Basha: Zgjedhje të parakohshme nëse nuk miratohet “dekriminalizimi”

506
Ndërsa ka lëshuar thirrjen e fundit në drejtim të mazhorancës qeverisëse për miratimin e një ore e më parë të ligjit për dekriminalizimin dhe vënien para drejtësisë të Ministrave të korruptuar, kreu i demokratëve Lulzim Basha ka hedhur në tavolinë edhe obsionin e zgjedhjeve të parakohshme, ose një qeveri teknike që t’u paraprijë.
Basha: “Sot u bëj një thirrje të fundit, të reflektojnë pa vonesë për ligjin për dekriminalizimin, për gjendjen e mjerë të ekonomisë shqiptare si rezultat i korrupsionit dhe hajdutërisë, ose përndryshe në ditët dhe javët në vazhdim do të përballen me një aksion masiv popullor të PD.
Deklarata e fortë erdhi fill pas një takimi të gjatë që pati me kreun e Ambasadës amerikane në Tiranë, Donald Lu në selinë e PD-së, duke theksuar se demokratët në aksionin e tyre politik kanë edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”.
Basha: “Kemi mbështetjen e partnerëve tanë të cilët na kanë garantuar se do bëjnë gjithçka për të mbështetur objektivat tona që i shërbejnë qytetaërve dhe Shqipërisë. Por ashtu si PD dhe shqiptarët vlerësojnë se ora po troket ashtu dhe partnerët tanë po e shohin që ora e vendimarrjeve të mëdha po vjen.Do ti marrim këto vendimarrje bashkë me kundërshtarët tanë politikë apo do ti marrim pa ta, kjo nuk është në dorën tonë por kundërshtarëve tanë politikë”.
Zgjedhje të parakoshme?
Basha: “Padyshim që zgjedhjet e parakohshme dhe një qeveri teknike që ti paraprijë zgjedhjeve të parakoshme është një obsion që PD shton në tavolinë. Por sot për sot ne insistojmë në përmbushjen e axhendës, ligjit për dekriminalizimin për ti hapur rrugë një politike të pastër”.
Do hiqni dorë nga testi i drogës?
Basha: “Për testin e drogës PD nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tërheqje, por kjo nuk pengon ligjin të shkojë në parlament dhe të votohet me gjithë dispozitat e tjera të rëna dakord”.
Basha: Ministrat e korruptuar para drejtësisë
Basha: Gjendja në vend është shumë e rëndë dhe arsyet e kësaj krize politike, ekonomike dhe psikologjike që po kalojnë shqiptarët, rrënjët e të keqes janë inkriminimi i politikës, korrupsioni i pandëshkuar i zyrtarëve të lartë dhe aftësia e jo më të mirëve dhe më të aftëve për të përparuar në ekonomi, biznes, shkollë dhe politikë por aftësia e krimit për t’iu imponuar vendimarrjes në çdo fushë të jetës. PD dhe unë personalisht qëndrojmë të vendosur për të çuar deri në fund aksionin tonë politik, për të çuar deri në fund aksionin tonë politik për dekriminalzimin e politikës, të vendimarrjes për vënien para drejtësisë të Ministrave të korruptuar, deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar si një parakusht për të kthyer besimin te demokracia shqiptare, si parakusht për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme ku qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin midis ofertave dhe programeve politike dhe jo nga njëra anë një oferte politike si ajo e PD për uljen e taksave, luftën e korrupsionit, kthimin në ekonomi të 500 mln eurove dhe nga ana tjetër një shumicë që në mungesë të ofertës përpiqet të imponohet përmes muskulit kriminal dhe zyrtarëve të korruptuar që me lekët që marrin nga tenderat publik, konçesionet, pasuritë e shqiptarëve po përgatiten që të imponojnë në zgjedhjet e ardhshme vullnetin e tyre dhe jo qytetarëve. Kjo është një gamë e madhe problematikash që unë e kam në qendër të diskutimeve me qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë nga të cilët kam gjetur dhe kam një mbështetje të jashtëzakonshme për axhendën dhe aksionin tonë politik.
Ja Ministrat e korruptuar sipas kreut të opozitës dhe kërkesa e PD
Basha: –Së pari përfundimi pa vonesë, pa kushte i ligjit për dekriminalizimin dhe i akteve shoqëruese kushtetuese dhe nënligjore për të nisur menjëherë implementimin e tij.
-Largimin një orë e më parë nga parlamenti, nga bashkitë dhe administrata publike i personave me rekorde të tmerrshme kriminale, i trafikantëve, i tutorëve, i vrasësve, i njerëzve të krimit të organizuar.
Së dyti një luftë frontale kundër korrupsionit. Korrupsioni, vjedhja e parave të shqiptarëve nga qeveritarët, nga zyrtarët e lartë është sot një plagë e papreçedent në Ballkan. Por në Shqipëri jo vetëm që vidhet haptazi, por hajdutët rrahin gjoksin. Nuk ka Kryeministër në Ballkan apo Europë që pasi të jetë denoncuar se po përgatitet ti japë 5 milion dollarë nga OSHEE ndërtuesit të vilës së tij jo vetëm të mos të zbrapset, por dhe të rrahë gjoksin për vjedhjen. Nuk ka Kryeministër që pasi konfrontohet me të dhëna të pakundërshtueshme të hajdutërisë së Ministrave të tij, të Beqaj llogaria e të cilit ka shkuar rreth 31 milion euro tendera, të Arben Ahmetaj që ka duart dhe gishtat e tij në çdo afer korruptive në vend, të Mimi Kodhelit, të Damian Gjiknurit apo Ministrit të Brendshëm që është bërë palë me krimin në vend që të na luftojë, që të vazhdojë të ndihet krenar para një populli që varfërohet përditë.
Nëse nuk ka refleksion dhe bashkëpunim për të ecur përpara me dekriminalizimin dhe me hapat që duhet të hedhim për zgjedhje të lira dhe të ndershme për shqiptarët nuk mbetet gjë tjetër veçse ta përballim këtë qeveri me vullnetin e qytetarëve në të gjitha format dhe mënyrat demokratike deri në largimin e saj”.
Sigal