Florian Feyerabend: Shqipëria nuk ka bërë progres të dukshëm për integrimin

619
Sigal

 

Në intervistë ekskluzive për DW, eksperti i Fondacionit Konrad Adenauer për Ballkanin Perëndimor, Florian Feyerabend, thotë ndër të tjera, se Shqipëria duhet të tregohet e rezervuar në zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Deutsche Welle: Zoti Feyerabend, Deputetët e PD-së tashmë janë larguar përfundimisht nga parlamenti dhe i kanë dorëzuar mandatet e tyre. A jeni dakord ju me këtë hap?

Florian Feyerabend: Shqipëria ka nisur shumë reforma gjatë viteve më të fundit. Por ka pasur dhe abuzime dhe shumë mangësi, për të cilat opozita ka folur shpesh në muajt e fundit, siç janë problemet me Krimin e Organizuar, skandalet me korrupsion, blerjen e votave, kufizimi i lirisë së medias, mosveprimet në politikat arsimore dhe mosrespektimi i të drejtave të opozitës parlamentare. Qytetarët dhe sidomos të rinjtë janë shumë të pakënaqur dhe të zhgënjyer, siç e dëshmuan edhe protestat studentore në dhjetor. Opozita e sheh veten edhe si zëdhënëse të kësaj pakënaqësie të përgjithshme, e cila u pasqyrua edhe në numrin e madh të pjesëmarrësve në protestat e 16 dhe 21 shkurtit. Stabiliteti afatgjatë dhe zhvillimi i qëndrueshëm realizohen vetëm me procese transformuese gjithëpërfshirëse. Të mbyllësh sytë para problemeve dhe mangësive faktike do të ishte e gabuar. Dhe pikërisht kjo detyrë i takon sidomos opozitës, si organ kontrollues i qeverisë. Me përjashtim të vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve më të lartë, nuk është realizuar ndonjë progres i dukshëm në krahasim me qershorin e vitit 2018. Në interes të qytetarëve të Shqipërisë mbetet shumë për të bërë! Jo vetëm për të arritur çeljen e negociatave me BE-në, e cila do të jetë vetëm guri i parë i kilometrazhit në procesin ambicioz të anëtarësimit – por edhe sepse reformat janë në të mirë të popullsisë së Shqipërisë. Reformat nuk bëhen për hir të reformave! Edhe nëse Bundestagu Gjerman – në qershor ose ndoshta në shtator – do të japë dritën jeshile, ka ende 26 shtete të tjera anëtare të BE-së që duhen bindur. Qeveria aktuale duhet, pra, të dëshmojë me prova, se po bën përpjekje serioze për reformat në interes të popullsisë shqiptare. Pra, nuk ka kohë për të humbur.