Basha i përgjigjet Ramës: Testimi masiv, e vetmja mënyrë për të zbuluar virusin

275
Sigal

Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka kthyer përgjigje akuzës së bërë nga kryeministri Edi Rama, lidhur me kërkesën e opozitës për testime në masë. Sipas Bashës, testimi masiv është e vetmja mënyrë për të zbuluar sa thellë është futur virusi në familjet tona.

“Testimi masiv është e vetmja mënyrë për të zbuluar sa thellë është futur virusi në familjet tona. Pa testuar, pa gjurmuar, pa izoluar, pasojat do të jenë shumë të rënda! KM po fshihet pas një komiteti teknik, me shpresë që njerëzit mos ta shohin se sa i papërgatitur është. Është përgjegjësi e qeverisë që të mbrojë shëndetin e njerëzve, të pajisë me mjetet e duhura ekipet mjekësore dhe të mbajë në këmbë ekonominë. Sulmet kundër opozitës nuk i fshehin dot dështimet e tij”,– deklaron kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Opozita ka kërkuar që nga nisja e pandemisë kryerjen e më shumë testimeve për qytetarët. Sot kryeministri Edi Rama deklaroi se testimet kryhen sipas rekomandimeve të ekspertëve.

“PD s’mund të japë mend as për tabelën e shumëzimit, jo më për strategjinë e testimit! Strategjia e testimit është detyrë e Komitetit Teknik që udhëheq luftën në vijën e zjarrit.Detyra e politikës, qeverisë a opozitës është të dëgjojë dhe mbështesë ekspertët. Të tjerat janë 7×7=42”,- tha kreu i qeverisë.