Intervistoi: Ëngjëll Musai, Drejtor i Telegraf
Rilindja e ka kthyer shtetin në Shpk, duke kapur drejtësinë për të eleminuar kundërshtarët politik
Intervistë për gazetën “Telegraf” me Prof.Dr. Enver Bytyçi/ Dëmtimi i shtetit ligjor, dhunimi i të drejtave themelore të njeriut, keqpërdorimi i medias dhe gjyqësorit si mjet nënshtrimi për gjueti shtrigash kundër opozitës e kundërshtarëve politikë. Korruptimi i personaliteteve ndërkombëtare në funksion të luftës së bremdshme politike, skandali McGonigal, hetimet e FBI-së dhe Kongresit të SHBA-ve, shpopullimi, patronazhistët, dhe Komisioni Hetimor parlamentar. Reforma në Drejtësi ka pësuar fatin e Kalasë së Rozafës, dhe pse Refendumi Popullor do të synojnë të rikthejë padrejtësinë.
Dëmtimi i shtetit ligjor, dhunimi i të drejtave themelore të njeriut, keqpërdorimi i medias dhe gjyqësorit si mjet nënshtrimi për gjueti shtrigash kundër opozitës e kundërshtarëve politikë e mediatikë mund të konsiderohen si ‘rezultatet’ më madhore të filozofisë së qeverisjejes së Rilindjes në këto 10 vite, e cila po e çon drejt shkatërrimit, pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri. Paralizimi dhe zaptimi i institucioneve kushtetuese, kthimi i Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve në letra pa vlerë, po shiten, si ‘suksese’ apo ‘progres i paparë’, deri edhe pjesë e raporteve të ‘mjaltosura’ të ndonjë institucioni ndërkombëtar; elementët e të cilëve kur dalin në pension në vendet e tyre të BE-së, edhe pse janë mediokër, shpërblehen duke u punësuar si këshilltarë në institucionet e larta shqiptare. Pasurimi i politikanëve vendas dhe oligarkëve rusë, varfërimi ekstrem, e nënshtrimi i qytetarëve, shkatërrimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, masakra me Reformën në Drejtësi dhe kapja e institucioneve, që dolën prej saj, pandëshkueshmëria, PPP, investitorët strategjik, zëvendësimi i “Patronazhistëve” me “At1vistët”, superskandali mbi korruptimin e agjentit të FBI-së McGonigal, lidhjet me kryeministrin Rama dhe sekserët e tyre, shpalljet non-grata të politikanëve dhe biznesmenëve shqiptar, fillimi i hetimeve nga FBI dhe Kongresi i SHBA-ve, heshtja e SPAK dhe mosparaqitja në interpelancë e kryeministrit Rama si dhe marifetet për të bllokuar Komisionin Hetimor Parlamentar janë pjesë e kësaj interviste që gazeta Telegraf.al, zhvilloi me Prof..Dr. Enver Bytyçi.
“Kryeministri i Shqipërisë korrupton personalitete ndërkombëtare në funksion të luftës së vet politike të brendshme kundër kundërshtarëve politikë. Pra, bën favore e jep para ‘kesh’ në garazhe për të shpërblyer krijimin e dosjeve të fallsifikuara për shpalljen non-grata të kundërshtarëve politikë”
Intervista e plotë:
Opozita ka deklaruar se do të bëjmë Referendum Popullor për masakrën që i është bërë Reformës në Drejtësi dhe ndryshimeve të njëanshme të Kushtetutës, çka ishte paralajmëruar edhe më parë nga Komisioni i Venecias, sipas të cilës; “Çdo ndryshim i Ligjit për Vetingun do të prishte balancat e reformës”?
Eshtë e natyrshme që ndryshimet kushtetuese, të cilat i ka votuar në mënyrë arrogante e të njëanshme një parti e modelit totalitar, si PS-ja, t’i nënshtrohen Refendumit Popullor. Edi Rama ka bërë ndryshime kushtetuese sipas interesave të tij. Ato ndryshime synojnë padrejtësinë dhe pandëshkueshmërinë për qeveritarët dhe oligarkët e tij. Prandaj dhe ato ndryshime duhen revokuar. Referendumi është mjeti legjitim për këtë. Nuk ka mënyrë tjetër për të riparuar dëmet e mëdha që ‘rilindja’ i ka shkaktuar Reformës në Drejtësi dhe reformave në përgjithësi. Opozita bën mirë që projekton shtetin e së drejtës dhe premton veprime legjitime për ndryshimin e madh që duhet të vijë.
