Ndroqi.

Dorian Duçka dhe Agron Neza, këta mafiozë kriminelë dhe të pafytyrë, jo vetëm i kanë kërkuar këtij sipërmarrësi gjobën, por refuzimi i tij në prani të dëshmitarëve, t’ua paguajë atë, është shoqëruar me kërcënime të mëvonshme nga ana e këtyre dy mafiozëve.

Unë e përgëzoj zotin Ylli Ndroqi për qëndrimin që ai ka mbajtur. Këtë denoncim ai e ka bërë edhe zyrtarisht pranë autoriteteve amerikane.

Por, Ylli Ndroqi dhe jo vetëm ai, janë dëshmitarë të skenave të shëmtuara që këta çakenj, kërcënonin biznesmenët e tjerë, natyrisht edhe në praninë e Taulant Ballës.

Mbrojtja që Edi Rama i bën Dorian Duçkës dhe Agron Nezës është mbrojtje që i bën vetes së tij. Kjo skemë është e bekuar dhe e përdorur edhe për interesat e Edi Ramës.

Unë e përgëzoj Ylli Ndroqin për qëndrimin e tij të guximshëm dhe burrëror ndaj këtyre mafiozëve, por e përgëzoj edhe për vendimin që mori, pasi unë natyrisht pa autorizimin e tij publik, nuk e bëja, për ta bërë publike këtë ngjarje të shëmtuar në restorantin Padam.

SKAP-i i partisë fut kokën nën jorgan. Nuk ka qëndrime më të turpshme se këto. Gjobëvënës që qarkullojnë me lejen dhe autorizimin e kryeministrit. Për SKAP-in, asgjë nuk ka ndodhur,” tha Berisha.