Basha: Rama dështim me të ardhurat, ekonomia në krizë

340
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike angazhohet për hetimin në rrugë parlamentare të trafikut të drogës, dhe i bën analizë të gjithë treguesve të përkeqësuar të ekonomisë shqiptare.

Të nderuar deputetë,
Gjatë dy javëve të fundit grupi ynë Parlamentar dhe opozitarizmi në tëresi, ashtu sikurse edhe vëmendja e opinionit publik, u fokusuan në shpërthimin e skandalit të trafikut të drogës nga ajri, nga toka dhe deti.
Beteja jonë jetike për ketë çeshtje, që ngërthen as me shumë dhe as më pak por vetë sovranitetin dhe pavarësinë e qeverisjes nga krimi në përgjithësi dhe narkotrafiku në veçanti, njohu një zhvillim pozitiv javën e kaluar me vendimin për të hetuar në rrugë parlamentare rreth këtij skandali.
Kjo është një fitore e opozitarimit dhe parlamentarizmit që na gjen më të vendosur se kurrë për të dhënë kontributin tonë në këtë hetim, për të bërë trasparencën e plotë të skandalit, për t’i shkuar deri në fund të vërtetës, për të çuar përpara ligjit përgjegjësit, ata që u janë bërë ortakë apo urë narkotrafikantëve, ata që kanë njollosur figurën e shtetit dhe autoritetin publik duke venë në dispozicion të krimit asete publike që zakonisht vendi i vë në dispozicion të strategjive dhe aksioneve kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare për luftën kundër krimit, por edhe ata që nuk kanë bërë punën për të cilën paguhen nga taksapaguesit shqiptarë pasi kanë marrë informacione dhe indicie të bollshme se çfarë po ndodhte.
Ne do të angazhojmë në këtë hetim shumë të rëndësishëm deputetë nga më të mirët e më të përkushtuarit. Pra ne si opozitë do t’i qëndrojmë në kokë këtij hetimi, nga dita e parë deri ditën e fundit, të vetëdjishëm se kë kemi përballë, të vetëdijshëm se qeveria është investuar e po investohet fuqishëm në rrugën e bllokimit të trasparencës.
E pamë ne dhe gjithë publiku sa të vështirë e patën për të pranuar dijeninë e tyre për fenomenin.
E pame ne dhe të gjithë qytetarët se ku konsiston objekti i hetimit të tyre. Ata e kanë me lajmësin, ne e kemi me bërësit. Ata e kanë me gjurmën. Ne e kemi me ujkun.
E pamë ne dhe e panë të gjithë si u përpoqën ta trajtojnë si fantazmagori qesharake punën e avionëve të drogës, por kur u plasen informacionet dhe dëshmitë okulare nga të katër anët dhe kur kuptuan se nuk po qeshte njeri përveç tyre, ndryshuan përqasje.
Po thonë: Ka patur informacione, por nuk ka prova!
Po thonë: Ka patur avionë, por nuk ka prova se janë mbushur me drogë!
Me fjalë të tjera, meqenëse meqë nuk i kapim, nuk kemi prova.
Nje qeveri e përgjegjshme dhe dorëjashtë nga skandali nuk mund tia lejonte vetes të fliste kështu.
Informacioni është hapi i parë për të shkuar drejt provës. Vetë informacioni është një lloj prove.
Prova aty ka qenë, por e kanë lënë të livadhisë.
A mund të na thonë ç’janë këto avionë që njëherë ulen në Gjadër, njeherë në Divjakë, njëherë në afërsi të Kardhiqit? A mund të na thonë çfarë është “sporti” me të cilën merren këta avioneve, çfarë transportojnë? Çfarë e dinë provën dyshja Rama-Meta? Mos vallë kanë pritur që droga të derdhet rrugës? Edhe kjo provë do të dalë, të mos mërziten, por në këtë fazë informacionet e kryqëzuara dhe vetë qyetarët përligjin plotësisht alarmin e dhënë prej nesh dhe nuk lenë asnjë shteg për spekullime.
Le të nisë pa humbur kohë hetimi parlamentar. Ndihma, mbështetja, pjesmarrja dhe kontributi qytetar, siç ka qenë i domosdoshëm për ta zbuluar skandalin, do të jetë i domosdoshëm edhe për ta hetuar atë deri në fund.
Integriteti territorial dhe hapsinor i vendit nuk mund të cënohet apo të jetë kurrë në duart e krimit, por vetëm në duart e sovranit.
Të nderuar anëtarë të grupit parlamentar, të nderuar deputetë të opozitës
Ekonomia ka qenë dhe mbetet kryefjalë e opozitarizmit tonë në vazhdimësi dhe e impenjimit tonë për të ndërtuar në kohën e duhur alternativën re të zhvillimit e prosperitetit.
Qeverisja propagandistike Rama-Meta ka bërë e bën çmos të krijojë realitetin e një suksesi fiktiv dhe virtual me regji qendrore.
Fiktiviteti dhe virtualiteti kanë qenë gjithnjë rroba politike e zotit Rama, por ai ka harruar se në ekonomi këto nuk të çojnë gjëkundi, pra nuk vlejnë.