“Reforma në Drejtësi ka pësuar fatin e Kalasë së Rozafës. Shqiptarët, ndërkombëtarët, opozita duan drejtësi të pavarur. Edi Rama ia heq çdo ditë një tullë kësaj drejtësie. Ai nuk njeh as kushtetutën, as parlamentin. Opozitën si institucion e dhunon dhe e përdhunon… Referendumi Popullor do të synojnë të rikthejë padrejtësinë dhe pandëshkueshmërinë për Ramën, qeveritarët dhe oligarkët e tij.”
Institucionet e reja të drejtësisë nuk guxojnë të hetojnë dhe ndëshkojnë asnjë zyrtar, që ka abuzuar me tenderat, PPP-të, ‘Rindërtimin’, pagesat për personat në kërkim për inceneratorët, shkatërrimin e sistemit mjekësor e arsimor etj. Mendoni se duhet “shkallmuar” Drejtësia e re e pashallarëve të kuq?
Reforma në Drejtësi ka pësuar fatin e Kalasë së Rozafës. Shqiptarët, ndërkombëtarët, opozita duan drejtësi të pavarur. Edi Rama ia heq çdo ditë një tullë kësaj drejtësie. Ai nuk njeh as kushtetutën, as parlamentin, opozitën si institucion të cilën e dhunon e përdhunon, e kësisoj i ka thënë drejtësisë në këtë vend “Mirë u pafshim” në botën tjetër! Shteti ka marrë fund. Asgjë nuk funksionon bazuar në rend, ligj, rregull e Kushtetutë! Gjithçka projekton kryeministri dhe më pas zvarranikët pas tij, turren si milingona për të mbështetur anti-shtet, anti-drejtësi e anti-humanitet. Gjithçka që bëhet ka vetëm një objektiv: “Të mbrohet Edi Rama”, sepse të tjerët pas tij janë vetëm numra, jo qenie njerëzore. Ata që janë në burg dhe ata që janë gati të shkojnë aty nuk vepruan vetëm, as pa urdhër. Ishte kryeministri që i zgjodhi pikërisht për talentin, që kishin dëshmuar në vjedhje, grabitje e krime. Ishte po kryeministri, që i udhëzoi e jo pak raste i urdhëroi të grabisnin pa limit pasurinë e shqiptarëve. Madje pa u kujdesur për zbatimin e ndonjë proçedure apo ligjeve të vendit. Ai që duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha ç’ka ndodhur me PPP-të, ‘Rindërtimin’, ‘Inceneratorët’ etj është Edi Rama. Është vetë Rama që u ka kërkuar vartësve të tij të bëjnë novacion se çfarë dhe si do të vjedhin e do të grabisin. U ka rekomanduar të bëjnë projekte ku vidhet më së shumti për të investuar taksat tona. Gjithçka që ka ndodhur në këto 10 vite në Shqipëri është projekt i Edi Ramës, ide e tij, vepër e kryeministrit. Viktimat e Kalasë së Rozafës që ai sakrifikon nuk mund ta shpëtojnë nga përgjegjësia politike, morale e penale.
“Konflikti politik që nxit Rama për mbijetesë është shkaku kryesor i dramës së emigracionit. E ka kthyer podiumin e parlamentit, tempullin e shpresës në një guvernë idiotike shpellash! Kjo është arsyeja kryesore e ikjes dhe madje shpesh herë e mallkimit të Shqipërisë nga shqiptarët!”
Emigrimi është plaga e madhe e shqiptarëve. Po largohen investitorët e huaj, sepse qeveria ka deformuar tregun, gjë që sjell papunësi, varfëri e pasiguri. A mendoni se krijimi i gjoja mekanizmave për “Investitorë Strategjikë”, PPP, tenderat me miliona euro e prokurim të drejtpërdrejtë, kanë si synim grabitjen e pasurive kombëtare nga ana e koalicionit Qeveri-Oligarki?
