Nisma Adriatiko-Joniane, Rama e Meta: Pjesë edhe Prishtina e Shkupi

486
Sigal


TIRANE – 
Ka nisur punimet në Tiranë Konferenca e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane. Në aktivitetin e organizuar në “Hotel Tirana”, kreu i qeverisë Edi Rama në fjalën e tij vuri theksin në rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, ndërsa shprehu rëndësinë e kësaj nisme. Rama ndërkaq, tha se me rëndësi është edhe përfshirja e Prishtinës dhe e Shkupit në këtë nismë. “Është me rëndësi propozimi për përfshirjen e Prishtinës dhe Shkupit në nismën Adriatiko-Joniane. Kjo nismë është një urë për të ndërlidhur aktorët e niveleve të ndryshme në bashkëpunime të reja, dhe për të bashkëvepruar në prioritet për integrimin europian. 2014, është i pari vit në rajon pa konflikt. Paqja kërkon një kohë të re bashkëpunimi. Synojmë një zhvillim të harmonizuar rajonal. Nënvizoj projektin e gazsjellësit TAP, dhe them se nuk ka kohë për të humbur për implementimin e këtij projekti të madh. Qeveria shqiptare mbështetet tek bashkëpunimi rajonal. Politika e secilit vend të Ballkanit duhet të jetë në bashkëpunim në garantimin e sigurisë energjetike. Përsa i përket infrastrukturës, përmend rëndësinë që e japim projektit të ndërlidhjes, me korridorin blu, që ndërlidh brigjet tona, mes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës, e më pas Slloveni e Itali. Është sfidë e përbashkët të gjejmë rrugët e drejta dhe instrumentet e duhur për të dhënë hapësirë kësaj situatë paqeje”, tha kryeministri Rama.

Ndërkaq, edhe kreu i Kuvendit Ilir Meta, theksoi rëndësinë e përfshirja e Prishtinës dhe e Shkupit në nismën Adriatiko-Joniane, si një hap për rritjen e parametrave të stabilitetit në rajon.

 “Duhen politika edhe më realiste dhe bashkëpunim, dhe ne besojmë në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Gjatë viteve të fundit Shqipëria dhe vendet e rajonit kanë pasur bashkëpunim në rritje. Presidenca e nismës krijoi sinergji me BE për miratimin e strategjisë së BE për rajonin tonë adriatiko-jonoian. Ne përfaqësojmë një hapësirë të rëndësishme strategjike në rajon.
Ne besojmë se forca e kësaj nisme qëndron tek dimensioni europian e saj. Mbështetim parimin e gjithëpërfshirës dhe konkretizimin e nismave rajonale. Përfshija e Shkupit dhe Prishtinës në këtë nismë do të ishte me rëndësi, edhe për rritjen e parametrave të stabilitetit në rajon”, tha Meta.

Ndërkaq, në përfundimit të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve është miratuar deklarata e përbashkët e nismës Adriatiko-Joniane.

ZBARDHET DEKLARATA E TAKIMIT TË NISMËS ADRIATIKO-JONIANE
Zbardhet deklarata e përbashkët e nismës Adriatiko-Joniane, e miratuar në përfundim të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve. Takimi u zhvillua sit në Tiranë, ndërsa mësohet se në deklaratë thuhet se “U ra dakord që të ketë përfaqësime parlamentare pranë NAJ”. “Përfaqësimet do monitorojnë progresin e strategjisë evropiane. Kjo është risi e Presidencës shqiptare me propozim të Metës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të nismës Adriatiko-Joniane.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën e 12 të Nismës Adriatiko-Joniane, që u mbajt sot në Tiranë:

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,

Të nderuar miq e të ftuar,

Është kënaqësi e posaçme të jemi këtu në Tiranë, në kuadër të Nismës Adriatiko-Joniane, që përbën një mundësi të shkëlqyer për të fuqizuar një det të tërë ndërlidhjesh mes vendeve tona.

Është një mundësi gjithashtu, për ta kthyer Europën Juglindore dhe makro-rajonin Adriatiko-Jonian në një skenë bashkëpunimesh inovative, që vlerësojnë më së miri, përmes mundësive të kohës së re, paqen që sundon si asnjëherë më parë në këto hapësira dhe ndërlidhjet historike mes vendeve tona.

Ky është viti i 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore, e cila shpërtheu pikërisht në Ballkan dhe 100 vjet më pas, 2014-a është i pari vit në historinë e Ballkanit që nis e vijon pa asnjë konflikt.