Aq sa mund të mbulohet dielli me shoshë, po aq mund të mbulohet e vërteta e ekonomisë me propagandë, me llafe, me akrobaci, xhonglime apo regji qendrore.
Detyra jonë si opozitë në ketë periudhë ka qenë dhe është të tregojmë të vertetën ç’po ndodh në ekonomi, ku po shkon ekonomia? Të nxjerrim në pah me shifra, fakte dhe argumente paaftësinë, amatorizmin, papërgjegjshmërinë e qeverisë, genjeshtrat e saj, dështimet e saj në raport jo vetëm me premtimet, por edhe me planifikimin formal.
Ngritën në qiell taksat dhe aksizat për mallrat e konsumit të gjerë, shkarkuan mbi supet e gjithë shqiptarëve, në xhepat dhe tryezat e gjithë shqiptarëve koston e ekperimenteve të tyre, rriten 50 për qind barrën fiksale ndaj biznesit, thelluan me top borxhin publik. Po ku janë me treguesit? Ç’të reja kanë sjellë e po sjellin në ekonominë e vendit, ku po e çojnë ekonominë e vendit?
Shifrat e periudhës janar-mars dhe tendenca e muajit prill që po mbyllet flasin qartë se spiralja e përkeqësimit po shkon drej një pikjate të vërtetë me shumë të panjohura, asnjë prej të cilave e gëzueshme.
Qeveria, siç e dimë, ka parashikuar nje rritje vjetore prej 13.1% të të ardhurave totale me buxhetin e miratuar. Mbi këtë bazë dhe me shifrat e bëra publike nga Ministria e Financave dy javë me vonesë, rezulton se mbledhja e te ardhurave për tremujorin në fjalë është rreth 38% më pak sesa pritshmëria.
1. Të ardhurat tatimore për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë 903 milionë më pak sesa plani.
2. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë 502 milionë lekë më pak sesa plani.
3. Tatim-Fitimi për periudhën janar-mars 2014 rezulton 668 milionë lekë më pak sesa parashikimi.
4. Akcizat për këtë tremujor të parë të vitit 2014 rezultojnë 2 miliardë lekë më pak sesa plani i vendosur nga vetë qeveria dhe 912 milionë lekë më pak sesa fakti i periudhës janar-mars 2013.
5. Tatimi mbi të ardhurat personale për periudhën janar-mars 2014 rezulton të ketë një mosrealizim prej 356 milionë lekë (ose 5.2% më pak sesa plani) dhe njëkohësisht rezulton të jetë 890 milionë lekë më pak sesa fakti i periudhës janar-mars 2013 (ose 12.1% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar). Vetëm në muajin mars ulja e këtij zëri është 22.1% krahasuar me mars 2013.
6. Me paketën fiskale qeveria i hoqi të drejtën njësive të qeverisjes vendore për të mbledhur të ardhurat nga bizneset e vogla dhe ja transferoi këtë detyrë administratës qeveritare të tatimeve. Nëse shohim të dhënat, rezulton se taksa për biznesin e vogël për periudhën janar-mars 2014 është 350 milionë lekë, ose 157 milionë lekë më pak (ose 31% më pak) nga çfarë u mblodh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Me një impakt të drejtpërdrejtë në pamundësinë e qeverisjes vendore për të realizuar detyrat para qytetarëve.
7. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë të jenë 255 milionë lekë më pak sesa plani i qeverisë, por njëkohësisht rezultojnë 786 milionë lekë më pak sesa periudha janar-mars 2013 (ose 5.8% më pak). Dua të ndal pak këtu dhe ti jap zgjedhje z Rama, dhe ti tregojë shqiptarëve një nga dy mundësitë për këtë shifër. Ose punësimi në vend në këtë tremujor ka rënë me 5.8%, ose evazioni evazioni i administratës së tij tatimore është rritur me 5.8%. Ose një shartim i të dyjave por mundësi tjetër nuk ka.
8. Të ardhurat për kompensimin e ish pronarëve janë në nivelet minimale, vetëm 24 milionë lekë, ose 10 herë më pak se parashikimi i qeverisë prej 250 milionë lekë apo 18 herë më pak se fakti i periudhës janar-mars 2013 ku ishin 445 milionë lekë.
9. Sa për të përndjekurit politikë, qeveria parashikonte që të shpenzonte 200 milionë lekë për të paguar ish të përndjekurit politikë, rezulton se asnjë qindarkë nuk është paguar për këtë shtresë të shoqërisë krahasuar me 364 milionë lekë paguar gjatë periudhës janar-mars 2013.
10. Ndonëse qeveria parashikonte që gjatë periudhës janar-mars 2014 të shpenzonte 200 milionë lekë për zërin “kompensim për shtresat në nevojë” (fondi vjetor i planifikuar është 1.1 miliardë lekë), asnjë qindarkë nuk është paguar gjatë kesaj periudhe për këtë zë, edhe për këtë shtresë.