A besoni kur Kryeministri shkon p.sh në Tokio dhe jep lajme utopike, se paska kërkuar investititorë japonezë që të vijnë në Shqipëri?! Propagandë! Shou TV, siç ka ndodhur rëndom gjatë një dekade. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore pati shqiptarë që u gënjyen nga komunistët, kur besuan se “do të hanin me lugë të florinjtë“! Nëse do të ishin realizuar premtimet e vitit 2013, sot shqiptarët do të “hanin me atë lugën e florinjtë” të premtuar që para 80 vitesh. Por rrena e mashtrimi është tipari kryesor i ‘Rilindjes’ së Edi Ramës. Kjo është arsyeja pse ka humbur besimi. Ky është shkaku pse njerëzit kanë ikur, po ikin dhe duan të ikin me vrap nga Shqipëria, madje pa kthyer kokën pas, e shpesh herë duke e mallkuar vendin e tyre. Në fakt kjo që po ndodh më duket si lëvizja çartiste angleze e shekullit të XVIII, kur punëtorët e fabrikave shkatërruan veglat e mjetet e punës në shenjë revolte ndaj pronarëve. Edhe sot shumë shqiptarë fajësojnë Shqipërinë, në vend ta tregojnë me gisht autorin e këtij “genocide” mbi popullin shqiptar. Në vend t’i thonë Edi Ramës se: “Ti je drama jonë e vërtetë”, se “Ti je shkaktari i vetëm i kësaj tragjedie që po na ndodh ne shqiptarëve”. Shqiptarët ikin nga Shqipëria dhe Edi Rama i gëzohet këtij spastrimi etnik! Sepse ai është në pushtet me votën e shqiptarëve për t’i shërbyer pushtetit dhe prestigjit të tij. Ai është nga ai lloj liderësh, për të cilët Max Ëeber thotë se nuk kanë qëllim tjetër në jetë, vetëm të shijojnë prestigj përmes arrogancës që shprehin. E bën këtë edhe në publik. Fyen, përgojon, merret me gojore e maskarallëqe të tjera si kjo, intimidon dhe tallet me njerëzit për atë që janë, e në fund del një ditë e thotë: “Më falni se edhe unë kam rënë në kurthin e llafeve”! Provokon dhe pastaj del e thotë “Shihni, këta janë e keqja“! Eshtë rast ‘siu generis’ ajo se si sillet dhe si serviret kryeministri i Shqipërisë para shqiptarëve. Eshtë kjo atmosferë që u është imponuar shqiptarëve dhe ka krijuar klimën e pamundësisë për t’u bërë ky vend. Konflikti politik që nxit Rama për mbijetesë është shkaku kryesor i dramës së emigracionit. Asnjë njeri normal nuk rri në një vend ku kryeministri sillet si klloun çdo ditë në foltoren ose podiumin e parlamentit. E ka kthyer tempullin e shpresës në një guvernë idiotike shpellash! Kjo është arsyeja kryesore e ikjes dhe madje shpesh herë e mallkimit të Shqipërisë nga shqiptarët!
“Për skandalin McGonigal – Rama janë hapur hetime edhe për pastrim parash në SHBA. Është kjo shkelje e legjislacionit amerikan, që do ta vendosë atë shpejt në bankën e të akuzuarve! Për këtë arsye hoqi zotin Bendo nga kryetar të SHIK-ut. Ai e ka ndërtuar vetë, me duart e tij qelinë e vet. Largoi zotin Nano nga kreu i Policisë së Shtetit Nuk ka SPAK, as drejtësi, që mund ta shpëtojë”
Skandali që ka mbërthyer SHBA-në dhe Shqipërinë për lidhjet e ish-Drejtorit të Kundërzbulimit të FBI-së, McGonigal, me kryeministrin Rama është i përmasave të jashtëzakonshme. Ish agjenti i FBI-së, Kryeministri, këshilltari i tij Duçka dhe një ish-agjent i Sigurimit të Shtetit dhe më vonë i SHIK-ut, kanë bërë takime sekrete, duke anashkaluar institucionet e Sigurisë Kombëtare.
Ajo që ka ndodhur në aferën McGonigal-Rama është e pashembullt. Jam i sigurt dhe do ta shohim shpejt se si në Netflix do të shfaqen filma me këtë aferë të tmerrshme. Shumë njerëz fajësojnë SHBA-të për këtë, madje edhe sistemin e atjeshëm. Por së paku në SHBA bëhen hetime dhe bëhen ndëshkime. Ky i joni, ky i gjati, na thotë se “nuk ka asnjë provë, asnjë fakt, nuk ka lidhje me hetimin që bëhet në Amerikë”! Po mirë mor ditëzi! Pse vetëm emri yt përmendet 14 herë në akt-akuzë? Pse nuk përmendet emri i një kryeministri tjetër në botë ose në Europë?! Sepse ti nuk je kryeministër, nuk je shtetar! Ti e ndërton marrëdhënien me partnerët, siç e ndërtove me McGonigal, në formën e korruptimit. Sepse Edi Rama është i vetmi kryeministër në botë që prioritet të tij ka korrupsionin në të dy format e tij, në formën aktive e atë pasive. Ndodh që kryeministrat e ndonjë vendi të jenë të korruptuar, por që janë korruptuar vetë dhe nuk i kanë përdorur paratë që i kanë grabitur qytetarëve të tyre për të korruptuar njerëz eminentë në SHBA apo vende të tjera!
Kanë lobuar për shpalljen non-grata të politikanëve, por edhe të biznesmenëve që nuk paguanin gjobat miliona euro të kërkuara prej tyre.