Dhe në përmasën e kësaj paqeje të re, të realizuar në emër të ëndrrës së përbashkët europiane të vendeve të rajonit tonë, unë do t’i bashkëngjitesha propozimit të bërë nga kryetari i Kuvendit, për të përfshirë edhe Prishtinën dhe Shkupin në këtë nismë, pasi besoj se koha e re e paqes kërkon një kohë të re bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal dhe Nisma Adriatiko-Joniane është një instrument me një potencial të madh, për t’i ndihur kësaj paqeje në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social.

Është një nismë që synon ta kthejë detin Adriatik dhe detin Jon në një liqen të madh dhe të pasur të Europës së Bashkuar, si një instrument i pazëvendësueshëm për zgjidhje të përbashkëta për makro-rajonin.

Kjo Nismë është një urë për të ndërlidhur aktorë të niveleve të ndryshme, në bashkëpunime të reja dhe për të bashkuar këndvështrimet mbi prioritetet për zhvillim të harmonizuar rajonal dhe makro-rajonal.

E ne besojmë se një prej sfidave më të rëndësishme të aktorëve të kësaj nisme, që bazohet tek përfaqësimi shtetëror, është të arrijmë të integrojmë e të ndërlidhim sipas synimeve të Nismës, sa më shumë aktorë të tjerë, të nivele të ndryshme. Aktorë lokalë, sipërmarrje, institucione, nga komunitetet vendore, bashkitë, universitet, tek ministritë, shkollat dhe të gjithë individët e interesuar.

Gjatë këtij viti të kryesimit të Nismës Adriatiko-Ioniane, Qeveria shqiptare ka qenë e angazhuar për krijimin e një sinergjie sa më të plotë mes jetësimit të strategjisë europiane për makro-rajonin Adriatiko-Jonian dhe angazhimit për sigurimin e demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Ballkan.

Pikësëpari dua të nënvizoj projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik, për të cilin ne kemi ngritur edhe një Task-Forcë, për të siguruar implementimin sa më efikas dhe një ndërveprim sa më të plotë në çdo hap, me vetëdijen se nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur në implementimin e këtij projekti të madh jo vetëm për vendet tona, por besojmë se në kontekstin e ri, edhe për sigurinë energjetike të Ballkanit dhe të Europës së Bashkuar.

Qeveria shqiptare po zhvillon një politikë energjetike të mbështetur fort tek bashkëveprimi dhe bashkëpunimi rajonal. Ne jemi të bindur se  politika energjetike e secilit prej vendeve të Ballkanit dhe të makro-rajonit Adriatiko-Jonian nuk mundet të jetë veçse një politikë bashkëpunimi rajonal e makro-rajonal, në shërbim të fuqizimit energjetik, të energjisë së rinovueshme dhe diversifikimit të burimeve energjetike, për ta parë sigurinë energjetike të secilit prej vendeve tona si pjesë të sigurisë energjetike të krejt rajonit dhe makrorajonit tonë.

Projekti Alterenergy që bashkon në një platformë projektesh inovative rajonin e Puglias, me lokalitete në Shqipëri dhe Malin e Zi, fjala vjen, është një prej shembujve më kuptimplotë në këtë kontekst.

Përsa i përket sektorit detar, Shqipëria ka përfshirë për herë të parë këtë vit, në mbështetjen shtetërore, zhvillimin e akuakulturës dhe ne jemi të bindur se në këtë hapësirë përplotësuese, siç është makro-rajoni Adriatiko-Jonian ka shumë potencial të pashfrytëzuar zhvillimi dhe bashkëpunimi në këtë sektor.

Përsa i përket infrastrukturës, më lejoni të përmend rëndësinë që ne i japim ndërtimit në Ballkanin Perëndimor të ndërlidhjes që finalizon në Itali dhe Greqi, atë që ne e quajmë Korridori Blu apo autostrada turistike Adriatiko-Joniane, që ndërlidh përfundimisht brigjet tona, mes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës, Kroacisë dhe më lart, në Slloveni dhe Itali, duke hedhur bazat e një komunikimi tokësor, tërësisht të transformuar mes nesh, në gjithë këtë breg.

Një det ndërlidhjesh, një det mundësish, por edhe një det përgjegjësish gjithmonë e më të mëdha, siç qysh në krye të herës ka qenë në përmbajtjen e vet, Nisma Adriatiko-Joniane, e cila që prej fillimit të saj, në maj të vitit 2000 në Konferencën e Ankonës, kishte si temë “Zhvillimin e Sigurinë në Detin Adriatik dhe Detin Jon.”

