Bashkia Shkodër: Rritja e tarifave për mbetjet, aferë korruptive

194
Sigal

 

Bashkia Shkodër është vënë në dijeni lidhur me një vendimin absurd të Shoqërisë Ndërkomunale Bushat dhe Këshillit të Bashkisë Vau i Dejës, për rritjen me 43% të tarifës për depozitimin e mbetjeve urbane në landfill, për banorët në dy qarqet Shkodër dhe Lezhë. Në lidhje me këtë vendim, Bashkia e Shkodrës i është drejtuar me shkresë zyrtare Ministrisë së transportit dhe Infrastrukturës, Agjensisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Prefektit të Qarkut Shkodër, duke kërkuar trajtimin me përgjegjësi të kësaj çështje kaq sensitive. Këto janë vendime të paligjshme dhe për më tepër, ashtu sikurse institucioni i Prefektit të Shkodrës, me datën 31 dhjetor konfirmon me shkresë, Vendimi i Këshillit të Bashkisë Vau i Dejës nuk është depozituar ndonjëherë, për të marrë shprehjen e ligjshmërisë nga Prefektura. Në shkresën dërguar Bashkisë Shkodër nga ndërkomunale Bushat, kërkohet një rritje e pagesës me 43 % të tarifës së depozitimit të mbetjeve urbane në këtë landfill, nga 863 lekë në 1500 lekë për ton mbetje të depozituar, me një kosto shtesë prej 26 milionë lekë të reja në vit, peshë për banorët dhe bizneset. Vërej që Landfilli i Bushatit është ndërtuar me fonde publike dhe është në pronësi të Ministrisë dhe jo të një bashkie. Është ndërtuar për të shërbyer bashkive të dy qarqeve. Ajo që ne realizojmë sot është pagesa e rregullt për depozitimin e mbetjeve. Një vendim i tillë për rritjen me 43% të tarifës, nuk ka asnjë bazë ligjore, nuk ka asnjë analizë tekniko- ekonomike që arsyeton këtë rritje tendencioze të papritur. Ligji për Vetëqeverisjen vendore dhe për financat nuk lejon asnjë ndryshim të sistemit tarifor në këtë mënyrë, e për me tepër një rritje e tarifave vendore është e papranueshme 3 muaj para zgjedhjeve. Kjo është një aferë korruptive, një vjedhje e hapur që u bëhet banorëve dhe bizneseve të dy qarqeve Shkodër dhe Lezhë. I kërkoj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Prefektit të Qarkut Shkodër të shqyrtojnë me përgjegjësi këtë situatë duke ndaluar ekzekutimin e paligjshëm të këtij vendimi abuziv që prek drejtpërdrejt çdo banor e biznes, e ndërkohë krijon kolaps në depozitimin e mbetjeve urbane për dy qarqet Shkodër dhe Lezhë. Trajtimi me transparencë të plotë për çdo banor dhe biznes, dhe konform ligjit, është përgjegjësi dhe detyrim për të gjithë.