11. Qeveria në janar 2014 miratoi “strategjinë për pagesën e detyrimeve të prapambetura”. Vetë qeveria parashikonte që të fillonte pagesat sa më shpejt dhe parashikoi që gjatë muajit mars 2014 të paguante 2.6 miliardë lekë detyrime. Statistikat e qeverisë tregojnë se asnjë qindarkë nuk është paguar për këtë zë në mars. Ndonëse kemi deklarata të përfaqësuesve të qeverisë që gjatë tremujorit të parë janë kryer pagesa të detyrimeve, statistikat i përgënjeshtrojnë qartë dhe tregojnë se nuk është paguar asnjë qindarkë.
12. Investimet Publike me financim të brendshëm (me lekët e taksapaguesve shqiptarë) për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë 5.6 miliardë lekë më pak sesa fakti i periudhës janar-mars 2013.
13. Investimet publike totale me financim të brendshëm e të huaj për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë pothuajse 40 milionë dollarë më pak sesa fakti i periudhës janar-mars 2014. Nëse kësaj vlere i shtojmë edhe vlerën më pak të paguar nga qeveria aktuale gjatë periudhës tetor-dhjetor 2013, atëhere për periudhen tetor 2013-mars 2014 qeveria Rama-Meta ka paguar rreth 120 milionë dollarë me pak investime krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
14. Është bllokuar tërësisht procesi i privatizimeve (proces që menaxhohet nga min.ekonomisë dhe min.financave), dhe gjatë periudhës janar-mars 2014 arkëtimet nga privatizimet janë vetëm 1 milionë lekë, kur gjatë periudhës janar-mars 2013 janë arketuar 210 milionë lekë.
16. Vazhdon problematika e mos kryerjes së rimbursimeve të TVSH-se nga qeveria. Pavarësisht demagogjisë dhe propagandës së qeverisë për gjoja mbështetje për biznesin, gjatë periudhës janar-mars 2014 janë rimbursuar vetëm 472.8 milionë lekë (417 milionë në janar, 56 milionë në shkurt dhe në mars vetëm 34.9 milionë lekë). Duke patur parasysh që qeverisja e mëparshme rimbursonte mesatarisht mbi 800 milionë lekë çdo muaj, atëherë për periudhën tetor 2013-mars 2014 nga qeveria socialiste janë paguar rreth 35 milionë dollarë më pak sesa e njëjta periudhë e vitit paraardhës.
Kjo është situata. Taksa të larta, borxh shumë i lartë, investime zero, dëmshpërblime zero, rimbursimi i TVSH-së për biznesin në minimumet historike, pagesat e prapambetura jepen me pikatore dhe rryshfet, ndihma ekonomike sa për të larë gojën, evasion fiskal dhe shpunësim masiv i shqiptarëve. Por edhe të ardhurat që kanë mbledhur duket se u avullojnë në buxhet sapo i mbledhin. Si? Gjatë ditëve dhe javëve ne vazhdim duhet të bëhet e qartë se çfarë strategjie prokurimesh publike ka ndjekur dhe po ndjek dyshja Rama-Meta.
Perspektiva afatshkurtër dhe afatmesme e vendit dhe e ekomisë duket akoma më e zymtë se nga vetë shiftat e bëra publike nga qeveria. E ardhmja gjithmonë e më e pasigurtë. Shqiptarët duhet të përgatiten për skenarë ekonomikë që vendi nuk i ka njohur.
Shqiptarët janë në këmbë. Vetëm në harkun kohor të 6 orëve të mëngjesit së ditës së parë të kësaj jave, shqiptarët janë ngritur në 6 protesta. Protestë në Elbasan kundër abuzivizmit dhe xhahilllëkut të tatimorëve që i janë sulur njerëzve si pushtuesi plackës, protestë në Lezhë ku më të varfërve ju është hequr edhe ndihma ekonomike pra buka e gojës së fëmijëve, protestë në Tiranë nga artistët dhe studentët, protestë në Kamëz për mashtrimin me legalizimet falas.
Detyra jonë si opozitë është të bëjmë gjithçka varet prej nesh për të evituar sa të jetë e mundur rrokullisjen e ekonomisë dhe vendit drejt greminës. Duke denoncuar paaftësinë, abuzimet dhe korrupsionin e qeverisë.
Por situate po percepiton me shpejtësi dhe kjo kërkon që ne të shkojmë më tej. Në bashkëpunim me qytetarët me grupet e interesit, jemi dhe do të jemi pranë tyre edhe në këmbë me ta, për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura.
Dhe së bashku me Shqipërinë në protestë kundër oligarkisë do të nisim të hartojmë strategjinë tonë anti-krizë dhe anti-recesion, alternativën tonë së bashku me qytetarët e këtij vendi për të dalë nga vorbulla e së keqes ku e ka futur dhe po e zhyt më thellë çdo ditë mosqeverisja dhe keqeverisja Rama-Meta, për të hartuar bashkë me ta rrugët e shpresës dhe besimit, të dinjitetit njerëzor, të një ardhme të sigurtë për të gjithë shqiptarët dhe të një ekonomie të fortë.
Ju faleminderit.