Basha: Dy zgjedhjet që ishin përpara demokratëve

403
Kryetari i Partisë Demokratike shpjegon arsyet e refuzimit për të mos u regjistruar në zgjedhje me Edi Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, falënderoi pjesëmarrësit në mitingun e 13 majit, ndërsa shpjegoi arsyet e vendimit opozitar për të mos u regjistruar në KQZ si pjesëmarrës në zgjedhjet e 18 qershorit. Duke folur nga çadra e Partisë Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i opozitës përsëriti qëndrimin se nuk do të ketë zgjedhje fasadë. “Dua t’ju falënderoj nga zemra gjithsecilin prej jush, qindra mijëra bashkëqytetarët e mi që sfiduat frikën, sfiduat provokimet e shantazhet, sfiduat propagandën qeveritare dhe u ngritët me shpresë dhe besim në zemër, për të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj, në sheshin e Republikës së Re”, u shpreh Basha, duke iu drejtuar mbështetësve të tij. Në të njëjtën kohë, kreu i PD-së e cilësoi mitingun e 13 majit si një vendim për të mos lejuar zgjedhje pa opozitën. “Shqiptarët folën. Nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje fasadë. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë më zgjedhje pa popullin, zgjedhje pa opozitën, zgjedhje moniste. Nuk do të ketë kurrë më një diktaturë moniste që emëron edhe opozitën fasadë”, u shpreh Basha. Më tej, ai shpjegoi edhe arsyet e vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare me Ramën në krye të qeverisë. “Ne kishim dy zgjedhje përpara. Zgjedhja e parë ishte të ulnim kokën e të pranonim fatin tonë si skllevër të republikës së vjetër të krimit, të drogës e të oligarkëve, të pranonim republikën e vjetër ku i gjithë pushteti politik dhe ekonomik kontrollohet nga pak njerëz që shtypin çdo të drejtë dhe mundësi të shumicës së shqiptarëve. Përgjigjen për këtë, shqiptarët e dhanë dje me bashkimin e tyre më të madh kur njëzëri thanë: Kurrë!”, nënvizoi Basha. Sipas kreut demokrat, zgjedhja e dytë është në dorën e republikës së vjetër. “Të çmontojmë krimin dhe drogën në pushtet e t’u kthejmë pushtetin qytetarëve përmes qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme ose të përmbysim republikën e vjetër përmes bashkimit, marshimit dhe qëndresës popullore të qytetarëve të Republikës së Re”, u shpreh kreu i opozitës. Për Lulzim Bashën, në njërën apo tjetrën mënyrë, krimi do të çmontohet, droga do të çmontohet, republika e vjetër do të përmbyset. “Sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, tha Basha. Gjithashtu, kryetari i Partisë Demokratike shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë aleatët e koalicionit opozitar. “Mirënjohje për të gjithë ju anëtarët, mbështetësit dhe drejtuesit e partive opozitare. Sot, keni të drejtë të ndiheni krenarë për besnikërinë që u keni dhënë qytetarëve dhe kauzës të drejtë të zgjedhjeve të lira. Personalisht, si kryetar i opozitës së bashkuar ndihem me fat, si askush tjetër në historinë 27 vjeçare të pluralizmit, për mbështetjen dhe besimin e tuaj të patundur ndaj meje dhe Partisë Demokratike”, tha Basha. Ai tha se falënderonte në veçanti mijëra të rinjtë e të rejat, gjimnazistët, studentët, të sapodiplomuarit, të punësuarit apo të papunët, të gjithë brezin e ri që mbushi Sheshin e Lirisë dhe me praninë e tij votoi për Republikën e Re, republikën evropiane të të rinjve dhe të rejave shqiptare. “Dua të falënderoj qendrestarët e 18 Shkurtit dhe të Çadrës së Lirisë, kantierit më të mrekullueshëm politik që ka njohur Shqipëria dhe Ballkani. Mirënjohje për të gjithë ata që i dhanë zë zërit të qytetarëve, halleve, shqetësimeve dhe shpresave të të gjithë shqiptarëve”, nënvizoi Basha. Prej 18 shkurtit, opozita po proteston në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar ngritjen e një qeverie teknike si kusht për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 
Sigal