Shqipëria ndër vendet më të korruptuara në botë

557
Sigal

Indeksi i zbatimit të ligjit publikuar nga instituti ndërkombëtar “World Justice Project” me qendër në SHBA e rendit vendin tonë në grupin e fundit të vendeve të korruptuara, i cili mbyllet me Kongon dhe Kamboxhian. Ndikimi i pushtetit në vendimmarrjen e gjyqësorit, imuniteti i deputetëv, korrupsioni, droga, pastrimi i parave etj.

 

Jakup B. GJOÇA

Edhe pse kanë mbetur më pak se 3 muaj nga qershori i 2019-s, kur Bashkimi Evropian do të marrë vendimmarrjen për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, për anëtarësimin në BE, Shqipëria në raportet e institucioneve ndërkombëtare renditet një nga vendet më të korruptuara në botë. Që do të thotë, se Shqipëria nuk ka plotësuar një nga kërkesat kryesore të BE për integrimin, sikurse është lufta kundër korrupsionit.

Predikimi i reformës në drejtësi, është fasada për të shpëtuar nga ndëshkimi i korrupsionit

Qeveria e Rilindjes Socialiste predikon tek ndërkombëtarët se ka ndërmarrë reformën më të madhe dhe të thellë në fushën e drejtësisë, për të luftuar korrupsionin. Mirëpo, kjo reformë në drejtësi deri tani ka dhënë si produkt, shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese, paralizimin e sistemit Gjyqësor, sepse të gjitha shkallët e Gjyqësorit kanë mungesa të mëdha të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të vettingut, ende nuk janë ngritur SPAK dhe BKH, të cilat do të jenë gjykatat e specializuara të luftojnë korrupsionin. Deri tani, nuk ka asnjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsion, përveçse disa nëpunës të nivele të ulëta të administratës publike, të dënuar edhe këta për shpërdorim detyre.

Raporti i “World Justice Project”

Në fakt Shqipëria ka legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por mungon vullneti politik, sidomos i qeverisë, e cila ushtron pushtet ndaj Gjyqësorit, për të ndikuar vendimmarrjen. Një tjetër fakt domethënës, është edhe përpjekja e fundit e mazhorancës, e cila ka sjellë në Parlament një projektligj “Për Rregulloren e Kuvendit”, me anën e së cilës, kërkon që të rritë shkallën e imunitetit të deputetëve ndaj hetimeve dhe arrestimeve për akuza të korrupsionit. Shqipëria renditet e 71-a nga 126 shtete, në Indeksin e Sundimit të Ligjit 2018-2019, të publikuar nga “World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria merr 0.51 pikë, e pandryshuar në raport me një vit më parë (zero është vlerësimi më i ulët dhe 1 është më i lartë). Me këtë vlerësim, Shqipëria përfshihet në zonën e verdhë, me zbatim të dobët të ligjeve, në të njëjtën nivel me disa vende të tjera të Ballkanit, Azisë jugore dhe Amerikës së Jugut. Indeksi mat zbatimin e ligjeve në praktikë, përmes sondazheve me popullatën dhe pyetësorëve të kualifikuar, duke dhënë informacion origjinal që reflekton eksperiencën dhe perceptimin e publikut të përgjithshëm, në 126 vende. Raporti thekson se zbatimi efektiv i ligjit redukton korrupsionin, lufton varfërinë dhe sëmundjet dhe i mbron njerëzit nga padrejtësitë e mëdha dhe të vogla. Vendi ynë e ka treguesin e përgjithshëm të zbatimit të ligjit pak më mirë sesa Serbia (që është në vend të 78). Qeverisje më të fortë ka Maqedonia (në vend të 56), Bosnja është në vend të 60. Shqipëria ka një renditje tepër negative në treguesin e korrupsionit, ku është në vendin e 103 nga 126 vendet (duke u përkeqësuar në raport me një vit më parë kur ishte në vend të 93), me 0.35 pikë, duke e përfshirë atë në listën e 25 vendeve më të korruptuara në botë, me shtete si Nigeria, Moldavia, Ukraina, Venezuela, Pakistani, Afganistani, Bolivia, Meksika etj. Shqipëria perceptohet që ka korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon. Bosnja është në vend të 72, Maqedonia në vend të 62, Serbia në vend të 73. Edhe zbatimi i rregulloreve ka një renditje negative, në vend të 97, edhe ky i përkeqësuar nga një vit më parë, së bashku me të drejtën civile, ku jemi në vend të 100. Rendi dhe siguria në vendin e 31, janë treguesi ku renditemi më mirë, me një përmirësim të dukshëm nga një vit më parë, e ndjekur nga të drejtat themelore, në vendin e 49. Për treguesin e kufizimit në fuqinë e qeverisë, Shqipëria renditet në vend të 79. Për qeverinë e hapur është në vend të 77. Tre shtetet me ecurinë më të mirë në raportin e 2018-2019 ishin Danimarka (1), Norvegjia (2), dhe Finlanda (3); tre të fundit janë Kongo (124), Kamboxhia (125), dhe Venezuela (126). Tre më të mirët nuk kanë ndryshuar në krahasim me indeksin e vitit të mëparshëm.