Vullnet i qartë për bashkërendim ndjehet në gjithë sinergjinë e krijuar mes vendeve të përfshira në këtë Nismë dhe qëllimit parësor që është kthimi i këtij makro-rajoni në një prej hapësirave europiane që siguron mirëqenie për gjeneratat e nesërme të BE-së edhe në këtë territor.

Dhe për ne, kryesimi i Nismës, gjatë këtij vitit drejtimi që mbyllet në qershor, ishte një mundësi  e shtuar për të dhënë një kontribut tonë dhe për të shprehur e vullnetit tonë për bashkëpunim.

Ne mbetemi të angazhuar për bashkërendim mes nismave të ndryshme në këtë kuadër të rajonit, si iniciativa Brdo apo Procesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore, kryesimin e të cilit pritet ta marrë këtë vit Shqipëria, me nismat në kuadër të makro-rajonit dhe hapat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në vijimësi, Nisma Adriatiko-Joniane do të jetë për ne një përgjegjësi për jetësim të projekteve që i japin kuptim makro-rajonit dhe e konkretizojnë atë. Dhe në këtë aspekt, pa as më të voglin dyshim, në kushtet e reja të paqes të përgjithshme të rajonit është një sfidë e përbashkët që të gjejmë rrugët e reja dhe instrumentet e rinj, për t’i dhënë një energji të re kësaj hapësire paqeje dhe për ta kthyer atë në një hapësirë zhvillimi të qëndrueshëm për gjithë vendet tona.

“Detin duhet ta shohësh me syrin e njeriut të dikurshëm: si një kufi, si një pengesë që shtrihet deri në horizont, si një pafundësi që nuk të shqitet, e gjithëpranishme, e mrekullueshme, enigmatike,” shkruante për Mesdheun e hershëm dijetari i shquar i francez, Fernand Braudel.

Por këto fjalë të kujtojnë se sa thellësisht ndryshe është sot, deti që na lidh në këtë kohë të re dhe se sa punë duhet për ta transformuar gjithëpraninë e mrekullueshme të detit, në gjithëpraninë e vazhdueshme të bashkëpunimit që gjeneron mirëqenie për makro-rajonin tonë dhe sigurisht për gjithë Bashkimin Europian.

Faleminderit!

***

Kryeministri Edi Rama përshëndeti punimet e Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, që u mbajt sot në Tiranë.

Kryeministri theksoi rëndësinë që Qeveria shqiptare i jep kësaj Nisme, në kushtet e reja në rajon, si një instrument me potencial të madh për bashkëpunim inovativ dhe zhvillim ekonomik e social për makro-rajonin.

Shqipëria mban deri në qershor të këtij viti, kryesimin e kësaj Nisme.

 

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, shprehur kënaqësinë që muajt e fundit është arritur një vullnet pozitiv dhe aksion konkret për të përballuar sfidat e makro-rajonit.

Z. Meta tha se Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë nismave rajonale, dhe veçanërisht nismës Adriatiko- Joniane, sepse beson në forcimin e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, që në terma konkretë do të thotë shembje e barrierave dhe pengesave të panevojshme që kemi trashëguar nga e kaluara.

“Kam bindjen se kriza e paprecedentë ekonomike dhe kjo periudhë anormale sfidash sociale që po përjeton Evropa vitet e fundit, na detyron të gjithëve të hartojmë politika më pragmatike. Efektet shqetësuese sociale-ekonomike të krizës globale mbi papunësinë, të drejtat sociale, lëvizjen e lirë, të cilat prekin vetë të ardhmen e zgjerimit të BE-së, na ftojnë të gjithëve të reflektojmë qartë për një angazhim të ri në pellgun Adriatiko-Jonian”, vijoi z. Meta.

Sakaq, Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia kanë pasur një bashkëpunim gjithnjë në rritje mes njëri-tjetrit dhe me strukturat evropiane, në funksion të forcimit e konkretizimit të iniciativave dhe strategjisë zhvillimore të rajonit tonë.

