Kosovë, Albin Kurti përfundon në spital pas tensionit para Kuvendit

444
Pas ndërprejes së seancës plenare për shkak të gazit lotësjellës që opozita ka hedhur edhe këtë të premte, Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetët e tjerë të opozitës, janë përleshur me forcat e policisë, përpara godinës së Kuvendit. Opozita ka tentuar të thyejë kordonin e policisë, për t’u futur në sallën ku po shqyrtohej projekt-ligji për Buxhetin e vitit 2016.
Sakaq Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook, se Albin Kurti është rrahur brutalisht nga policia. “Policia sapo ka rrahur brutalisht deputetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurtin, duke provuar ta arrestojnë atë, në oborrin e Kuvendit të Kosovës,” shkruhej në statusin e Vetëvendosjes.
Sipas mediave kosovare, mësohet se Albin Kurti është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore, pasi është ndier keq nga spraji. Po ashtu edhe disa deputetë të tjerë të opozitës janë ndier keq për shkak të gazit lotësjellës.
Por pavarësisht gjendjes së tensionuar jashtë ambjenteve të Kuvendit, ku pati edhe përpleshje fizike mes deputetëve të Vetëvendosjes dhe forcave të policisë, pasi sipas deputetëve të VV-së, policia ka tentuar të arrestojë Albin Kurtin, seanca plenare ka vazhduar.
Në seancën e zhvilluar në sallën e improvizuar, për shkak se në sallën ku mbahen seancat plenare ishte hedhur sërish gaz lotsjellës nga deputetët e opozitës, parlamentarët e Kosovës miratuan në parim projektbuxhetin për vitin 2016 e më pas seanca ka përfunduar, pasi kjo ishte edhe e vetmja pikë në rendin e ditës. 
Sigal