Shumë foto publikohen nga qeveria, për të treguar se si do jetë qendra e vaksinimit në stadiumin ‘Arena Kombëtare’. Janë disa ndarje për vaksinim diku në një cep të stadiumit. Kur i sheh, gjithkush mund të pyesë se përse duhet bërë në stadium kjo gjë, kur mund të ishte bërë në çdo klinikë apo spital të vendit, që kanë edhe infrastrukturën e duhur? Arsyeja është e thjeshtë: Ramës i duhet e gjitha kjo për propagandë. Për të treguar se në stadium po bëhet nami, kur vaksinat do jenë me pikatore. Vaksinat nuk kanë mbërritur akoma, por spektakli ka nisur që tani. Reklama, logo, qindra kronika televizive nga mediat e tij për 10 mijë vaksina, që nuk mjaftojnë as për të vaksinuar një fshat të Shqipërisë. Në kontrast me gjithë këtë zhurmë është ajo që ndodh në Kosovë. Qeveria atje shpalli pa bujë që i ka blerë 500 mijë vaksina te kompania ‘Pfizer’. Mjaftoi një postim në FB nga ministri i Shëndetësisë dhe kaq. Kurse shqiptarët po paguajnë më shtrenjtë propagandën, sesa vaksinën. E para, sepse mbuluan një vizitë super të shtrenjtë të Ramës dhe delegacionit të tij në SHBA. Dhe tjetra, se u detyruan ta marrin këtë sasi, të shitur shumë shtrenjtë nga propaganda e ‘rilindjes’. Dhe u detyruan të dëgjojnë nga Edi Rama se si ai përmes heroizmit personal paska arritur të gjejë vaksinën. Dhe dëgjuan për orët pa gjumë të kryeministrit. Mirëpo, e vërteta vonon po një ditë del. Kosova ka arritur të njëjtën gjë pa shpenzime të çmendura të kryeministrit në turizëm disa ditor në pikun e pandemisë. Dhe u ka kursyer qytetarëve propagandën që të sjell zorrët në grykë. Kuptohet qartë se ‘Pfizer’ ka një kontratë tip dhe një sasi standarde dozash për vende si ne. Dhe të njëjtën gjë ka akorduar për Kosovën në mënyrë krejt të natyrshme. Dhe të njëjtën gjë edhe për Shqipërinë ku kryeministri shet mend gjithë ditën se arriti të sigurojë ai i vetëm, me krejt botën kundër, melhemin për popullin, pa vënë gjumë në sy. E gjitha kjo shfaqje i ngjan për nga çmenduria asaj që ndodhi në marsin e vitit të shkuar, kur në rrugë dolën blindat për të luftuar virusin.





















