Basha-Rohrabacher: SHBA në mbështetje të një procesi demokratik, zgjedhje të lira dhe të ndershme

520
Kryetari i opozitës Lulzim Basha priti në një takim Kryetarin e Nënkomitetit për Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan, Dana Rohrabacher, dhe kryetarin e stafit të komitetit Paul Behrends.
Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe ambasadori amerikan Donald Lu.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pasi shprehur mirënjohjen për ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO, në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe forcimit të demokracisë e njohu kongresmenin amerikan Dana Rohrabacher me iniciativën e Partisë Demokratike për dekriminalizimin. Persona me precedentë kriminalë theksoi, z. Basha janë promovuar nga dyshja Rama-Meta në Kuvendin e Shqipërisë dhe në poste drejtuese të administratës si dhe janë propozuar nga dyshja Rama- Meta si kandidat për kryetarë bashkie.
Kryetari i Partisë Demokratike shprehu mirënjohjen për mbështetjen që po i jep procesit të dekriminalizimit ambasada e SHBA-së dhe vetë ambasadori Lu, sikundër ndau shqetësimin për mungesën e vullnetit të mazhorancës për të miratuar aktet ligjore që do të ndalonin personat me precedentë kriminalë të garonin në zgjedhjet e 21 qershorit dhe të promovoheshin ne administratën publike.
Një vend të rëndësishëm në këtë takim zuri dhe situata parazgjedhore në Shqipëri. Z. Basha theksoi se dyshja Rama-Meta ka nisur të ngrejë skemën e blerjes së votave, duke u bërë presion të hapur drejtorëve te administratës publike, për të blerë votat dhe për të marrë vota me çdo mënyrë.
Kryetari i PD-së shprehu shqetësimin edhe për dhunën e ushtruar ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratke gjatë tubimeve elektorale. Z. Basha solli në vëmendje rastin e Durrësit, ku militantët e PS dhunuan anëtarë të PD-së, rastin e Ersekës ku u tentua të goditet kryetari i opozitës, rastin e Malësisë së Madhe, ku pas takimit elektoral, policia ushtroi kontrolle ndaj simpatizantëve të PD-së.
Tentativa e mazhorancës për asgjësuar pushtetin vendor ishte një tjetër çështje e diskutuar në takim. Hapi i parë i kësaj përpjekje ishte harta elektorale, theksoi lideri i opozitës, ndërsa tani kryeministri ka nisur te kercenoje qytetarët, duke u thënë se nëse votoni kandidatët e PD nuk do të ketë investime, nuk do të ketë para, ujë, bukë etj.
Kjo situatë po dëmton procesin normal zgjedhor, theksoi z. Basha.
Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher theksoi se Kongresi Amerikan do të monitorojë procesin zgjedhor ndërsa garantoi se SHBA janë dhe do të jenë në mbështetje të një procesi demokratik, për zgjedhje të lira dhe të ndershme
Sigal