“Duke vlerësuar kontributin substancial që secili vend ka dhënë në hartimin e Planit të Veprimit të Komisionit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian, përfitoj nga rasti këtu të bëj një vlerësim të veçantë për takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Vendeve të Nismës Adriatiko-Joniane që u zhvillua në Athinë në 6 shkurt të këtij viti nën Presidencën Shqiptare, ku u arrit të krijohet një sinergji me Komisionin Evropian, duke kontribuar në dhënien e një mbështetjeje të plotë politike nga të gjitha vendet anëtare, për një ndër aksionet më të mëdha të tij për 2014-n, miratimit në fund të vitit të Strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR)”, shtoi z. Meta.

Sipas Kryetarit të Kuvendit, Shqipëria përfaqëson një hapësirë të rëndësishme tranziti tregtie, mallrash dhe energjie, duke qenë në zemër të disa prej arterieve më të rëndësishme ekonomike për të ardhmen dhe për rrjedhojë, hapësira jonë merr një rëndësi të veçantë për sigurinë mjedisore dhe energjetike të Bashkimit Evropian.

“Shqipëria beson se forca e Nismës Adriatiko-Joniane qëndron pikërisht tek dimensioni evropian i saj, duke rritur bashkëpunimin në funksion jo vetëm të sfidave tona të përbashkëta, por edhe në mbështetje të procesit të integrimit evropian për Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën. Më lejoni të theksoj këtu, se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj parimit të gjithë përfshirjes dhe konkretizimit të nismave rajonale. Të gjitha sfidat e identifikuara në Strategjinë EUSAIR janë sfida trans- kufitare dhe për këtë arsye ne nuk mund të lejojmë zona të pambuluara në makro-rajonin tonë”, tha z. Meta.

Gjithashtu, duke marrë në konsideratë zhvillimin e konsiderueshëm infrastrukturor mes Shqipërisë dhe fqinjëve të saj, Kryetari i Kuvendit deklaroi se do të ishte me vlerë të konsiderohet edhe përfshirja e Maqedonisë dhe Kosovës në Strategjinë e Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian.

“Kjo përqasje gjithëpërfshirëse mendoj se do të ishte një vlerë e shtuar për vetë strategjinë EUSAIR, dhe një kontribut i vyer për rritjen e parametrave të stabilitetit, sigurisë, prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik për të gjithë rajonin tonë. Parlamentet e vendeve tona kanë një rol dhe peshë të veçantë në garantimin e suksesit të Strategjisë së BE për Rajonin Adriatiko-Jonian, jo vetëm përmes rolit mbikëqyrës që ne ushtrojmë mbi qeveritë respektive por edhe përmes intensifikimit konkret të bashkëpunimit ndër-parlamentar, në funksion të rritjes së efikasitetit të Nismës”, theksoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit propozoi që të gjendet një akord mbi një rol më konkret dhe më të rëndësishëm që Parlamentet tona duhet të luajnë në ndjekje të punës së NAJ dhe për të monitoruar zhvillimet e EUSAIR, në bashkëpunim edhe me Sekretariatin e Përgjithshëm në Ankona.

“Ka pasur sugjerime që ky rol mund të konkretizohet brenda Presidencës Shqiptare duke caktuar një formë përfaqësimi parlamentar pranë Sekretariatit të Përhershëm të NAJ. Mendoj se kjo është një pikë e vlefshme që mbetet për t’u diskutuar nga vendet anëtare sot. Jam i bindur se institucionet tona duhet të luajnë një rol edhe më pro-aktiv në mbështetje të Strategjisë EUSAIR në të ardhmen duke promovuar kështu një formë të re bashkëpunimi në rajon”, deklaroi z. Meta.

Kjo konferencë Kryetarësh të Parlamenteve në Tiranë, përmbylli Presidencën një-vjeçare shqiptare të Nismës Adriatiko Joniane dhe me këtë rast Kryetari i Kuvendit ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe të gjitha strukturat shtetërore për angazhimin e tyre maksimal e serioz gjatë presidencës shqiptare.

Z. Meta u shpreh se viti 2014 ka domethënie dhe rëndësi të veçantë për ne, sepse Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian përgjatë vitit ndahet mes dy vendeve fqinje tepër të rëndësishme dhe anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, Greqisë dhe Italisë.

