Avancojnë hetimet për inceneratorët, SPAK merr në pyetje disa zyrtarë

275
Sigal

 

Kur kanë kaluar 9 muaj nga regjistrimi i hetimeve për ndërtimin e inceneratorëve, Prokuroria e Posaçme ditët e fundit ka kryer veprime në terren duke administruar dëshmi dhe sekuestruar një sërë dokumentesh.Burime nga prokuroria bëjnë me dije se në ambientet e prokurorisë janë marrë në pyetja disa persona ku kanë dhënë sqarime në lidhje me procedurat e ndjekura për ndërtimin e inceneratorëve. Gjithçka është proceduar në mënyrë të shpejtë duke marrë parasysh që gushti është muaj pushimesh.Nuk bëhet ende e ditur se cilët janë personat që kanë dhënë sqarime, por në përfundim të kësaj faze, SPAK do të vendosë në lidhje me hetimet dhe ngritjen akuzave.Ishte fillimisht Partia Demokratike që nëntorin e kaluar depozitoi një kallëzim në prokurorinë e posaçme. Sipas Partisë Demokratike, vetëm ndërtimi i inceneratorit të Tiranës i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 430 mln euro.

Një tjetër kallëzim është depozituar nga partia Lëvizja Socialiste për Integrim. Në mars të këtij viti, kryetarja Monika Kryemadhi denoncoi publikisht disa akuza për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, duke e cilësuar si aferën më të madhe korruptive të 100 viteve të fundit. Të gjithë këta zyrtarë sipas LSI kanë shkelur çdo në praktikë për ndërtimin e inceneratorit. Hetimet po ndiqen nga prokurorët Dritan Prençi, Vladimir Mara dhe Klodian Braho.