Bardhi: Masat e Kosovës tregojnë dështimin dhe korrupsionin e qeverisë së Edi Ramës!

316
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, bëri një krahasim mes masave të marra nga qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës për përballimin e situatës nga koronavirusi.

Sipas Bardhit, masat e Kosovës tregojnë dështimin dhe korrupsionin e qeverisë së Edi Ramës.

“Kosova na tregon sa e paaftë, e korruptuar dhe dështake është qeveria e Edi Ramës. Në thelb të veprimeve të saj në këto 2 muaj nuk ka qenë mirëqenia e qytetarit, por ajo e klientëve dhe oligarkëve. Ndryshimi thelbësor është se Kosova sot ka 6 mijë vende të reja punë më shumë sesa para krizës së COVID-it. Shqipëria ka pranuar zyrtarisht si të larguar apo pezulluar nga puna 66 mijë qytetarë.

Çfarë e shpjegon këtë ndryshim kaq të madh?

Përgjigja është fare e thjeshtë: Kosova zbatoi një paketë ekonomike që mbron vendet e punës, ekonominë familjare dhe ekonominë kombëtare, pothuajse një paketë të njëjtë me atë që propozoi Partia Demokratike që në fillim të krizës COVID”, shkruan Bardhi.

Më pas ai rendit disa nga masat e marra nga qeveria e Kosovës për të ndihmuar bizesin dhe qytetarët, duke përmendur pagën minimale, subvencionin e qerasë etj. “Kosova mbuloi shpenzimet e bizneseve për pagat mujore minimale. Subvencionoi për dy muaj gjysmën e qerasë për biznesin e vogël; Mbuloi vlerën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për dy muaj.

Shqipëria nuk bëri asnjë nga këto masa mbështetëse. Kosova jo vetëm ruajti vendet e punës që kishte, por i shtoi ato, duke nxitur kompanitë me bonuse prej 130 euro në muaj për çdo punëtor të regjistruar me kontratë të paktën 1 vit.

Ndryshimi është si nata me ditën. Në Kosovë qeveria vendosi të parin interesin e qytetarëve. Ndërsa në Shqipëri, Edi Rama vendosi të parin interesin e 10 oligarkëve. 66 mijë punonjës të larguar e të pezulluar dhe mbi 60 milionë euro për beton dhe tendera luksi e dëshmojnë këtë.

Paratë janë. Mjafton që Edi Rama të ndalë korrupsionin me tendera dhe të anullojë koncesionet korruptive. Qytetarët kanë nevojë për mbështetje, jo për propagandë e justifikime bajate të regjimit të facebook-ut”, shkruan Bardhi.