“Puna jonë duhet të fokusohet në krijimin e kushteve më të mira për investitorët e huaj që sot më tepër se kurrë funksionojnë në një botë rajonesh, jo shtetesh. Rritja e ndërlidhjes rajonale në fusha strategjike si turizmi, bujqësia, peshkimi dhe agro-përpunimi, energjia, transporti dhe mjedisi do të sjellë zhvillim ekonomik, tregje më të integruara dhe për rrjedhojë do të sjellë më tepër siguri e prosperitet për qytetarët tanë. Sfidat e përbashkëta mund të trajtohen vetëm përmes veprimit të përbashkët dhe projekteve zhvillimore të qëndrueshme, dhe në këtë frymë duhet të ecim përpara”, përfundoi fjalën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri z. Edi Rama e vuri theksin në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, ndërsa tha se nisma Adriatiko-Joniane do të shpërbejë si instrument për zhvillimin e qëndrueshëm të të gjitha vendeve të rajonit.

“Është me rëndësi propozimi për përfshirjen e Prishtinës dhe Shkupit në nismën Adriatiko-Joniane. Kjo nismë është një urë për të ndërlidhur aktorët e niveleve të ndryshme në bashkëpunime të reja, dhe për të bashkëvepruar në prioritet për integrimin evropian”, tha Kryeministri Rama.

Z. Rama u shpreh se angazhimi i Qeverisë mbetet për përmbushjen e objektivave të nismës Adriatiko-Joniane dhe atyre evropiane, si një instrument në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social

“Sfidë e përbashkët që të gjejmë rrugët e reja dhe instrumentet e rinj për ta kthyer këtë hapësirë paqeje në një hapësirë të zhvillimit të qëndrueshëm të të gjithë vendeve tona”, deklaroi Rama.

Gjatë konferencës e morën fjalën edhe kryetarët e parlamenteve të NAJ. Kryetari i parlamentit grek, Vangelis Meimarakis u shpreh për nxitjen e turizmit të të rinjve, si një mënyrë për promovimin e vendeve të këtij rajoni.

“Gjatë viteve të fundit të rinjtë deri në 30 vjeç udhëtojnë gjithnjë e më shpesh dhe udhëtimet e tyre kanë një vlerë më shumë, pasi nuk bëhen vetëm nga detyrime profesionale, por se janë në kërkim të eksperiencave, kulturave të reja dhe alternativave të ndryshme”, tha kryeparlamentari grek.

Në sesionin e dytë të konferencës me temë “promovimi i aktiviteteve dhe shërbimeve të turizmit bazuar në prodhime lokale”, e mori sërish fjalën Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, i cili nënvizoi se sfida si makro-rajon është strategjia e përbashkët për të kthyer atë ç’ka është e veçantë dhe unike, në një model rritjeje të qëndrueshme, për ekonominë kombëtare dhe makro-rajonale.

Ndërsa shtoi se, Shqipëria i kushton rëndësi strategjike zhvillimit të sektorit të turizmit paralel me promovimin e produkteve lokale.

“Prioritetet e zhvillimit të turizmit bazuar mbi produktet lokale, pra të Agro-Turizmit, prekin të katër shtyllat e Strategjisë së BE-së për makro-rajonin. Deti dhe ambienti janë hapësira të përbashkëta të cilat kemi detyrimin dhe përgjegjësinë t’i menaxhojmë, siç duhet përmes një aksioni të ndërlidhur dhe të përbashkët. Agro-Turizmi është kyç për zhvillimin e ekonomisë dhe cilësisë së jetesës së qytetarëve tanë, duke ofruar një mjedis më tërheqës për investimet e huaja dhe duke nxitur zhvillimin e zonave të prapambetura rurale përmes diversifikimit të ekonomisë bujqësore dhe rritjes së punësimit”, u shpreh z. Meta.

Gjithashtu në fjalën e tij z. Meta tha se vizioni i Shqipërisë për zhvillimin e sektorit të turizmit dhe produkteve lokale bazohet në shfrytëzimin e qëndrueshëm të potencialeve natyrore, detare dhe bujqësore, lehtësisht të arritshme nga tregjet ndërkombëtare.

‘Në këtë drejtim, në bashkëpunim edhe me organizmat ndërkombëtarë, ne po hartojmë Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Turizmit 2014-2020, e cila në pasqyrim edhe të prioriteteve të ‘Vizionit 2020’, do të inkurajojë zhvillimin e produkteve të reja turistike dhe promovimin e produkteve vendase të cilat e kthejnë Shqipërinë në një destinacion unik dhe tërheqës”, përfundoi fjalën e tij z. Meta

 

Në përfundim të kësaj konference u mbajt një deklaratë e përbashkët ;

