Basha shkarkon Luan Baçin nga kryetar i PD në Fier

192
Sigal

Pas Flamur Nokës të cilin e shkarkoi nga nënkryetar i Komisionit të Sigurisë, Lulzim Basha ka ndëshkuar edhe Luan Baçin pasi ky i fundit u rreshtua në krah të ‘Foltores’ së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Qëndrimet e shprehura publikisht nga Baçi nuk i kanë pëlqyer Bashës dhe sot ka firmosur largimin e tij nga kryetar dege në Fier.

Në vend të Luan Baçit, Lulzim Basha ka komanduar Agron Kapllanajn, ky një i dënuar me dy vite burg në Itali për vjedhje, e cila verifikohet edhe në formularin e dekriminalizimit.

Image

Kujtojmë se Luan Baçi ka dalë në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili aktualisht është duke bërë një “tur” të “Foltoreve” nëpër Shqipëri me synimin për t’i kthyer sovranitetin, siç është shprehur ai, Partisë Demokratike.

Në “Foltoren” e Fierit ka qenë i pranishëm edhe Baçi, ndërsa edhe nga qëndrimet politike, Baçi ka qenë në krah të ish-kryeministrit Berisha.

Shkarkimi i Luan Baçit dhe komandimi i Agron Kapllanajt në krye të degës së PD në Fier, ka sjellë reagimet e para. Ibrahim Morina, ish-kryetar i degës së PD në Fier shkruan në rrjetet sociale se kjo nuk pritej nga Lulzim Basha.

Morina poston në Facebook formularin e vetëdeklarimit të Kapllanajt i cili rezulton i dënuar në Itali për vjedhje.

‘Ende nuk më ka dalë zemërimi pas këtij lajmi. Jo vetëm kaq, por jam i sigurt se sikurse unë edhe ish-kryetarët e tjerë të kësaj dege ndjehen të fyer dhe të poshtëruar sepse Lulzim Basha vendosi sot shenjën e barazimit, mes nesh dhe një të dënuari ordinerë, me burg, në Itali’, shkruan Morina.