Bashkia Skrapar në ‘kolaps’ buxheti, punonjësit i dërgojnë letër të hapur kryeministrit Rama

581
Sigal

Nga bllokimi i pagave për afro 400 punonjës preken afro 1.300 banorë të njësive familjare

Punonjësit e bashkisë Skrapar, bashki e cila është futur në kolaps si pasojë e bllokimit të buxhetit të këtij viti, i janë drejtuar me një letër kryeministrit Rama ku i kërkojnë ndërhyrje për të zgjidhur situatën. Ata shprehen të indinjuar përballë kësaj situate, duke deklaruar se kanë vite që punojnë në këtë bashki, pavarësisht forcave politike që e kanë drejtuar atë. “Kemi punuar e punojmë me përkushtim përballë çdo sfide duke zbatuar me prioritet edhe orientimet e Qeverisë lidhur me funksionimin e Vetëqeverisjes Vendore”. Punonjësit e bashkisë Skrapar deklarojnë se situata e krijuar po rëndon mikro-ekonominë lokale, si dhe vetë punonjësit e Bashkisë që prej 3 muajsh nuk paguhen. “Kjo ka rënduar familjet tona, faturat të energjisë dhe ujësjellësit pa paguar, Kredi të Pashlyera, Fëmijë në Shkolla të cilët presin nga paga e prindërve të tyre, si dhe efekte të tjera që po e rëndojnë familjen skraparase”. Vetëm nga bllokimi i pagave për afro 400 punonjës (përfshirë edhe shërbimet e deleguara) në total preken afro 1.300 banorë të njësive familjare. Punonjësit e Bashkisë Skrapar kërkojnë mirëkuptimin dhe reagimin e Ramës përballë kësaj situate që kërkon zgjidhje të shpejtë. Gjithashtu, shprehen ata, “nëse mundësohet, ne jemi të gatshëm për t’u takuar me ju mbi këtë problematikë”.

Kërkesat e punonjësve bashkiakë për kryeministrin Rama:

  1. A do të kërkonit ju, që përballë kësaj situate të vepronit me 1/12 e Buxhetit Fakt të vitit të kaluar?
  2. Teknikisht, nga ana e juaj këto vendime janë të zbatueshme, apo jo?
  3. Si do t’u përgjigjeshit nevojave të komunitetit, kur ndërkohë Dega e Thesarit nuk lejon të punohet me 1/12 për të dhënë shërbimet bazë në komuniteti që aktualisht janë të bllokuara, si çerdhet, Konvikti i Shkollës së Mesme, Fëmijëve me Aftësi Ndryshe etj?
  4. Nëse do të “quheshin të mirëqena” Vendimet e Këshillit, me çfarë pasqyrash financiare do t’ia përcillnit, Degës së Thesarit për ekzekutim?
  5. Nga e gjithë korrespodenca që do ndiqnit me institucionet, lidhur me këtë problematikë, si do të ndiheshit ju, përballë mosreagimeve të tyre?
  6. A do të t’i linit ju pa shërbime komunitare, edhe përse janë në zonat më të largëta?

anash