Komisioni Evropian: Korrupsioni, i lidhur me krimin e organizuar, po pastrojnë para

MONEYVAL, mekanizimi i Këshillit të Evropës kundër pastrimit të parave, i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të shtojnë përpjekjet e tyre në ndjekjen e pastruesve të parave dhe konfiskimin e aseteve të tyre, të lidhura me aktivitete që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme dhe në trajtimin e rreziqeve terroriste financimit të lidhura me to. Në një raport që është shumë negativ për Shqipërinë vihet në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave, ndërkohe që u tërhiqet vëmendja autoriteteve që ata nuk po marrin masat e duhura për të luftuar këtë fenomen. Kjo situatë ka bërë që Komisioni Evropian të zgjerojë mekanizimin e saj mbikëqyrës për fenomenin e pastrimit të parave në Shqipëri. Sipas konkluzioneve të raportit, “korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale.

Transpareny Internacional: Ja sektorët më të korruptuar

Në intervistë me DË, Lidija Prokiç nga Transparency International. pohon edhe se cilët janë sektorët më të korruptuar në Shqipëri/ Lidija Prokic: Sipas hulumtimeve tona, sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni janë: shëndetësia, energjetika, industria nxjerrëse dhe infrastruktura. Në të gjithë këta sektorë shteti rezulton i kapur tërësisht ose pjesërisht dhe kapja është ndërsektoriale. Kjo do të thotë se një sektor është i kapur nga interesat e grupeve ose individëve të fuqishëm e më pas paraja e korruptuar përdoret për të ruajtur kapjen, shpesh duke blerë mosndëshkimin e korruptimit. Institucionet kanë dobësi në zbatimin e ligjeve ekzistuese. Influenca e elitave politike është shumë e lartë dhe financat politike nuk janë transparente.

Raporti i DASH: Korrupsioni pengoi zbatimin e ligjit

Raporti i DASH për Shqipërinë për viti 2017 thekson : Korrupsioni dhe pengesat burokratike pengojnë luftën ndaj terrorizmi. Gjatë vitit 2017, thuhet në raport, Korrupsioni dhe pengesat ndaj shkëmbimit të informacionit midis agjencive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm brenda agjencive dhe një sistem gjyqësor që funksionon dobët, thotë raporti, vazhdoi të pengonte përpjekjet e zbatimit të ligjit në të gjitha nivelet.

Korrupsioni në klimën e investimeve

Në pjesën për Shqipërinë, raporti i DASH për klimën e investimeve 2018 thotë se investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme me të cilat vazhdon të përballet Shqipëria. Investitorët, – thotë raporti, – ankohen se zyrtarët përdorin rregulloret e vështira për t’u interpretuar ose legjislacionin jo konsistent si mjete për t’i larguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit, – thuhet aty, – ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime të mirëfillta me komunitetin e biznesit. Investitorët e mëdhenj të huaj njoftojnë për presione për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikanët dhe shprehin shqetësimin se gjatë veprimtarisë së tyre në Shqipëri, Akti kundër Praktikave Korruptive me Jashtë nuk gjen zbatim, thuhet në raport.

Praktikat qeveritare të prokurimit të korruptuara

Raporti i DASH për klimën e investimeve 2018 thotë se investitorët e huaj bëjnë fjalë për korrupsion në praktikat qeveritare të prokurimit janë të zakonshme, thuhet në raport. Duke trajtuar çështjen e PPP-ve (kontratat e partneritetit publik privat) në Shqipëri, Departamenti i Shtetit thotë se përdorimi në rritje i këtyre kontratave ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe konkurrencën e investitorëve të huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Shembulli më domethënës është dhënia e koncesionit të pakërkuar me vlerë 18 milionë euro, tek Unaza e Re një firme fantazme, me dokumente ta falsifikuara të një kompanie amerikane, dhe drejtësia shqiptare nuk ka filluar akoma hetimet ndaj zyrtarëve të lartë që dhanë këtë koncesion. Fakt tjetër është edhe dhënia e koncesionit të dializës, në vlerë dhjetëra miliona euro një qytetareje që ka një kioskë në Berat. Por më korruptiv është koncesioni i chek-up -it, të cilit ende nuk i është bërë publike kontrata, duke i shtuar edhe më shumë dyshimet për një koncesion tejet të korruptuar.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë: Diskriminim bizneseve

Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë Mark Crawford në disa intervista për gazetën “Telegraf” ka pohuar se në Shqipëri mungon konkurrenca e ndershme e tregut të punës, për shkak se zyrtarët e lartë favorizojnë biznese që janë afër tyre, duke u dhënë koncesione të pakërkuara, me mungesë të plotë transparence, madje, pa bërë aspak investime, por vetëm duke përfituar fondet publike. Sistemi ligjor shqiptar presupozon që të mos ketë diskriminim ndaj investitorëve të huaj. Traktati i Investimeve Dypalëshe me SHBA, i cili hyri në fuqi më 1998, garanton që investitorët e SHBA të kenë trajtimin e vendit më të favorizuar, thuhet në raport.

Parlamenti Evropian miraton raportin për Shqipërinë: Korrupsioni mbetet problem

Në këtë raport eurodeputetët theksuan se mbeten të shqetësuar nga niveli i lartë i korrupsionit, ritmi i ngadalshëm në vazhdimësi dhe moseficenca në sistemin e drejtësisë, dhe faktin se mangësitë në sundimin e ligjit dhe procedurat e vështira rregullatore vazhdojnë të pengojnë investimet në vend.