 DEKLARATË E PËRBASHKËT

Miratuar në Konferencën e XII të

Kryetarëve të Parlamenteve të Iniciativës Adriatiko-Joniane

 NËN KRYESINË SHQIPTARE TË NAJ

Tiranë, 28 prill 2014

Kryetarët e Parlamenteve të Vendeve Pjesëmarrëse në Nismën Adriatiko – Joniane (NAJ),

–          TË UDHËHEQUR nga parimet e Deklaratës së Ankonës, datë 20 maj 2000, si akti politik themelues i NAJ;

–          DUKE MARRË PARASYSH angazhimet e ndërmarra gjatë takimit të fundit të Dimensionit Parlamentar të NAJ në Brdo Pri Kranju (13 maj 2013) dhe takimeve të mëparshme parlamentare të NAJ;

–          TË BINDUR se lidhjet e përbashkëta kulturore e historike, si dhe mjedisi i përbashkët përbëjnë një bazë të fortë për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm përmes bashkëpunimit;

–          TË VETËDIJSHËM për nxitjen dhe përkrahjen që mund të japin parlamentet për zhvillimin e vendeve të NAJ;

–          DUKE THEKSUAR rolin e Parlamenteve për promovimin e një forme të re bashkëpunimi në Rajon;

–          DUKE MIRËPRITUR procesin e miratimit të Strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), i cili do të përfundojë gjatë gjashtë mujorit të dytë të këtij viti, nën presidencën italiane të Këshillit të BE-së;

–          TË BINDUR se EUSAIR do të nxisë zhvillimin përmes realizimit të projekteve strategjike për bashkëpunimin e Zhvillimit Blu, Mbrojtjen e Mjedisit, Transportin, Energjinë dhe Turizmin, nga të cilat do të përfitojë e gjithë zona Adriatiko-Joniane, duke përmirësuar magjinë, aftësinë konkurruese dhe lidhjet e kësaj zone;

–          TË VETËDIJSHËM që NAJ përfaqëson “vend ankorimin ndërqeveritar” të EUSAIR – siç është përsëritur solemnisht nga Tetë Qeveritë pjesëmarrëse me rastin e Këshillit Special Adriatiko-Jonian, nën presidencën shqiptare, i mbajtur në Athinë më 6 shkurt 2014 – dhe se e ardhmja e makrorajonit të NAJ gëzon në fazën përgatitore, si dhe në fazën e saj të implementimit kontributin e shoqërisë civile.

–          TË BINDUR për rolin në rritje që parlamentet e nismës duhet të luajnë sa i takon fazës së re të bashkëpunimit në rajon dhe që përfaqësohet nga EUSAIR.

1)   MIRËPRESIN zhvillimin e Strategjisë Makro-Rajonale Adriatiko-Joniane si një formë të re inovative bashkëpunimi në linjë me EUROPE 2020, strategjinë e zhvillimit të Evropës me synimin për të gjeneruar një zhvillim të shpejtë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës;

2)   VLERËSOJNË Qeveritë e NAJ për rezultatet e Këshillit Special Adriatiko – Jonian, i mbajtur në Athinë, më 6 shkurt, nën kryesinë shqiptare, të cilat u angazhuan për dhe mbështetën krijimin dhe zbatimin e EUSAIR;

3)   KONFIRMOJNË mbështetje të plotë ndaj të gjitha palëve të interesuara, të angazhuara në krijimin e EUSAIR, si një mënyrë për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm në Rajon;

4)   SHPREHIN besimin e tyre se veçantia e EUSAIR qëndron në faktin se ai i bashkon vendet anëtare të BE-së me vendet që janë në proces të hyrjes në BE – edhe nëse ato janë në nivele të ndryshme të këtij procesi – duke kontribuar kështu në përshpejtimin e integrimit dhe kohezionit;

5)   ANGAZHOHEN për të ndjekur nga afër zhvillimet e EUSAIR, si në fazën përfundimtare të procesit të miratimit të saj, ashtu dhe në fazën e zbatimit që nis në fillim të vitit 2015;

6)   VENDOSIN, si përfaqësues të Institucioneve që janë më pranë qytetarëve, të formojnë përfaqësime parlamentare ad hoc për të ndjekur punën e NAJ dhe zhvillimet e EUSAIR, në bashkëpunim të ngushtë me Sekretariatin e Përhershëm;

7)   I BËN THIRRJE PRESIDENCËS SË BOSNJË HERZEGOVINËS të zhvillojë një mbledhje të përfaqësuesve parlamentar ad- hoc për të diskutuar mbi hapat konkrete, të ardhshme, të agjendës së nismës.