Që Shqipëria ka sistemin më të korruptuar të drejtësisë në Europë, ky tashmë është një fakt i ditur jo vetëm nga ne, por nga e gjithë bota mbarë. Edhe Avokati i Popullit në raportet vjetore që paraqet tregon disa problematika lidhur me korrupsionin në sistemin e drejtësisë Shqiptare. Disa nga problematikat që ai paraqet janë bërë të dukshme: Në kërkesat për ndihmë ligjore falas nga shteti, në zvarritjet e gjata pa shkaqe ligjore dhe shkelje të procedurave gjyqësore të gjykimit nga gjykatat si, për çështje penale ashtu edhe për çështje civile, nga të gjitha shkallët e gjykimit, në ankesat drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, për mospagimin e kësteve të planifikuara të dëmshpërblimit financiar, në shkeljet ligjore të ndryshme si, mbajtjen në burg padrejtësisht, kur janë shuar masat e sigurimit, parashikuar nga neni 261/c të Kodit Procedurës Penale. Gjithashtu kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur ka qenë më e madhe se masa e dënimit të caktuar nga gjykata. Po ashtu Avokati i Popullit shpreh shqetësim për gjykimet e padrejta dhe vendime gjyqësore të marra në mungesë të të pandehurit nga gjykata, duke pretenduar se ata nuk kanë pasur njoftim për këto gjykime dhe se ndaj tyre nuk janë respektuar procedurat ligjore të njoftimit në bazë të ligjit, kur familjarët dhe të afërmit e viktimave të krimit, për disa vepra penale sidomos atë të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekje, kanë pretenduar për shkelje të ligjit dhe veprime korruptive të gjyqtarëve. Po aq të rënda janë edhe vendimet gjyqësore të Gjykatave të Apelit, kur prej tyre ndryshohen masat e sigurimit dhe ato kthehen në “arrest në burg pa afat”, dhe ndaj masave të sigurimit bëhet ankim nga organi i Prokurorisë.
Ngërçi i prokurorisë
Orani i Akuzës Prokuroria mbart një sërë problemesh si: Moszbatimin e procesit të rregullt ligjor, për shkak të veprimeve të padrejta të kryera prej saj, që kanë cenuar të drejtat e shtetasve në procesin penal duke mos respektuar procedurat ligjore, mosrespektimin e detyrimit të informimit, i cili është parë si një nga të drejtat themelore vetjake të individit, moskryerjen e veprimeve të nevojshme prej prokurorëve që merren me ekzekutimin e vendimeve penale, me pasojë qëndrimin e të dënuarit në paraburgim ose burgim, më tepër se koha e vuajtjes së dënimit të përcaktuar në vendimin e gjykatës. Të gjitha këto vëzhgime janë konstatuar në sistemin e drejtësisë tonë por Gjykata dhe Prokuroria nuk janë të vetme në këtë trekëndësh korruptiv. Gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët e korruptuar janë aktorët kryesorë të cilët ndikojnë në çmimin që i është vënë sot drejtësisë.
Pavarësia e gjyqësorit
Një përfundim tjetër interesant nga raporti periodik i Avokatit të Popullit është dhe përcaktimi i pavarësisë së gjyqësorit. Në përgjithësi, edhe për kapital politik, korrupsioni në gjyqësor lidhet shpesh me ndikimin e ekzekutivit në sistemin gjyqësor. Ndërkohë që ky problem vazhdon të jetë ende një shqetësim, në fakt, pavarësia në gjyqësor sot ndjehet më e kërcënuar nga lidhjet shoqërore dhe familjare. Ky lloj ridimensionimi i pavarësisë së gjyqësorit ka komercializuar dhe marrëdhëniet midis gjyqësorit dhe elitës politike. Gjyqtarët duket të kenë bërë një pakt të heshtur më këtë shtresë, ku të parët shkëmbejnë (trade off) favoret ndaj politikanëve apo dhe aktorëve të tjerë me influencë (media, biznesmen dhe krim i organizuar) me mbrojtjen që marrin prej tyre. Në këtë drejtim gjyqësori ka fituar një farë pavarësie nga elitat, por kjo pavarësi e ka zhytur atë më shumë në korrupsion. Pra, kjo pjesë e korruptuar e gjyqësorit “negocion/tregton” drejtësinë dhe nuk e zbaton/ekzekuton. Kjo lloj sjellje e gjyqësorit është kthyer në “kulturë” dhe shoqëria duket se tashmë është akomoduar me këtë situatë. Ky fakt shpjegon deri diku pse në përgjithësi çdo individ që i drejtohet gjykatave është i prirur të sillet sikur po i drejtohet një tregu – blej dhe shes “të drejtën e tij”.




