Ajo që e dallon dhe e bën unik këtë veprimtari kriminale korruptuese është se kryeministri i Shqipërisë korrupton personalitete ndërkombëtare në funksion të luftës së vet politike të brendshme kundër kundërshtarëve politikë. Pra, bën favore e jep para ‘kesh’ në garazhe për të shpërblyer krijimin e dosjeve të fallsifikuara për shpalljen non-grata të kundërshtarëve politikë. Ndërsa pagesat e McGonigal në miliona dollarë nga biznesmenë të fuqishëm në Shqipëri është intrigë e Edi Ramës. E vërteta është se kryeministri ia ka rekomanduar skemën e pasurimit McGonigal. Eshtë ai që ka krijuar mekanizmat e thash e themeve se x apo y biznesmen do të shpallet non-grata dhe më pas ka lëshuar pas tij shefin e kundërzbulimit të FBI-së për të zhvatur miliona prej tyre. Nuk ka mundur që këto skema t’i realizojë i vetëm McGonigal. Eshtë absurde të besohet se ai ka vepruar i vetëm. Ai kishte ndihmën e regjinë e Edi Ramës. Pikërisht për këtë arsye McGonigal është fashionuar nga aftësitë e Edi Ramës, duke ia paguar edhe darkën 10 mijë dollarëshe.
Ky skandal është bërë objekt hetimi në Kongresin Amerikan. A mendoni se SHBA do t’i shkojë deri në fund hetimit dhe ndëshkimit të autorëve? Po heshtjen e SPAK dhe diplomatëve për skandalin McGonigal-Rama?
Për Edi Ramën duhej menjëherë të fillonin hetimet. Kjo do të ndodhë. Nuk do të kalojnë shumë muaj, por vetëm pak muaj e ndoshta pak javë, dhe kryeministri i sotëm do të gjendet nën presionin e dorëheqjes dhe më pas të llogaridhënies jo vetëm për skandalin me McGonigal. Për Edi Ramën janë hapur hetime edhe për pastrim parash në SHBA. Është kjo shkelje e legjislacionit amerikan, që do ta vendosë atë shpejt në bankën e të akuzuarve! Ai e ka ndërtuar vetë, me duart e tij qelinë e vet. Nuk ka SPAK, as drejtësi, që mund ta shpëtojë. Nuk do të dalë prej përgjegjësisë së krimeve që ka bërë edhe sikur ta çojë në burg gjithë stafin e tij e të krijojë skema mashtrimi me thirrjen në SPAK të të gjithë kundërshtarëve të tij politikë. Kryeministri i Shqipërisë ka bërë gjithçka që të fshehë sa më shumë nga krimet korruptive që ka bërë. Për këtë arsye hoqi zotin Bendo nga kryetar të SHIK-ut. Largoi zotin Nano nga kreu i Policisë së Shtetit. Besnikëria është kriteri themelor i rekrutimit në administratën politike e shtetërore të Edi Ramës. Ai jeton me ëndërra. Nuk e di se çfarë di e çfarë nuk di FBI-ja, CIA amerikane, shërbimi anglez apo gjerman. Nuk e di se çfarë infosh kanë për të ambasadat e huaja këtu në Tiranë. Eshtë mëkatar i tillë që nuk ka idenë se deri ku i ka shtrirë tentakulat e tij në shtetin mafioz shqiptar!
Si e komentoni mos-vajtjen e Ramës në Parlament për të dhënë shpjegime, si dhe bllokimin e komisionit hetimor parlamentar?
Edi Rama nuk shkon dot në parlament. Nuk mundet të përballet me akuzat e skandalit me McGonigal. Do të duhet të japë llogari, pse përdor sekserë dhe këshilltarë për të korruptuar zyrtarë të lartë të FBI-së. Duhet të japë llogari pse përpiqet të zhdukë opozitën shqiptare. Ndërkohë ai jeton në detin e enigmave pafund, sepse prapësitë dhe krimet e tij janë aq të shumta, sa dhe ai vetë nuk e di se çfarë do të zbulohet pas kësaj. Prandaj atij i shërben më mirë se gjithçka heshtja! Ai ndërtoi shtetin njëpartiak, madje çerekpartiak, sepse në shtetin e Edi Ramës nuk përfaqësohen as socialistët. Përfaqësohen vetëm shërbëtorët e tij besnikë, prandaj atij nuk i mbetet tjetër, vetëm se të injorojë opozitën dhe të bojkotojë parlamentin.
Patronazhistët e kritikuar nga BE dhe SHBA janë zëvendësuar me platformën e re “Akt1visti“, duke prekur të dhënat personale! Po ky zhvillim çfarë përbën për demokracinë në vendin tonë?
Nuk do të bëjnë punë as Patronazhistët, as Akt1vistët. Destinacioni i kryeministrit të Shqipërisë dhe Rilindjes është dështimi me turp. Dështimi për shkak të mos-qeverisjes, për shkak të korrupsionit, për shkak të bashkëpunimit me mafien dhe krimin e organizuar, për arsye të nepotizmit dhe padrejtësive, të varfërisë dhe mungesës së perspektivës etj.